Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.ORKESTRA SIMFONIKE E RTSH, KONCERT NË UNIVERSITETIN E ARTEVE

Orkestra Simfonike e RTSH ju fton në një mbrëmje madhështore muzikore me kryevepra të repertorit botëror mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në sallën e Universitetit të Arteve. Për të pranishmit do të interpretohen mes tw tjerash koncert për violinë në Re maxhor, Op. 61 – Ludwig van Beethoven dhe simfonia Nr. 9 “The Great” në Do maxhor - Franz Schubert. Solist i mbrëmjes do të jetë Elvin Hoxha Ganiyev (violinë) dhe dirigjent Gridi Kraja.

2. “HAMLET”, VEPRA E SHEKSPIRIT RIVJEN NË SKENËN E “METROPOL”

“Hamlet” një prej veprave më të njohura të Shekspirit rivjen në Teatrin Metropol mbrëmjen e sotme në orën 19:00. Me regji nga Jonida Beqo, interpretojnë: Amos Zaharia, Kosovare Krasniqi, Viktor Zhusti, Yllka Mujo, Sokol Angjeli, Armela Demaj etj.

3. “I HUAJI: NGA THELLËSIA E SË ARDHMES SIME” TE EKSPERIMENTALI

 "I huaji: nga thellësia e së ardhmes sime”, përshtatur dhe dramatizuar nga Jonathan Bertolai, bazuar në romanin “I huaji” të Albert Camus rivjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës, nga 15-18 janar në orën 20:00.

4. ‘24 ORË NGA JETA E NJË VOTUESI’, KOMEDIA PREMIERË NË TK

“24 orë nga jeta e një votuesi” është komedia satirë, që do të vijojë të shfaqet sot dhe nesër në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës. Me regjinë e Driada Dervishit dhe muzikën e Aulon Naçit, interpretojnë Arben Derhemi, Zamira Kita, Xhuliano Brisku dhe Ermir Haxhaj.

5. “GRUAJA E BURRIT TIM” RIVJEN NË SKENËN E TEATRIT “SKAMPA”

Komedia “Gruaja e burrit tim”, një produksion i teatrit shëtitës “Çajupi”, me regji nga Kiço Londo rikthehet në teatrin “Skampa” në Elbasan me dy shfaqje, më 16 dhe 17 janar në orën 18:00.

6. “VIJA: VAZHDIMI I PIKËS”, EKSPOZITA NGA ESHREF QAMILI NË FAB

“Vija: Vazhdimi i pikës” ekspozitë nga Eshref Qamili, vijon të qëndrojë e hapur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve. Me kuratorë Nita Qahili dhe Sadik Spahija, prezantohen vizatime të realizuara përgjatë 3 dekadash.

7.“ALTERAZIONI VIDEO”, VIJON EKSPOZITA NË MUZEUN “MARUBI”

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon të qëndrojë e hapur ekspozita “Olbania” nga kolektivi artistik ndërkombëtar “Alterazioni Video”, një nga zërat më të veçantë të artit bashkëkohor që ndërthur imazhin, arkitekturën, filmin dhe kërkimin kritik.

8. EKSPOZITA “XXXVI” E BLEDAR GRAMOS TE GALERIA “GOCAT”

Ekspozita “XXXVI” nga Bledar Gramo vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Gocat” te Piramida në Tiranë.

9. “RRUGËT”, EKSPOZITA NË QENDRËN COD PRANË KRYEMINISTRISË

“Rrugët” është ekspozita që vijon të qëndrojë e çelur në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë.

10. “PËSHPËRIMA NËN MARSHIMIN E PAMËSHIRSHËM” NGA BLERTA HOÇIA

“Pëshpërima nën Marshimin e Pamëshirshëm” është ekspozita e artistes Blerta Hoçia e kuruar nga Elian Stefa, që vijon të qëndrojë e çelur në “Bazament Art Space” në Tiranë.

11. “IMPRESIONE URBANE” NGA NJË GRUP ARKITEKTËSH NË DURRËS

Ekspozita “Impresione urbane” nga arkitektët Maksim Mitrojorgji,  Valentin Voshtina, Pirro Stefa dhe Olsi Plasa vijon të qëndrojë e çelur te galeria “Nikolet Vasia” në Durrës edhe gjatë këtyre ditëve të janarit.