Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “PËRRALLË NGA E KALUARA” DHE “SHPELLA E PIRATËVE” NË HIMARË
Pedonalja e Himarës do të kthehet në një kinema të hapur, me dy prej filmave më të dashur të kinematografisë shqiptare. Mbrëmjen e sotme, më 25 gusht do të shfaqet “Përrallë nga e kaluara”, filmi kult i Dhimitër Anagnostit, ndërsa më 26 gusht publiku do të ketë mundësinë të ndjekë “Shpella e Piratëve”, filmin emblematik të bregdetit shqiptar, bazuar në romanin e Petro Markos.
2. “ÇUFO DHE BUBI KAÇURREL”, BISEDË ME FËMIJËT NGA “DUA LIBRIN”
Një pasdite plot imagjinatë, aventura dhe buzëqeshje do të jetë ajo e nesërmja te Piramida në orën 18:00, ku për të vegjëlit nga klubi i librit “Dua Librin-Vogëlushët” do të zbulohet bota e Çufos dhe Bubit Kaçurrel nga Gaqo Bushaka, të një nga librave më të dashur të letërsisë shqiptare për fëmijë.
3. “KUJTESA E QYTETIT”, EKSPOZITA QË PREZANTON POGRADECIN
Ekspozita “Kujtesa e qytetit”, një udhëtim artistik përmes identitetit, historisë dhe kujtesës së Pogradecit vijon të qëndrojë e çelur në Galerinë e Artit pranë Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”.
Në ekspozitën, që do të qëndrojë e çelur deri më 30 gusht prezantohen vepra të një grupi të gjerë artistësh, mes tyre Anastas Kostandini, Agron Polovina, Buron Kaceli, Edi Hila, Enxhel Gegprifti, Gjergji Lako, Henri Shkurti, Joan Mato, Kastriot Laraku, Kudret Durollari, Ledio Xhaferi, Petrit Laraku, Sadik Kasa, Todi Mato dhe Vangjo Vasili.
4. EKSPOZITA E ARTISTES ITALIANE NË GALERINË E BREGDETIT
“Nuk e di nëse mes malit dhe detit ka edhe një lumë” është ekspozita e artistes italiane Camilla Cardia, kuruar nga Blerta Hoçia, që vijon të qëndrojë e çelur në Galerinë e Bregdetit në Vlorë.
Duke marrë peizazhin mesdhetar si pikënisje dhe si një arkiv të gjallë, ekspozita ndjek një udhëtim përmes Shqipërisë, nga Vlora drejt maleve të Thethit.
Përmes një instalacioni video në dy kanale, një serie fotografike dhe vëllimesh skulpturore, artistja e trajton peizazhin jo thjesht si sfond, por si një hapësirë ku ndërthuren historia, shoqëria, politika dhe kujtesa.
5. “GJON MILI: RETROSPEKTIVË” NË MUZEUN E FOTOGRAFISË “MARUBI”
“Gjon Mili: Retrospektivë”, kuruar nga Hoëard Greenberg vijon të qëndrojë e çelur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.
Ekspozita prezanton një koleksion origjinal të veprës së Gjon Milit, një prej figurave më novatore të fotografisë së shekullit XX.
6. SAVJANA VJERDHA NË KONCERT NË ANËN E MALIT NË SHKODËR
Sonte, më 25 gusht, Ana e Malit në Shkodër do të mirëpresë koncertin e këngëtares Savjana Vjerdha, në një mbrëmje vere ku muzika, argëtimi dhe komuniteti bashkohen në një atmosferë festive.












Komente
Komento