Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.PERFORMANCA MULTIDISIPLINARE, SHFAQJE NË SALLËN E LICEUT

Një nga projektet më të veçanta multidisiplinare që ndërthur artin pamor, performancën skenike dhe muzikën live në një rrëfim të pazakontë njerëzor, “Të shëmtuar, të deformuar, depresivë dhe të kompleksuar” do të vijë nesër në orën 19:00 në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Performanca vjen si një projekt artistik që zhvesh nga miti figurat e mëdha të artit evropian, për të zbuluar anën e tyre më të brishtë, më të ndjerë dhe më njerëzore. Përmes imazheve, interpretimit skenik dhe tingujve të violonçelit live, vepra fton publikun të reflektojë mbi pasiguritë, dhimbjet dhe kompleksitetin emocional që shpesh fshihet pas gjenialitetit artistik. Narracioni vjen nën interpretimin e Nea Tandinit, ndërsa violonçelisti Mario Guralumi sjell përmes interpretimit live një dimension të thellë emocional që shoqëron të gjithë performancën.

2. “NINULLAT E NATYRËS” SJELL KËNGË TË SHQIPËRISË SË MESME

“Ninullat e Natyrës” nga “Çel Ensemble” është koncerti, që vjen te Salla e Qendrës Kulturore, Katedralja Ortodokse në Tiranë, sonte në orën 19:00. Ky koncert-album përcjell për dëgjuesit disa prej këngëve të vjetra, më elegante dhe më romantike të Shqipërisë së Mesme, një ansambël live që ndërthur zemrën e folklorit me pulsime bashkëkohore.

3. “IDENTITETE NË TRANZICION”, EKSPOZITË NGA ERMAL MBRAKULLI

“Identitete në Tranzicion” është ekspozita nga piktori Ermal Mbrakulli, që qëndron e çelur në galerinë e arteve “Edward Lear” në Berat.

4. “FLAS SHQIP”, FESTIVALI I MONODRAMËS NË NATËN E DYTË

Festivali i Monodramës shqipe “Flas Shqip” vijon sonte në orën 20:00 në natën e dytë me shfaqjen “Gruaja me sitrarë” nga Anisa Markarian në teatrin “Zonja e Bujtinës” në Tiranë.