Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, u ndalua nga ushtria izraelite në ujërat ndërkombëtare teksa ishte pjesë e flotijes ‘Sumud’ e nisur për në Gaza me mision humanitar. Goxhaj për Report Tv ka rrëfyer momentin e ndalimit nga autoritetet izraelite dhe trajtimin çnjerëzor që i janë bërë atij dhe aktivistëve të tjerë.

Baki Goxhaj thotë se janë tërhequr zvarrë nga anijet e tyre dhe janë hipur në një tjetër ku janë mbajtur të mbyllur për 2 ditë e 2 netë, të trajtuar si bagëti ndërsa u është dhënë vetëm ujë dhe bukë thatë për të konsumuar.

“Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur. Duke u afruar, na kërcënuan dhe qëlluan me armë; nuk e di nëse ishin plumba të vërtetë.

Hipën në anije, na lidhën duart të gjithëve; mua më lidhën edhe sytë, sepse isha pak i zëshëm duke kërkuar të na lironin. Na morën zvarrë dhe na çuan në një anije të madhe të sajuar me kontejnerë, ku kemi qëndruar 2 ditë e 2 net si bagëti. Në anije kishim vetëm ujë për të pirë dhe bukë të thatë”, tha Goxhaj.


Lajmi kryesor:

Ekskluzive/ U ndalua nga Izraeli, Baki Goxhaj mbërrin mes lotësh në atdhe: Na morën peng e na poshtëruan! Ushtarët bëheshin grup e na dhunonin (VIDEO)