Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“PORCELAIN WAR” PËR UKRAINËN NË KINEMANË “DRITA” TË AQSHF-SË
Në përvjetorin e katërt të nisjes së agresionit të Ukrainës nga Rusia, në kinemanë “Drita” të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, sot në orën 18:00 do të shfaqet filmi “Porcelain War”. Fitues i Çmimit të Madh të Jurisë në Sundance Film Festival dhe i nominuar për “Academy Awards 2025”, ky dokumentar 90-minutësh ndjek tre artistë që qëndrojnë në Kharkiv, duke mbrojtur jetën dhe krijimtarinë përmes artit edhe në luftë.
2. “SUNRISE: A SONG OF TWO HUMANS”, MUZIKË E FILM TE ARTET
“Sunrise”, filmi pa zë i mrekullueshëm, shoqëruar me muzikë live nga mjeshtri i shoqërimit muzikor, Stephen Horne do të vijë në një shfaqje të veçantë në sallën “Çesk Zadeja” të Universitetit të Arteve. Kino-koncerti “Sunrise: A song of two humans” do të vijë mbrëmjen e nesërme në orën 19:00, duke përcjellë një përvojë të veçantë të filmit dhe muzikës.
3. 100-VJETORI I LINDJES SË DARIO FO, SHFAQJE NË TEATRIN E VLORËS
Në përkujtim të njëqindvjetorit të lindjes së Dario Fo dhe tetëqindvjetorit të vdekjes së San Francesco d’Assisi, Instituti Italian i Kulturës në prezanton monologun “Lu Santo Jullare Francesco” shkruar nga Dario Fo dhe Franca Rame, të interpretuar nga Mario Pirovano, nesër, në orën 19:00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.
4. “17 SHKURTI” ME PUNË TË PEDAGOGËVE TË PRISHTINËS E TIRANËS
Ekspozita “17 shkurti” vijon të qëndrojë e çelur te Galeria FAB në Tiranë. Në të ekspozohen punime të zgjedhura nga Stafi pedagogjik i Fakultetit të Arteve në Prishtinë dhe Fakulteti i Arteve të Bukura në Tiranë.
5. “BUBU, LOLO, KIKO”, SHFAQJA PËR FËMIJË NË TEATRIN E KORÇËS
“Bubu, Lolo, Kiko” është shfaqja për fëmijë, që do të vijë sot dhe nesër në orën 17:00 në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë.
6. EKSPOZITA FOTOGRAFIKE NË GALERINË E ARTEVE TË VLORËS
“Vlora” është ekspozita fotografike nga Altin Serani e çelur në Galerinë e Arteve në Vlorë. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt.
7. FILMI “COLD WAR” I PAWLIKOWSKI-T TE “BERK BOTIME” NË TIRANË
Sot në orën 19:30 te “Berk Botime” do të shfaqet filmi “Cold War” nga Paweł Pawlikowski.
Komente












