TIRANE - Taulant Capa, aktivisti i Partisë Civile i lënë sot i lirë nga Gjykata pasi qëlloi me vezë makinën e Gruevskit në kryeqytet, rrëfen sesi nëndrejtori i policisë së Tiranës e mashtroi duke i thënë të paraqitej në polici vetëm për një dëshmi, ndërkohë që ai ndenji në paraburgim prej disa ditësh derisa sot doli para trupit gjykues. Capa tregon se është dhunuar psikologjikisht prej tij dhe se i është bërë presion për të mos vazhduar me nismat e tij. Duke treguar për arsyet e veprimit të tij ndaj kryeministrit maqedonas, Capa thotë se do që shqiptarët të mos ndihen më të diskriminuar nga politika maqedonase ndaj tyre. Për aktivistin 21-vjeçar vizita e Gruevskit në Tiranë fsheh pas qëllime të tjera dhe jo ata që shfaq. Sipas tij, kryeministri maqedonas kërkon të fitojë të drejtat e një minoriteti sllavo-maqedonas në Shqipëri, i cili sipas tij është inekzistent.

CAPA NE STUDION E A1REPORT PAS VENDIMIT TE GJYKATES
Aktivisti i Partisë Civile, Taulant Capa ishte sot i ftuar në studion e lajmeve të televizionit A1Report, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila sot e la të lirë lidhur me veprimin e së premtes ku 21-vjeçari qëlloi me vezë makinën e kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, i cili ndodhej në Tiranë në kuadër të një vizite zyrtare me ftesë të kryeministrit shqiptar Sali Berisha.

NUK ISHTE E ORGANIZUAR, VEPROVA SPONTANISHT
Capa tregon se gjithçka që ndodhi ishte spontane dhe jo e organizuar.

“Duke kaluar në bulevard pashë flamujt maqedonas. Unë jam me origjinë nga trevat shqiptare në Maqedoni, nga Dibra e Madhe dhe më dogji që pash flamurin maqedonas të vlavitet në Tiranë”, -u shpreh Capa.

Aktivisti i Partisë Civile rrëfen se ishte nisur drejt qytetit të Vlorës, por kur bashkë me moshatarët e tij pa të kalonte makina e Gruevskit në drejtim të Hotel Sheraton, mori informacion mbi takimin që kryeministri maqedonas do të zhvillonte.

“Aty u informova që do takohej me Berishën. Dhe aty mendova të bëja veprimin që shqiptarët në Maqedoni të mos diskriminohen. Brenda normave demokratike të godisja me vezë në mënyrë demonstrative që shqiptarët mos të ndihen të kërcënuar nga maqedonasit. Bashkarisht vendosëm që përgjegjësinë ta mbaj unë, ta godisja unë meqë më prek më shumë si çështje”, -tha 21-vjeçari.

I pyetur nga gazetari se si u gjend në polici, Capa thotë se menjëherë pasi qëlloi me vezë makinën e Gruevskit, kur ai po dilte nga takimi me kryeministrin Berisha, u largua nga vendi i ngjarjes dhe u fsheh nga policia e cila e ndoqi pas.

NENDREJTORI I POLICISE ME OFENDOI E DHUNOI PSIKOLOGJIKISHT
21-vjeçari thotë se është vetëdorëzuar, pasi mesnate në polici, por nuk priste të ndodhte arrestimi i tij. Nëndrejtori i policisë së qarkut të Tiranës, Erzen Brecani, siç rrëfen Capa, e kishte telefonuar për t’i thënë se duhej të shkonte në polici vetëm për të dhënë një deklaratë. Por sipas Taulantit, kjo gjë nuk ndodhi.

“Jam dorëzuar vet rreth orëve të para të ditës së shtunë, rreth 12:30. nëndrejtori i policisë më ka thënë në telefon të paraqitem thjesht për një deklaratë, por Erzen Brecani ka përdorur një fjalor jo qytetar duke më fyer dhe bërë presion psikologjik, dhe më ka goditur. Më ka bërë presion që unë mos të vazhdoj më tej me protestat qytetare se përndryshe do më ndodhte dicka nga ta. Më pas jam dorëzuar në komisariatin numër 1, dhe kam qenë në paraburgim të komisariatit. Sot dola para gjykatës dhe ata e kuptuan që unë kisha të drejtë”, -tregoi në studion e televizionit A1Report Taulant Capa.

GRUESVKI KERKON TE DREJTAT E NJE MINORITETI INEKZISTENT
Për aktivistin 21-vjeçar, vizita e gruevskit në Tiranë nuk ishte në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, ashtu siç është shprehur. Sipas tij, qëllimi i kryeministrti maqedonas është të kërkojë të drejtat e një minoriteti sllavo-maqedonas në Shqipëri, i cili është inekzistent.

Kryeministri maqedonas tha se minoriteti sllavo-maqedonas jeton në gjysmën e Shqipërisë. Është një minoritet inekzistent. Ai kërkon të drejtat e një minoretit që s’ekziston. Edhe nëse ekzisotn s’është me ato shifra që e paraqesin ata.”, -tha Capa.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)