Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë dy-ditore në Kosovë. Rama do të ketë një axhendë të ngjeshur ku do të takohet me udhëheqësit e vendit, nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Avdullah Hoti, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti si dhe liderët e partive në Kosovë.

Report Tv zbardh axhendën e kryeministrit Rama në Kosovë ku:
Në orën 13:15 takim me Kryetarin e Nisma Social-Demokrate, Fatmir Limaj
Në orën 14:00 do të zhvillojë një drekë pune me Fatmir Limaj
Në orën 15:00 takim me Vjosa Osmanin, kryetare e Kuvendit
Në orën  16:00 takim me kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti
Në orën 18:00 takim me kreun e PDK-së, Kadri Veseli
Në orën 18:50 takim me presidentin Hashim Thaçi

Kjo vizitë zhvillohet në një kohë mjaft të vështirë për Kosovën, pas ngritjes nga Prokurori Special në Hagë të aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.

Në lidhje më aktakuzat, Rama mbajti një fjalim të gjatë dhe mjaft të goditur ditën e enjte nga foltorja e Kuvendit ku tha se Haga për 21 vite ka zhvilluar një drejtësi selektive, ku asnjë serb s'u hetua për krime lufte në Kosovë, vetëm shqiptarët

Me vendimin për ngritjen e aktakuzave kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Edi Rama tha se u përmbys peshorja mes viktimës që ishin shqiptarët e Kosovës dhe xhelatit të luftës, që ishte Serbia.

"Serbia s’ishte viktima, por agresori dhe se Beogradin nuk e bombardoi Thaçi me Veselin, por bota demokratike", u shpreh Rama në mbrojtje të luftës dhe atyre që luftuan për Kosovën e lirë.

3 ditë më parë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi erdhi në Shqipëri, por pa specifikuar arsyet apo edhe nëse do të zhvillonte takime në Tiranë. Në lidhje me ngritjen e aktakuzave, ditën e sotme do të flasë edhe Hashim Thaçi, i cili e kishte paralajmëruar këtë konferencë për ditën e djeshme, por e shty për sot.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:33
Rama takohet me Thaçin/Kryeministri i nxjerr grushtin, Presidenti dorën

Kryeministri Edi Rama është takuar edhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për të cilin Gjykata e Hagës ka ngritur akuza për krime lufte. Për shkak të masave antikovid, Kryeministri Rama i drejtohet Thaçit për ta takuar me grusht, ndërsa ky i fundit i ka zgjatur dorën.

1593452009_ramathaci.jpg

Ora 19:06
Rama në Prishtinë, pritet në takim nga Kadri Veseli

Kryeministri Edi Rama në kuadër të vizitës në Kosova ka zhvilluar edhe një takim me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Ora 18:18
Rama takon Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin në Prishtinë


Gjatë vizitës në Kosovë kryeministri Edi Rama është pritur nga kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. Në takimin me Osmanin tërhoqi vëmendjen fakti, që kryetarja e Kuvendit ishte me maskë, ndryshe nga Edi Rama.


Ora 17:46
Fatmir Limaj rrëfen takimin me Ramën: Ofroi ndihmën e Shqipërisë në çdo proces të Kosovës

Kreu i Nismës në Kosovë Fatmir Limaj në një postim në Facebook tregon detaje nga biseda me kryeministrin Edi Rama gjatë takimit që zhvilluan mesditën e sotme. Limaj kërkon që drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë  lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi. Gjithashtu, ai thotë se kryeministri Rama është shprehur i gatshëm të ofrojë të gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kalojë Kosova.

"Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në selinë e Nismës Socialdemokrate, kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, me bashkëpunëtorë, me të cilin diskutuam për zhvillimet aktuale, me theks të veçantë për mundësinë e koordinimit të veprimeve që duhet ndërmarrim si spektër politik në Kosovë pas situatës së krijuar në vendin tonë. Bashkërisht konstatuam se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë̈ lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi.

Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetërorë të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit. Kosova nuk guxon të humbas orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë. Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm që të ofroi gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kaloj Kosova" tha ai.

Ora 13:48
Rama: Flet-rrufeja speciale, njollë turpi në historinë e drejtësisë botërore

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një twitter për vizitën e tij në Kosovë, duke thënë se do të 'dëgjojë dhe mësojë më shumë lidhur me flet-rrufenë speciale dërguar Thaçit e Veselit'. Rama shprehet se kjo do të mbetet një njollë turpi në historinë e drejtësisë botërore që nis akuzat pa pasur ende prova.

"Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi në historinë botërore drejtësisë, që praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur vetëm në epokat e sundimeve ideologjike", shkruan Rama.