Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.EKSPOZITË DOKUMENTARE PËR BALLKANIN NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE

“Sorry for being so Balkanic”, një ekspozitë dokumentare që sjell në vëmendje mozaikun kulturor të Ballkanit, si hapësirë bashkëjetese, kujtese dhe dialogu mes popujve do të çelet sonte në orën 18:00 në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë.

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim do të prezantohet një përzgjedhje të veçantë dokumentesh, dorëshkrimesh, hartash, botimesh dhe materialesh etnografike që dëshmojnë gjurmët e ndërthurjes kulturore në Ballkan.

2. KONCERT NGA ORKESTRA SIMFONIKE E RTSH ME FROMHERZ DHE IMERIN

Orkestra Simfonike e RTSH-së ju fton në një mbrëmje koncertore me muzikën e Schumann-it, Mozart-it, Donizetti-t, Verdi-t dhe Puçini-t, nesër, në orën 19:00 në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. Koncerti vjen nën dirigjimin e Carl Philipp Fromherz dhe me interpretimin e tenorit Valon Imeri.

3. “TALENT FEST” NË TEATRIN E HAPUR “MIRUSH KABASHI” NË TIRANË

Skena e teatrit të hapur “Mirush Kabashi” në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë do të ndizet nesër nga zërat e rinj dhe performancat live të grupeve muzikore gjatë “Talent Fest”.

4. “HYJI”, SHFAQJA NGA EUGENE O’NEILL NË TEATRIN “BYLIS”

“Hyji” është shfaqja nga Eugene O’Neill, që do të vijë në skenën e teatrit “Bylis” në Fier edhe sot, më 21 maj, në orën 19:00 nën interpretimin e Dritan Boriçit dhe Johan Mezinit.