Me sytë drejt Gjykatës Kushtetuese, të cilës i ka kërkuar shfuqizimin e 2 akteve normative dhe VKM-së së qeverisë kundër dhunës në protesta, Partia Demokratike kundërshtoi edhe në komisionet parlamentare paketën anti dhunë të qeverisë.

Deputetja Jorida Tabaku, e quajti tërësisht antikushtetuese paketën e masave, që thotë se rrit represionin policor mbi protestuesit.

“Kemi kërkuar prezencën e Ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për dhunën, ne e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese sepse besojmë se janë anti-kushtetues. Ajo që kanë parë shqiptarët nga tetori dhe dhuna joproporcionale e Policisë, për mua ka qenë një nga nivelet më të ulëta të menaxhimit të situatave të protestave gjatë këtyre viteve. Ne kemi parë të rinj që u është thyer këmba, u është krisur kafka. Kemi parë arrestime të paligjshme, që janë faktuar edhe nga Gjykata. Dhe ky akt për tubimet për mua rrit represionin dhe hapësirën që Policia të abuzojë. Rreth 1 mijë persona janë arrestuar. 250 kanë qenë minorenë që kanë firmosur pa praninë e prindërve. 2 elementë që duhet të theksoj. E para, s’ka as urgjencë dhe as nevojë për ta bërë me një akt normativ.

Aktet normative konsiderohen si një përjashtim nga rasti. Ju jeni duke bërë akte normative për buxhetin, për tubimet dhe kjo cenon procesin e drejtë ligjor. Së dyti shkelni nenin 47 të Kushtetutës për tubimet. Jeni duke cenuar funksionet që ka policia e Shtetit. Me këtë regjistër ju thoni do i ndaloni njerëzit edhe për të udhëtuar jashtë? Por kush është Policia e Shtetit që të kufizojë lirinë e lëvizjes? Nga ana tjetër, ju i jepni një tjetër kompetencë policisë për të verifikuar përgjegjësinë e personave. Por të gjitha arrestimet kanë dalë të paligjshme. Si do i japim të drejtë ne policisë që të vendosë, kur ata janë në proces ligjor? Prandaj duhet të jetë i pavarur pushteti gjyqësor. Këtu cenohet edhe prezumimi i pafajësisë. Kush është Policia? Shtet policor jemi ne këtu? Nëse jemi shtet policor pranojeni se nuk e mbroni dot rendin dhe sigurinë. Ky është akti më antikushtetues që unë kam parë të miratohet. Nga ana tjetër, kushdo që ka firmosur për regjistrin elektronik do të shkojë para drejtësisë”, tha mes të tjerash Tabaku.

Në emër të qeverisë, përballë Tabakut ishte zv. ministri i Brendshëm Xhemal Qefalia, që premtoi ndjesë nëse Gjykata do ta vlerësojë antikushtetuese paketën e masave kundër dhunës në protesta.

“Synimi është garantimi i ushtrimit paqësor të tubimeve. Ndaj është ky akt normativ, për të ndaluar dhunën, dhunën jo vetem ndaj protestuesve, por edhe ndaj policëve. Nuk mund të lejojmë të cenohet individi, prona dhe insititucionet, në asnjë moment nuk thuhet aty që ndalohen protestat. Protestat janë të ligjshme dhe shumë mirë të bëhen të vazhdushme, por ato duhet të bëhen brenda kornizave të ligjit. Ndoshta Gjykata Kushtetuese do shprehet, nëse ajo shprehet se është anti-kushtetues do vijmë e do kërkojmë falje që është antikushtetues”, tha mes të tjerash Qefalia.

Për deputetët socialistë, kjo paketë nuk kufizon të drejtën për të protestuar por dhunën mbi punonjësit e policisë dhe shkatërrimin e bizneseve private apo institucionet.

“Krahas të drejtës së njerëzve për të protestuar, duhet të shohim edhe të drejtat e biznesit, e nejrëzve që duan të ecin të lirë, atyre që paguajnë taksa, mos të paguajnë sërish për semaforë, e atyre që merren me turizëm, mos të kenë anulime se një grusht njerëzish me maska duan të protestojnë, duhet një ekuilibër, ka një debat mes një pakice të zhurmshme edhe një shumice të heshtur që punon nga mëngjesi në darkë”, tha Mazniku.

“Akti që vjen nga qeveria, nuk ndëshkon protestën, por dhunën”, tha mes të tjerash Luarasi.

“Në protestat e dhunshme janë dhunuar protestues nga njëri tjetri, si ai që u përndoq etëm se tha ‘Berisha në Burg’ duhet të mbani qëndrim edhe për policët që janë dhunuar”, tha Kiduina Zake.

Me votën kundër të Tabakut, pasi kolegët e saj opozitarë i kishin lënë bosh karriget e tyre, socialistët kaluan me votat e tyre 2 aktet normative në komisionin e të drejtave të njeriut.

Po me vetëm votat e socialistëve, 2 aktet normative kaluan edhe komisionin e Punëve të Brendshme.