Lënda narkotike ishte paketuar në 64 thasë të madhësive të ndryshme dhe ishte e lidhur me litarë në mënyrë që të mos binin në det nga valëzimi i mjetit gjatë lundrimit. Edhe herë të shkuara janë kapur ngarkesa të mëdha droge, por këtë herë i çuditshëm është fakti që mjeti i përdorur nuk ishte i përshtatshëm për këtë ngarkesë dhe sipas gjasave ky veprim është marrë pas situatës së krijuar në vendin tonë.
Kujtojmë që pas goditjes së bandës së Habilajve forca të shumta të Policisë së Shtetit kanë zbarkuar në Vlorë dhe rrethina duke kontrolluar çdo vend që mund të jetë përdorur apo përdoret nga trafikantët. Të ndodhur në këto kushte duket se trafikantët kanë nxituar të largjnë drogën. Si posedues të kësaj ngarkese Guardia di Finanza ka vënë në pranga dy shqiptarë, të dy të moshës 26-vjeçare.
Vlera e drogës në treg arrin deri në 15 milionë euro. Një ditë më parë, policia italiane sekuestroi në Ferrara rreth 2 ton lëndë narkotike të llojit kanabis sativa, e cila vinte nga brigjet shqiptare. Në prangat e policisë ra Ronaldo Rapi, ndërsa sasia e drogës nëse do hidhej në treg, do të gjeneronte një shumë prej 20 mln eurosh.
Mediat italiane raportojnë se që nga muaji janar i këtij viti janë konfiskuar më shumë se 32 ton marihuanë dhe janë arrestuar 47 kontrabandistë si dhe 24 skafe e gomone që përdoreshin nga bandat kriminale për trafikun e drogës. Ndërsa gjatë gjithë vitit 2016 u sekuestruan rreth 22 ton, sasi kjo e kapur e gjitha në rajonin e Puljas.
d.c./shqiptarja.com

VIDEO



