Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.DITA E VERËS, KONCERTE, FESTË E PANAIRE NË GJITHË VENDIN

14 marsi sjell atmosferën festive të Ditës së Verës në shumë qytete të Shqipërisë, me koncerte, aktivitete për familjet, panaire artizanale dhe festa në hapësira publike. Nga Tirana në Elbasan, Berat, Durrës e më tej, qytetet do të mbushen me muzikë, traditë dhe aktivitete për të gjitha moshat.

Në Tiranë, një nga eventet kryesore është koncerti “Mirësevjen Pranverë”, i cili do të zhvillohet te Liqeni Artificial duke nisur nga ora 17:00.

Po në kryeqytet, Rruga “Ibrahim Rugova” do të mirëpresë edhe këtë vit “Street Party”, një nga eventet urbane më të mëdha të Ditës së Verës. Festa nis në orën 12:00 dhe do të vazhdojë deri në mesnatë. Aktivitete festive do të zhvillohen edhe në Parkun “Europa”, përgjatë Bulevardit, nga ora 10:00 deri në 16:00.

Një tjetër aktivitet do të zhvillohet në rrugën “Pjetër Bogdani”, ku nga ora 12:00 deri në 20:00 do të organizohet një tavolinë e gjatë në rrugë, ku qytetarët dhe vizitorët mund të bashkohen për ushqim, biseda, muzikë dhe aktivitete për fëmijë.

Ndërkohë Elbasani, qyteti i origjinës së kësaj feste i ka nisur festimet që më 9 mars.

2. “ENERGJIA E CIRKUT”, SHFAQJE NË TEATRIN E KUKULLAVE

Pas dy shfaqjeve sot paradite në Tiranë, Cirku i Tiranës do të vijë mbasdite në orën 17:00 në Teatrin e Kukullave me shfaqjen “Energjia e Cirkut”.

3. DREJTËSI NË NUREMBERG” NGA ARBEN KUMBARO NË SKENËN E TK-SË

“Drejtësi në Nuremberg” shfaqja me regji nga Arben Kumbaro do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 20:00.

4. TEATRI PËR FËMIJË “DRITËZA” NË SKENËN E EKSPERIMENTALIT

“Dritëza” është shfaqja për fëmijë nga Endri Çela, që do të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës në Tiranë sot dhe nesër në orën 10:30.

5. “PRINCESHAT DHE BIZELJA” NË SKENËN E TEATRIT TË KUKULLAVE

“Princeshat dhe bizelja” është shfaqja për fëmijë që do të ngjitet në skenën e Teatrit të Kukullave sot dhe nesër në oraret 10:30 dhe 11:30.