Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.DITA E RINISË, KONCERTE LIVE DHE MUZIKË ROCK NË TIRANË
Dita e Rinisë vjen me një sërë aktivitetesh në Tiranë. Sonte në orën 19:00 te Piramida do të ketë një aktivitet të hapur me muzikë. “Beat of Youth” Street Party vjen si një mbrëmje e dedikuar të rinjve, hapësirave urbane dhe energjisë. Ndërkohë, te “Reja” në orën 19:30 do të mbahet një koncert live me muzikë rock nga Niki & Friends me muzikë të viteve ’80–’90-të.
2. “RENDI I RI”, SHFAQJA ME REGJI TË LONDOS NË TEATRIN KOMBËTAR
“Rendi i ri” është shfaqja me regji nga Kiço Londo, që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës sonte dhe nesër në orën 20:00. Shfaqja flet për ato gjëra që zbulojnë natyrën tonë të vërtetë, na kujton “shenjat” tona dhe na fton në reflektim të thellë.
3. MBRËMJE FESTIVE NË VLORË ME KËNGËTARË E ARTISTË TË TEATRIT
Atmosfera e festave vazhdon në qytetin e Vlorës. Sonte në orën 19:00 në Qendrën Historike të qytetit do të ketë një koncert me artistët Ludmilla Baballëku e Viktor Tahiraj dhe me pjesëmarrjen e artistëve të teatrit “Petro Marko”.
4. “SHKODRA N’FESTË”, AKTIVITETE MUZIKORE, ART E TRADITË
“Shkodra N’Festë” sjell një sërë koncertesh nga këngëtarët më të mirë shqiptarë. Sonte do të mbahet një koncert në orën 20:00 në sheshin para Bashkisë së qytetit, ndërsa nesër në orën 12:30 në Muzeun Historik të Shkodrës do të organizohet aktiviteti “Art, traditë, festë”, ku do të zbukurohet pema e festave përmes artit dhe traditës.
5. “GJURMËT E DEVOLLIT NË TELAJO”, EKSPOZITA E XHAÇIT NË KORÇË
“Gjurmët e Devollit në telajo” është ekspozita nga Diana Xhaçi, që vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Thimi Mitko” në Korçë.
6. “RRUGËTIME TË PAPRITURA TË JETËS” NË QYTETIN E KORÇËS
“Rrugëtime të Papritura të Jetës” është ekspozita, që do të çelet nesër në orën 11:00 në Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë.
7. “KINOCHRISTMAS” NË PARKUN E ARTIT, AKTIVITETE PËR FËMIJËT
Parku i Artit në Kinostudio do të shndërrohet në një vend festiv neswr në orën 16:00. “KinoChristmas” do të sjellë Korin e Zërave të Bardhë, performancë nga baleti “Arrëthyesi”, aktivitete kreative për fëmijë me Babagjyshin dhe Elfët etj.
8. “TË GJITHË RRETH BREDHIT” NË KOLONJË ME ATMOSFERË FESTIVE
“Të gjithë rreth bredhit” është aktiviteti që do të mbahet nesër në orën 16:30 në sheshin “Rilindja” në Ersekë, ku të pranishmit do të ndezin dritat e bredhit të qytetit.
9. PAVIJONI SHQIPTAR NË BIENALEN E VENEZIAS, BISEDË NË COD
Në prag të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bienalen e 61-të të Venezias, në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë (COD), nesër në orën 18:00 do të mbahet një bisedë publike mbi procesin e përzgjedhjes së projektit përfaqësues, konceptin artistik të “A Place in the Sun” të Genti Korinit dhe qasjen kuratoriale që qëndron pas tij.
10. “MOZAIK MARGARITARËSH”, MBRËMJE KOREOGRAFIKE NË ELBASAN
“Mozaik margaritarësh” është aktiviteti që do të mbahet mbrëmjen e nesërme dhe më 9 dhjetor në orën 18:00 në teatrin “Skampa” në Elbasan.
Komente











