Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, është shprehur se anëtarësimi në BE kërkon përgjegjësi politike nga të gjitha palët dhe bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës.
Kos tha se shumica e shqiptarëve e mbështesin integrimin në BE dhe sipas saj, zbatimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një provë e rëndësishme për Shqipërinë.
“Udhërrëfyesi që ne kemi publikuar për të cilin folët ju zoti Balla, në fillim të këtij muaji tregon rrugën që duhet ndjekur. Por ne të gjithë e dimë që udhërrëfyesi në vetvete nuk përbën asnjë garanci. Sa më pranë jemi drejt anëtarësimit, aq më e rëndësishme bëhet të dëshmohet se institucionet funksionojnë dhe ligjet zbatohen në praktikë. Rezultatet konkrete të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe përafrimi i legjislacionit për mjedisin do të jenë sfidat tuaja kryesore. Shumica dërrmuese e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin në BE. Mbështetja e shqiptarëve është më e larta në të gjithë vendet kandidate. Për ta ruajtur këtë mbështetje dhe për të përmbushur pritshmëritë e publikut, është e rëndësishme që qytetarët të përfshihen në këtë proces. Zbatimi i ligjeve të reja është një provë e rëndësishme. Por është po aq e rëndësishme sesi zbatohen këto ligje. Anëtarësimi në BE kërkon përgjegjësi politike nga të gjithë. Konsultimet publike janë mundësia për të dëgjuar shqetësimet dhe për të ndërtuar legjislacionin. Deputetët kanë detyrë për të sjellë shqetësimet e zgjedhësve të tyre në debatin kombëtar”, tha mes të tjerash Kos.
Marta Kos theksoi gjithashtu se protestat paqësore janë pjesë e rëndësishme e proceseve demokratike dhe sipas saj, kërkesat e protestuesve duhet të pasqyrohen dhe të marrin zgjidhje.
“Protestat paqësore janë pjesë e proceseve demokratike. Komisioni Europian nuk merr anë në diskutimin e brendshëm politik në Shqipëri. Përgjegjësia jonë është që të sigurohemi që standardet që kërkohen për anëtarësimin në BE të përmbushen. Qytetarët që kërkojnë veprim kundër korrupsionit, ose mbrojtje më të mirë mund ta ndihmojnë Shqipërinë duke e shtyrë atë përpara në rrugëtimin drejt BE-së. Kërkesat e tyre janë pasqyruar nga shumë në shtetet anëtare dhe në Parlamentin Europian. Dhe janë këto shqetësime që merren seriozisht dhe që angazhohen me ata që i kanë ngritur këto kërkesa dhe kjo gjë do e forcojë besueshmërinë e Shqipërisë brenda BE-së. Sot Shqipëria ka një mundësi historike. Që 2027 të jetë viti i Shqipërisë, do ju duhen 3 gjëra. Së pari, do të jetë e rëndësishme që ju të vazhdoni këtë rrugëtim reformash dhe të tregoni që legjislacioni funksionon në praktikë edhe në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe standardeve mjedisore. Së dyti do të jetë e rëndësishme për të fuqizuar pjesëmarrjen në procesin legjislativ. Dhe së treti dallimet politike do të duhet të trajtohen me anë të dialogut demokratik. Të gjitha rrymat e politikës shqiptare duhet të bëhen bashkë, sepse anëtarësimi në BE është projekt kombëtar. Mundësia e Shqipërisë për t’u bërë shtet anëtar në BE është një moment historik dhe Europa është e gatshme që ta kapë këtë moment bashkë me ju. Po zoti Balla, unë jam mike e shqiptarëve dhe si komisionere për zgjerimin vij nga Ballkani Perëndimor dhe do ta ndihmoj Shqipërinë. Mund të mbështeteni te ne, të Komisioni Europian dhe te mbështetja ime personale”, shtoi Kos.
Lajmi kryesor:
Këshilli Kombëtar i Integrimit, Marta Kos: 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë! Balla apel për konsensus për reformat: BE, destinacioni i përbashkët! Tabaku: Integrimi të mos përdoret si fasadë








