Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“MISA A BUENOS AIRES” NGA VIKENA KAMENICA NË SKENËN E TKOB
“Misa a Buenos Aires”, vepra e jashtëzakonshme e Martín Palmerit vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit sonte dhe nesër në orën 20:00 si një bashkim unik i muzikës sakrale me ritmet pasionante të tangos argjentinase. Shfaqja është një produksion nën firmën regjisoriale dhe interpretimin e mezzosopranos së teatrit Vikena Kamenica, e cila së bashku me Trupën e Baletit sjell ritmet e tangos përmes koreografisë së Enada Hoxhës. Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën dirigjimin e Sergio Alapont, në bashkëpunim me Korin e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e Hajrullah Sylës.
2. “BEETHOVEN TIRANA”, KONCERT SIMFONIK NGA ORKESTRA E RTSH-SË
Sonte në orën 19:00, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse mund të ndiqni “Beethoven Tirana”, një mbrëmje simfonike nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Për të pranishmit do të vijë: Simfonia Nr. 6, Op. 60 “Pastorale” nga Ludëig van Beethoven, Koncert për violonçel në Do maxhor, Nr. 1 e Joseph Haydn. Solist është violonçelisti Igert Zeqiri ndërsa dirigjent Facundo Agudin.
3. “ITALIAN SCREENS-KINEMAJA E RE ITALIANE”, FILMA NË SHKODËR
“Italian Screens-Kinemaja e Re Italiane” vijon shfaqjet në Shqipëri. Sonte në kinema “Republika” në Shkodër do të shfaqet filmi “Le città di pianura” nga Francesco Sossai, ndërsa nesër do të shfaqet filmi “Breve storia d’amore” nga Ludovica Rampoldi.
4. KOMEDIA “SKANDALI”, PREMIERË NË TEATRIN “METROPOL” NË TIRANË
“Skandali” është shfaqja me regji nga Sonila Kapidani, që do të vijojë të shfaqet në teatrin “Metropol” sonte dhe nesër në orën 20:00. Komedia trajton marrëdhëniet e sotme, ku familja dhe lidhja burrë e grua janë në ndryshim.
5.“SI NE TË DY”, KOMEDIA E ZEZË, SHFAQJE NË TEATRIN KOMBËTAR
“Si ne të dy” është komedia e zezë me regji nga Violeta Trebicka, që do të vijojë të shfaqet edhe sonte dhe nesër në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës. Shfaqja ka në qendër një çift që përballet me shpërbërjen e martesës së tyre, interpretuar nga aktorët Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka.
Komente











