TIRANE, 21 Gusht /ATSH-E,Xhajanka/- Agjencia Kombëtare e Turizmit po intensifikon aktivitetet në drejtim të sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit publik për rritjen e imazhit turistik të Shqipërise.
Në këtë kuadër, drejtuesit e AKT-së e vlerësojnë punën për ndërtimin e një strategjie për imazhin e Shqipërisë turistike si një proçes më vete, i cili kërkon bashkëpunimin e disa aktorëve.
Mësohet se qëllimi i kësaj strategji e cila pritet të jetë gati në fund të këtij viti do të jetë ofrimi i një imazhi sa më koherent dhe konkurrues për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare të turizmit. Agjencia Kombëtare e Turizmit
si pjesë e kësaj strategjie për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të organizojnë një udhëtim për një grup të përbërë nga 30 agjenci turistike të huaja dhe përfaqësues të medias ndërkombëtare me 28 gusht - 31 gusht. Bëhet fjalë për ardhjen për herë të parë të një ndër grupimeve më elitare dhe profesionale në ushtrimin e turizmit të aventurës në rang botëror.
Por jo vetëm kaq, agjentë të kompanive të mëdha dhe "Travel writer", (shkrimtarë udhëtimesh), gazetarë me reputacion nga SHBA, Kanadaja, Suedia etj, do të njihen nga afër me çdo mrekulli që natyra i ka falur Shqipërisë, në një tur ku AKT-ja është kujdesur që të jetë sa i jashtëzakonshëm aq edhe i vështirë për t'u harruar nga secili pjesëmarrës, në mënyrë që promovimi dhe marketingu mbi vendin tonë të jetë real dhe i ofruar në mënyrën më profesionale. /a.ke/