Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.KONCERT SIMFONIK NGA OSFA TE KISHA “ZEMRA E KRISHTIT”
Një udhëtim muzikor përmes Spanjës, Rusisë dhe Francës do të vijë në koncertin simfonik nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura (OSFA) te Kisha “Zemra e Krishtit”, nesër në orën 20:00, nën drejtimin e dirigjentit Juan José Navarro Hernández dhe me pjesëmarrjen e solistit Pjetër Guralumi. Programi përfshin veprat: J. Turina – La oración del torero; S. Rachmaninov – Adagio nga Simfonia Nr. 2 dhe G. Bizet – Simfonia Nr. 1.
2. JAVA ITALIANE E KULTURËS, “VIZITA” NË TEATRIN E BUTRINTIT
Sonte në orën 21:00, Teatri Antik i Butrintit do të mirëpresë shfaqjen teatrore “Vizita”, me regji të Davide Iodice si pjesë e aktiviteteve të Javës Kulturore Italiane. Bashkëprodhim mes Teatro di Sardegna dhe Teatrit të Shkodrës, vepra sjell një rrëfim bashkëkohor që eksploron kujtesën, mungesën dhe lidhjet njerëzore përmes një gjuhe skenike poetike dhe intensive.
3. FESTA E VILËS NË KUKËS, VIJON TRADITA ME MUZIKË E EMOCIONE
Më 7 qershor, Festa e Vilës rikthehet në Lakun e Erës në fshatin Vilë - Kukës. Muzikë, atmosferë, emocione dhe kujtime që krijohen bashkë vijnë në një festë të përvitshme, që synon të ruajë një traditë.
4. “ART”, KOMEDIA PËR MIQËSINË NË TEATRIN EKSPERIMENTAL
Në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental rikthehet shfaqja “Art”, e cila do të ngjitet në skenë sonte, nesër dhe të hënën (më 6, 7, 8 qershor) si dhe më 10 qershor në orën 20:00.
5. KARNAVALET ÇELIN SEZONIN TURISTIK NË QYTETIN E KORÇËS
Korça hap zyrtarisht sezonin turistik sonte me Karnavalet e Korçës, një nga festat më të dashura të qytetit. Muzika, paradat shumëngjyrëshe, kostumet kreative dhe atmosfera festive do të pushtojnë qendrën e qytetit, duke e kthyer mbrëmjen në një spektakël të madh për banorët dhe vizitorët.
6. FESTIVALI I PRANVERËS, NË TEATRIN E OPERËS DHE BALETIT
Sonte dhe nesër në orën 21:00, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit do të presë edicionin e radhës të Festivalit të Pranverës organizuar nga Radio Televizioni Shqiptar.
7.“PËRTEJ HORIZONTIT”, DRAMA E EUGENE O’NEILL NË ARTURBINA
Teatri “Andon Zako Çajupi” i Korçës sjell në Tiranë shfaqjen “Përtej Horizontit”, një nga veprat më të njohura të dramaturgut amerikan Eugene O’Neill, fituese e çmimit Pulitzer. Me regji të Silvio Goskovës dhe pjesëmarrjen e aktorit Niko Kanxheri, shfaqja do të vijë sonte dhe nesër në orën 20:00, në Teatrin Kombëtar Eksperimental (salla 400 e ArTurbinës).
8.CAPREOLUS DUO NË “ALBANIA INTERNATIONAL GUITAR FESTIVAL”
Në kuadër të edicionit të 10-të të Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës në Shqipëri (Albania International Guitar Festival), publiku do të ketë mundësinë të ndjekë koncertin e Capreolus Duo, formuar nga artistët austriakë Verena Merstallinger dhe Julian Richter. Pas koncertit në Tiranë, dyshja do të interpretojë sonte në orën 19:30, në Kishën e të Shelbuemit në Rubik, duke sjellë një repertor që përfshin muzikë klasike, ritme braziliane dhe krijime bashkëkohore.
9. “TINGULLI I LIRËS ANTIKE”/ ARTISTËT GREKË, KONCERT NË HIMARË
Shëtitorja e Himarës do të mirëpresë nesër nga ora 20:00 koncertin “Tingulli i Lirës Antike”. Artistët Nikolaos Xanthoulis, Sophia Karakouta dhe Evanghelia Kopsalidou do të interpretojnë me lirën e lashtë greke, duke sjellë një udhëtim muzikor frymëzuar nga mitet dhe traditat e antikitetit.
10. “CIRCUS SHOW”, SHFAQJE PËR FËMIJËT TE TEATRI I KUKULLAVE
Sot në orën 17:00, Teatri i Kukullave do të presë shfaqjen “Circus Show” nga Cirku Kombëtar. Numrat akrobatikë, personazhet argëtues dhe surprizat skenike premtojnë një pasdite plot emocion për fëmijët dhe familjet.
11. “MACJA QË BËN PAPUÇE” NË SKENËN E TEATRIT TË KUKULLAVE
Shfaqja “Macja që bën papuçe” do të vijojë të vijë për fëmijët në Teatrin e Kukullave edhe nesër në oraret 10:30 dhe 11:30.
Komente











