Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“ALBANIAN DANCE COMPETITION” VIJON TË MBAHET NË ELBASAN
Festivali i Dancit “Albanian Dance Competition”, vijon të mbahet në teatrin “Skampa” në Elbasan edhe sonte e nesër në orën 19:30. Festivali është një aktivitet i artit kërcyes me karakter promovues dhe edukues, që u shërben studentëve krijuesve të rinj, pedagogëve dhe gjithë komunitetit të artit koreografik.
2. “KANTO POEZIA”, POEZI TË MUZIKUARA SI KËNGË TE “TULLA”
Pas 10 vjetorit të “Albania Pop Rock” më 27 prill në Teatrin e Operës, sonte në orën 19:30 vjen “Kanto poezia”, një aktivitet që do të sjellë poezi të muzikuara si këngë.
3. “KATARSIS”, KONCERT NGA SHPAT DEDA NË UNIVERSITETIN E ARTEVE
Koncerti “Katarsis” është koncerti nga Shpat Deda dhe “The Private Jets”, që do të mbahet te Universiteti i Arteve në Tiranë sonte e nesër. Ky koncert është një moment i rëndësishëm në rrugëtimin artistik të Dedës, ku muzika ‘neo-soul’ merr formë mes improvizimit dhe performancës.
4. DOKUMENTARI PËR PAL NIKOLL MARKUN NË TEATRIN “BYLIS” NË FIER
“Pal Nikoll Marku – Përgjithmonë” është dokumentari, që do të shfaqet në teatrin “Bylis” në Fier sonte në orën 19:00. Me ide e regji të Vasilika Londos, dokumentari sjell historinë e intelektualit dhe lahutarit Pal Nikoll Markut. Ai sfidoi diktaturën jo me zë, por me kujtesë. Në një kohë kur “Lahuta e Malësisë” ishte e ndaluar dhe të çonte drejt burgut, ai zgjodhi ta mbante aty ku askush nuk mund ta ndalonte: në mendjen e tij. Nga kapiten aviacioni në fonditor uzine, nga drejtues biblioteke në “armik”, ai mbeti deri në fund një roje e heshtur e kulturës shqiptare.
5. SI TË PROMOVOSH VLERAT E ARTIT NGA SHQIPËRIA NË DIASPORË
Si mund t’i çojmë vlerat e artit shqiptar përtej kufijve dhe t’i japim zë në diasporë, duke ndërtuar njëkohësisht një komunitet të qëndrueshëm artdashësish në Shqipëri dhe më gjerë? Për këtë do të bisedohet në aktivitetin që do të mbahet në orën 19:00 në “Coolab” në Tiranë.
Komente











