Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.EDICIONI II I BIENALES NDËRKOMBËTARE TË GRAFIKËS NË TIRANË

Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës do të vijë në Galerinë e Artit Tiranë, nesër, më 18 nëntor, në orën 18:00. Përmes veprave të ekspozuara, bienalja synon të dëshmojë rolin e artit si një urë komunikimi mes kulturave, duke kapërcyer kufijtë dhe nxitur dialogun artistik. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 nëntor.

2. FESTIVALI MBARËKOMBËTAR I HUMORIT “TANO FEST” NË SHKODËR

Shkodra bëhet kryeqendra e humorit shqiptar me Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit “Tano Fest”, që do të vijojë të mbahet deri më 21 nëntor në skenën e Teatrit “Migjeni”. Festivali i kushtohet ikonës së humorit shqiptar, Tano Banushi, në prag të 100-vjetorit të lindjes së tij. Për 8 net, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqje të ndryshme, në një festë të artit skenik, humorit dhe interpretimit.

3. ARKEOLOGJI/EKSPOZITA “PORTA E KOHËS” ÇELET NË SHKODËR

Arkeologjia dhe trashëgimia kulturore vijnë në qendër të ekspozitës “Porta e Kohës”, e cila hapet sot, më 17 nëntor, në orën 18:30 në Galerinë e Arteve të Shkodrës. Ekspozita propozon një udhëtim në historinë dhe pasurinë arkeologjike të tri qyteteve shqiptare: Shkodrës, Beratit dhe Korçës.

4. BEN BLUSHI PREZANTON LIBRIN E RI NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE

Shkrimtari Ben Blushi do të takohet me lexuesit sot në orën 17:00 në Qendrën “Sotir Kolea” në Bibliotekën Kombëtare, në një datë simbolike për Tiranën, ditën e Çlirimit të qytetit. Në fokus të takimit do të jetë romani i tij më i ri, “Historitë e çmendura të Tiranës: nga 1600 deri në vitin 2000”, përmes të cilit autori sjell histori, personazhe, ngjarje dhe episode pak të njohura nga e kaluara e kryeqytetit.

5. KOMEDIA “10 VJET MARTESË” NË TEATRIN EKSPERIMENTAL NË TIRANË

Komedia “10 vjet martesë” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” edhe sot dhe nesër në orën 20:00.  Me autor Alil Vardar, shfaqja vjen nën regjinë dhe interpretimin e Andia Xhungës dhe interpretim nga Gentian Zenelajt. dhe Andia Xhunga.

6. “TË (PA)THËNAT”/ KOMEDIA E GEGËS ME EVA ALIKAJN NË LEZHË

“Të (pa)thënat” është komedia me regji të Xhilberto Gegës dhe pjesëmarrjen e aktores Eva Alikaj, që do të shfaqet sot në orën 18:00 në skenën e Pallatit të Kulturës “Dedë Ndue Lazri” në Lezhë. Hyrja për shfaqjen është e lirë.