Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“FESTO N’MIRDITË”, DY DITË AKTIVITETE KULTURORE E KONCERTE
“Festo n’Mirditë” sjell një sërë aktivitetesh në 17 dhe 18 nëntor në sheshin “Abaz Doçi” në Mirditë. Aktivitetet do të çelen ditën e nesërme në orën 10:00 dhe synojnë të forcojnë bashkëpunimin ndërkufitar mes Bashkisë Mirditë, Shqipëri dhe Komunës së Junikut në Kosovë. Gjatë dy ditëve të aktivitetit, të pranishmit do të kenë mundësinë të shijojnë koncert në fshatin Domgjon, panair të artizanëve në sheshin “Abat Doçi”, Rrëshen, aktivitet kulturor në ish-burgun politik të Spaçit, vizitë në kishën e T’Shëlbuemit, Rubik dhe një koncert recital pranë InfoKullës në Rubik.
2. NIMANI, WORKSHOP PËR TEKNOLOGJINË E AVANCUAR NË FOTOGRAFI
“Teknologjia e Avancuar në Fotografi” është uorkshopi që mbahet te qendra kulturore “Tulla” nga 17 deri në 20 nëntor. Agon Nimani do të udhëheqë pjesëmarrësit në përdorimin e Inteligjencës Artificiale në fotografi. fotografisë me drone, inteligjencës artificiale në konservimin e trashëgimisë kulturore etj.
Nimani do të ndajë gjithashtu përvojat e tij si Bursist Fulbright në Rochester Institute of Technology (RIT), ku u fokusua në mësimin e avancuar makinerik në shkencën e imazhit.
3.“NO ART ZONE”, EKSPOZITA E VLADIMIR DHE NOEL MYRTEZAIT
“No Art Zone” është ekspozita nga Vladimir e Noel Myrtezai kuruar nga Helidon Gjergji që është çelur për publikun në Qendrën për Hapje dhe Dialog.
4. TAKIMI KOMBËTAR I ORKESTRAVE TË HARQEVE NË ELBASAN
“Takimi Kombëtar i Orkestrave të Harqeve” në Elbasan shënon edicionin e tij të dhjetë. Ai do të vijojë të mbahet edhe sonte dhe nesër, duke filluar prej orës 18:00, në teatrin “Skampa”. Ky aktivitet bën bashkë orkestra dhe ansamble nga qytete, si: Elbasani, Tirana, Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Berati e Ulqini.
5. “FUNDJAVA MAGJIKE” NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL
“Fundjava magjike” është shfaqja që do të vijë te Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë nesër në orën 10:30.
6. UDHËTIM KULINARIK, NJIHNI SEKRETET E KUZHINËS JAPONEZE
Nëse dëshironi të njihni kuzhinën japoneze sot mund të bëheni pjesë e aktivitetit “Udhëtim kulinarik në Japoni”, që do të mbahet në orën 17:00 te “Vila 31-Art Explora” në Tiranë. Aktiviteti vjen në kuadër të Javës Kulturore Japoneze.
Komente












