Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“IL TROVATORE”, OPERA E GIUSEPPE VERDI-T, PREMIERË NË TKOB

“Il Trovatore”, kryevepra botërore e Giuseppe Verdit, rikthehet në skenën shqiptare me një produksion të ri që mban firmën e regjisorit të mirënjohur Roberto Catalani, realizuar nga Teatro “Amilcare Ponchielli” i Cremonës në Itali. Shfaqja do të vijë për publikun mbrëmjen e nesërme, më 11 dhjetor, më 12 dhe më 13 dhjetor në orën 19:00, duke rikthyer në skenën shqiptare, pas 24 vitesh mungesë, tenorin e mirënjohur me karrierë ndërkombëtare, Josif Gjipali.

Për herë të parë në Shqipëri, në një produksion operistik, debuton në skenën e TKOBAP-së edhe mezzosoprano shqiptare me famë ndërkombëtare Enkeleida Shkoza, në rolin dramatik të Azucenës. Roli i Conte di Luna interpretohet nga baritoni Ankhbayar Enkhbold dhe baritoni i mirënjohur i teatrit, Armando Likaj. Në rolin e Leonorës, skenën e ndajnë sopranot e mirënjohura Eva Golemi dhe në kastin e dytë Ramona Tullumani. Rolin e Azucenës në kastin e dytë e luan mezzosopranoja e teatrit Ivana Hoxha ndërsa roli i Manricos vjen në kastin e dytë nga tenori Amadi Lagha.

2. “KOMUNIKIM”, EKSPOZITA PERSONALE E AGRON BYTYÇIT NË FAB

 “Komunikim” është ekspozita personale e artistit Agron Bytyçi, që është çelur te Galeria “FAB” në Tiranë e që do të vijojë të jetë e hapur deri më 22 dhjetor. Ajo vjen e kuruar nga artisti Zef Paci.

3. “KUJTESË E TRUPËZUAR”, ÇELET EKSPOZITA KOLEKTIVE TE VILA 31

 “Kujtesë e trupëzuar” është ekspozita kolektive nga “Tirana Art Lab” me artistë: Nikolin Bujari, Orestia Kapidani, Erald Nezaj, Ferdinand Paci, Remijon Pronja, Nurhan Qehaja e Anila Rubiku, që do të çelet nesër, më 11 dhjetor, në orën 18:00 te Vila 31 x Art Explora.

4. “ESCAPE”, ÇELET EDICIONI I PARË I FESTIVALIT TË ARTIT PUBLIK

Edicioni i Parë i Festivalit të Artit Publik “Escape” çelet sot në orën 17:00 te Studiot e Skulptorëve në Universitetin e Arteve në Tiranë.

5. “GRUA PËR SHTËPI”, MONODRAMA NË TEATRIN “PETRO MARKO”

“Grua për shtëpi” është monodrama që do të vijë në skenën e teatrit “Petro Marko”, sot në orën 18:00. Shfaqja sjell në skenë historitë e grave, martesat e hershme dhe pritshmëritë e padrejta që shoqëria vendos mbi to.

6. “HAMLET”, VIJOJNË SHFAQJET NË TEATRIN E METROPOLIT

“Hamlet” me regji nga Jonida Beqo do të vijojë të shfaqet te Teatri “Metropol” edhe mbrëmjen e nesërme në orën 19:00.  Interpretojnë: Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj etj.

7. “DET I THELLË BLU” I RATTIGAN NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR

“Det i thellë blu” me autor Terence Rattigan dhe regji nga Rovena Lule Kuka do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës edhe mbrëmjen e nesërme në orën 20:00. Në të interpretojnë: Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha,  Donald Shehu, Niada Saliasi dhe Florian Agalliu.

8. “FESTON KORÇA”, DRITA DHE FESTË NË QYTETIN JUGLINDOR

Koncerte, performanca dhe surpriza do të gjeni në këto ditë dhjetori në “FestON Korça”. Sot në orën 18:00 programi vijon me festivalin “Autonom Fest”.