Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“AND’RRA E NAN’ TEREZËS...” ME JUSTINA ALIAJN TE ARTURBINA
“And’rra e Nan’ Terezës – Njerëzorja hyjnore” është monodrama e Justina Aliajt, bashkautorë me Bashkim Kozelin dhe me regji nga Gëzim Kame, që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës sonte dhe nesër në orën 20:00.
2. DVOŘÁK E MENDELSSOHN NË SKENËN E TEATRIT TË OPERËS E BALETIT
Fitues i Çmimit të Parë në “Queen Elisabeth Competition” në vitin 2017, edicioni i parë i dedikuar violonçelit, Victor Julien-Laferrière vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit nesërm në orën 19:00, bashkë me dirigjenten 19-vjeçare Olha Dondyk dhe Orkestrën Simfonike të Teatrit. Për publikun do të interpretohen mes të tjerash pjesë nga Dvořák e Mendelssohn.
3. “MOZAIK URBAN” NGA SHQIPE BERISHA TE “ODA” NË SHKODËR
“Mozaik urban” është ekspozita nga Shqipe Berisha, që do të çelet mbrëmjen e 10 janarit në orën 18:00 te Galeria “Oda” në Shkodër.
4. “BON BONI NË MBRETËRINË E ËMBËLSIRAVE” TE TEATRI I KUKULLAVE
“Bon Boni në mbretërinë e ëmbëlsirave” është shfaqja për fëmijë, që do të vijë në skenën e Teatrit të Kukullave në Tiranë më 10 dhe 11 janar në oraret 10:30 dhe 11:30.
5. “VIJA: VAZHDIMI I PIKËS”, EKSPOZITA NGA ESHREF QAMILI NË FAB
“Vija: Vazhdimi i pikës” ekspozitë nga Eshref Qamili, çelet në galerinë FAB të Universitetit të Arteve, sonte në orën 18:00. Me kuratorë Nita Qahili dhe Sadik Spahija, prezantohen vizatime të realizuara përgjatë 3 dekadash.
6.“ALTERAZIONI VIDEO”, VIJON EKSPOZITA NË MUZEUN “MARUBI”
Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon të qëndrojë e hapur ekspozita “Olbania” nga kolektivi artistik ndërkombëtar “Alterazioni Video”, një nga zërat më të veçantë të artit bashkëkohor që ndërthur imazhin, arkitekturën, filmin dhe kërkimin kritik.
7. EKSPOZITA “XXXVI” E BLEDAR GRAMOS TE GALERIA “GOCAT”
Ekspozita “XXXVI” nga Bledar Gramo vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Gocat” te Piramida në Tiranë në këto ditë të para të vitit.
8. “RRUGËT”, EKSPOZITA NË QENDRËN COD PRANË KRYEMINISTRISË
“Rrugët” është ekspozita që vijon të qëndrojë e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.
9. “PËSHPËRIMA NËN MARSHIMIN E PAMËSHIRSHËM” NGA BLERTA HOÇIA
“Pëshpërima nën Marshimin e Pamëshirshëm” është ekspozita e artistes Blerta Hoçia e kuruar nga Elian Stefa, që vijon të qëndrojë e çelur në “Bazament Art Space” në Tiranë.
10. “QOFTË E SHËNDETSHME DORA QË KRIJON” NË GALERINË E TIRANËS
Ekspozita “Qoftë e shëndetshme dora që krijon”, me tapete, sixhade dhe qilima të krijuar nga pesë artistë azerbajxhanas dhe një shqiptar vijon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Tiranës- GAT.
11. “IMPRESIONE URBANE” NGA NJË GRUP ARKITEKTËSH NË DURRËS
Ekspozita “Impresione urbane” nga arkitektët Maksim Mitrojorgji, Valentin Voshtina, Pirro Stefa dhe Olsi Plasa vijon të qëndrojë e çelur te galeria “Nikolet Vasia” në Durrës edhe gjatë këtyre ditëve të janarit.
Komente












