Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.INAUGURIMI I TEATRIT TË HAPUR “MIRUSH KABASHI” TE LIQENI

Mbrëmjen e nesërme, më 17 prill, në orën 19:30, në përvjetorin e lindjes së Mirush Kabashit, teatri i hapur pranë Liqenit Artificial do të marrë zyrtarisht emrin e tij.

2. MONODRAMA PËR NËNË TEREZËN, NË POGRADEC ME JUSTINA ALIAJN

Monodrama “And’rra e Nan’Terezës – Njerëzorja hyjnore” do të shfaqet në sallën “Lasgush Poradeci” në Pogradec, nesër, më 17 prill në orën 19:00. Shfaqja me Justina Aliajn vjen nën regjinë e Gëzim Kames, ndërsa kompozitor e çelist është Rubin Kodheli.

3. MUZIKË DHOME NGA MATERA NË TIRANË, KONCERT TE KATEDRALJA

“Chamber Music Project”, një koncert me Konservatorin “ER Duni” Matera do të vijë në Tiranë në Qendrën Kulturore të Katedrales Orthodhokse mbrëmjen e nesërme në orën 19:30. Të pranishmit do të mund të shijojnë një udhëtim muzikor nga muzika baroke tek Beatles, nga Italia në Shqipëri. Programi muzikor, i kuruar nga pedagogët koncertistë të Konservatorit, ofron një panoramë të 200 viteve zhvillimi stilistik.

4. “MUSE-X FESTIVAL”, TRE NETË TINGUJSH TE PIRAMIDA NË TIRANË

“Muse-X Festival” do të mbahet te Piramida në Tiranë nga 17 deri më 19 prill, duke sjellë tre netë muzikore plot tinguj e ritëm.

5. LEKSION I HAPUR PËR JETËN DHE VEPRËN E AKADEMIKUT BALLATA

Jeta dhe vepra e akademikut nga Gjakova, Zeqirja Ballata do të vijë në një leksion të hapur në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, nesër në orën 11:00. Në përmbyllje do të interpretohen edhe dy vepra nga krijimtaria e kompozitorit.

6.“BALKAN JAZZ SHOWCASE” VJEN NË EDICIONIN E 6-TË NË TIRANË

“Balkan Jazz Showcase” rikthehet në Tiranë me një program të pasur dhe artistë nga Shqipëria dhe skena ndërkombëtare e jazz-it. Ai do të fillojë sot në orën 19:30 në sallën “Avni Mula” të shkollës së muzikës “Servete Maçi” në Tiranë për të vijuar deri më 19 prill.

7. “KËRDI”, KOMEDIA E ZEZË SHFAQET PREMIERË NË GJIROKASTËR

“Kërdi” është pjesa teatrore, që do të shfaqet premierë në teatrin “Zihni Sako” në Gjirokastër sonte në orën 19:00. Me regji nga Shkëlzen Berisha, komedia “Kërdi” vjen si një pasqyrë komike e jetëve “të ujdisura”, ku kostumi i shtrenjtë nuk e fsheh dot sjelljen kafshërore. Një komedi e zezë që na kujton se sa afër xhunglës jemi, edhe kur rrimë në sallone moderne, shfaqja do të vijojë deri më 19 prill.