Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“KËNGË DHE RITUALE – SUITË JAZZ”, KONCERT NË LICEUN ARTISTIK
Një udhëtim etno-jazz mbi tre histori të kujtesës shqiptare vjen sonte në orën 19.00 në Tiranë me koncertin “Këngë dhe rituale - Suitë Jazz”, me koncept dhe përpunime muzikore nga Andi Kongo. Në skenën e Liceut Artistik “Jordan Misja” ngjiten Ermal Rodi, Elona Islamaj, Iris Sula, Arbin Alimeri, Emiljan Dhimo dhe Andi Kongo. Narratorë të mbrëmjes do të jenë Eno Basha dhe Iris Sula.
2. EKSPOZITË FOTOGRAFIE, SHQIPËRIA NË SYTË E AUSTRO-HUNGAREZËVE
Ekspozita “Shqipëria në fokusin e austro-hungarezëve” do të çelet te Muzeu Arkeologjik në Durrës, nesër në orën 19:00. Përmes fotografive të rralla, dokumenteve e materialeve arkivore, ekspozita sjell një Shqipëri të një kohe tjetër: qytete historike, peizazhe mahnitëse, monumente kulture dhe jetën e përditshme të shqiptarëve në prag të krijimit të shtetit modern.
3. NATA E KOMPOZITORËVE TË RINJ TE HOLLI KONCERTOR I TKOB-IT
Një mbrëmje kushtuar krijimtarisë së re shqiptare, ku talenti dhe imagjinata e studentëve të Degës së Kompozicionit të Universitetit të Arteve marrin jetë në Hollin Koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në koncertin që do të mbahet nesër në orën 20:00.
Publiku do të ketë mundësinë të dëgjojë vepra origjinale të kompozuara nga studentët: Rei Kita, Fabio Jaupaj, Niko Boci, Justinian Kissi, Erind Bajo dhe Ditmir Mati. Një mbrëmje që sjell në skenë tingujt e freskët të muzikës shqiptare dhe vizionin artistik të brezit të ardhshëm të kompozitorëve.
4. “VOSKOPOJA FEST 2026” DHE DITA E SHËN PRODHOMIT NË JUGLINDJE
Voskopoja, një nga destinacionet më të dashura turistike, hap dyert për një festë që sjell bashkë jetën e zonës, prodhimet vendase, njerëzit e saj dhe muzikën e bukur. Panairi i produkteve lokale dhe koncertet do të shoqërojnë vizitorët sot dhe nesër.
5.SHFAQJA E KOMEDISË “FORCA E GRUPIT” TE TEATRI METROPOL
“Forca e Grupit” është komedia franceze që do të ngjitet në skenën e teatrit “Metropol” në Tiranë, nesër në orën 18:00. Vepra sillet rreth disa pacientëve me forma të Çrregullimit obsesiv-kompulsiv. Të bllokuar në sallën e pritjes së një klinike kur fluturimi i mjekut vonohet, ata zhvillojnë terapinë e tyre të improvizuar.
6. EKSPOZITA “ËNDRRA IME FLET” NGA BARDHYL BUKRI TE “AGIMI”
Ekspozita “Ëndrra ime flet” nga Bardhyl Bukri do të çelet nesër në orën 18:00 në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Kjo ekspozitë zhvillohet në kuadër të 24 qershorit, Ditës së Egjiptianëve të Shqipërisë dhe sjell ëndrrat, dëshirat dhe shpresat e fëmijëve të pakicës egjiptiane përmes portreteve e rrëfimeve të tyre.
7.“TCHAIKOVSKY & RAVEL”, KONCERT NË SKENËN E TEATRIT TË OPERËS
Romantizmi i Tchaikovsky-t, eleganca e Ravel-it dhe energjia plot ritëm e Milhaud-it bashkohen në një mbrëmje simfonike. Me solistet Laura Llozi në violinë dhe Rejsi Prosi në piano, Orkestra Simfonike nën dirigjimin e Beatrice Venezi do të vijë sonte në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Komente








