Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. LUDWIG VAN BEETHOVEN, KONCERT I ORKESTRËS SIMFONIKE TË RTSH
Një mbrëmje me kryeveprat e Ludwig van Beethoven do të vijë në një koncert nga Orkestra Simfonike RTSH mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në Sallën e Universitetit të Arteve. Në program: Triple Koncerti, Op. 56 për violinë, violonçel dhe piano; Simfonia Nr. 5 në Do minor, vepra ikonike që ka sfiduar kohën dhe mbetet simbol i fatit që troket në derë. Solistë: Ermir Abeshi (violinë), Giuliano de Angelis (violonçel) dhe Merita Rexha Tërshana (piano), ndërsa dirigjent është Facundo Agudin.
2. RIKTHEHET “DUMREA SUMMER DAY FEST”, DY DITË PLOT AKTIVITETE
Më 13 e14 mars, “Dumrea Summer Day Fest” rikthehet me dy ditë plot muzikë, panair dhe aktivitete në mes të natyrës.
3. ARTISTI GIANLUCA PETRELLA ME “COSMIC RENAISSANCE” NË TIRANË
Kuinteti Gianluca Petrella, i udhëhequr nga një nga muzikantët më inovativë në skenën bashkëkohore vjen me një koncert mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në Universitetin e Arteve. Koncerti mbështetet nga Instituti Italian i Kulturës.
4.“ASKUSH NUK E MERITON ZEMËRIMIN TIM” NGA SHPËTIM SELMANI
“Askush nuk e meriton zemërimin tim” është libri nga Shpëtim Selmani, që do të promovohet te qendra kulturore “Tulla” në Tiranë, nesër në orën 19:00.
Një nga shkrimtarët dhe performuesit më premtues nga Kosova, Shpëtim Selmani do të sjellë së bashku me Alban Nimanin edhe performancën poetiko-muzikore “Luftë a tifo”, që përdor ironinë për të goditur realitetin e përditshëm.
5. KONCERTI “ALBANIAN SOUL” NË TKOB NGA ANA TAFANI E LAURA LILA
Pas një turneu në disa nga qytetet më të mëdha të Australisë, si: Sydney, Melbourne dhe Brisbane, “Albanian Soul” nga sopranoja Ana Tafani, vjen për publikun shqiptar në Hollin Koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, më 13 mars, për një mbrëmje që i kushtohet shpirtit të muzikës shqiptare. Së bashku me Laura Lilën në piano, koncerti do të sjellë një udhëtim metaforik nëpër Shqipëri, nga këngët e dashura qytetare shkodrane te meloditë arbëreshe dhe krijimtaria e kompozitorëve tanë më të njohur.
6. FIDELES ZBRET NË PARKUN “EUROPA” NË SUMMER NIGHT OF TIRANA”
Për të gjithë ata që duan muzikën techno mund të bëhen pjesë e një koncerti me Dj Fideles mbrëmjen e nesërme nga ora 18:00 deri në mesnatë në Parkun “Europa” në Tiranë. Pjesë e mbrëmjes do të jenë edhe ritmet që do të vijnë nga Equinoxx dhe MYA në “Summer Night of Tirana”.
7. “ME ZANIN E BJESHKËVE”, GËZIM NIKA NË NJË KONCERT RECITAL
“Me zanin e bjeshkëve” është koncerti recital i Gëzim Nikës, ku do të interpretojnë edhe Aurela Gaçe, Eli Fara, Fatmira Breçani etj., që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, sot në orën 19:00. Në skenë do të ngjiten edhe artistë të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
8. “DREJTËSI NË NUREMBERG” NGA ARBEN KUMBARO NË SKENËN E TK-SË
“Drejtësi në Nuremberg” shfaqja me regji nga Arben Kumbaro do të vijë sërish në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës nga mbrëmja e sotme deri më 15 mars në orën 20:00.
9. TEATRI PËR FËMIJË “DRITËZA” NË SKENËN E EKSPERIMENTALIT
“Dritëza” është shfaqja për fëmijë nga Endri Çela, që do të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës në Tiranë nesër, të dielën dhe më 15 mars, çdo ditë në orën 10:30.
Komente












