Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“BREZ PAS BREZI”, KONCERT NGA ANSAMBLI I KËNGËVE E VALLEVE
Koncerti “Brez pas brezi” nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të shfaqet mbrëmjen e nesërme në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
2. “FLAS SHQIP”, FESTIVALI I MONONDRAMËS NË EDICIONIN E DYTË
Festivali i Monodramës shqipe “Flas Shqip” vjen në edicionin e tij të dytë në teatrin “Zonja e Bujtinës”. Ai do të çelet nesër, më 15 maj, në orën 20:00 me shfaqjen “Dashuri virtuale” nga Erand Sojli.
3. DAFINA ZEQIRI, KONCERT “LIVE” NË SHESHIN “SKËNDERBEJ”
Dafina Zeqiri do të mbajë një koncert mbrëmjen e nesërme te sheshi “Skënderbej” në Tiranë. Koncerti që do të fillojë në orën 18:00 pritet të zgjasë rreth 120 minuta.
4. “MODERNE E TRADICIONALE”, MUZIKAL NË QYTETIN E KOLONJËS
“Moderne & Tradicionale” është muzikali, që do të shfaqet nga të rinjtë e qytetit në Kolonjë, mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 te palestra e qytetit.
5. “PLAGËT”, PREMIERË NË TEATRIN “ZIHNI SAKO” NË GJIROKASTËR
“Plagët” është shfaqja me regji nga Milto Kutali, që do të vijë premierë në teatrin “Zihni Zako” në Gjirokastër më 15, 16 e 17 maj në orën 19:00.
6. “DIONA E DHEUT”, EKSPOZITË QERAMIKE E PESË ARTISTEVE GRA
Ekspozita “Diona e Dheut” vijon të qëndrojë e hapur te Galeria e Artit Bashkëkohor të Tiranës. Në këtë ekspozitë të kuruar nga Suzana Varvarica, qeramika sjell prekjen femërore të guximshme të pesë artisteve: Mira Kuçuku, Llambrini Dëna Bojaxhiu, Laura Sllamniku Kryeziu, Blerta Surroi dhe Gresa Kurti
7. “LOST MUSHROOM”, FESTIVALI MUZIKOR TE LIQENI I TIRANËS
Disa artistë të muzikës bashkëkohore, si: Anastasiya, Millenial, Fanatek, Anna, Skrill etj. do të jenë pjesë e Festivalit “Lost mushroom”, që do të mbahet në zonën e Liqenit të Tiranës më 15 maj.
8. HAPJA E SEZONIT NË VAUN E DEJËS ME “OFFCHESTRA” E AKTIVITETE
Vau i Dejës hap sezonin turistik nesër, më 15 maj, në orën 16:00 në Qafën e Gurit, mes natyrës mahnitëse, aktiviteteve sportive, produkteve lokale dhe atmosferës plot energji, kjo është vetëm fillimi i një vere që pritet të jetë e paharrueshme. Të pranishmit mund të ndjekin “Offchestra” në skenë, të bëhen pjesë e garave me kajak dhe aktiviteteve të ndryshme, ndërsa nuk do të mungojnë as panairi me produkte vendase dhe një program për fëmijë.
9. “MODIGLIANI AVANT PREMIERE” NË GALERINË KALO NË TIRANË
Një ngjarje me rëndësi kushtuar Amedeo Modiglianit, figurë emblematike e artit të shekullit të 20-të do të vijë nga 15 deri më 30 maj në Galerinë Kalo në Tiranë.
Takimi hapet me një mbrëmje inaugurale ekskluzive të planifikuar sot, më 14 maj në orën 18:00.
10. “FANFARA & QUASI-MODU”, EKSPOZITA E ARTISTIT FATMIR JUKA
“Fanfara & Quasi-Modu” është ekspozita e artistit Fatmir Juka, që do të çelet në Galerinë e Tiranës sot, më 14 maj, në orën 19:00. Fanfara dhe Quasi-Modu janë dy cikle me potrete të ndryshme, por në thelb, ajo që i bashkëlidh është tendenca për të treguar "udhëtimin e kontrolluar" të subjektit njeri.
Komente











