Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“LE TË FILLOJË GJUETIA”, EKSPOZITA E ALBES FUSHËS TE FAB

“Le të fillojë gjuetia” është ekspozita personale me fotografi dhe instalacione nga Albes Fusha, që do të çelet sonte në orën 19:00 në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

2. “RETRO INTERNATIONAL FILM FESTIVAL” ME ARTISTËT E VITEVE ’90

“Retro International Film Festival” vijon të mbahet në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë. Festivali synon të sjellë magjinë e së kaluarës me imazhe e momente të viteve të shkuara. Sonte, në natën e dytë rikthehet eleganca e viteve ’90 me stilisten Anila Zajmi Katanolli dhe sfilatat e para, si dhe pamje ekskluzive nga prapaskenat e aktorëve të Teatrit Kombëtar, dokumentuar nga Genc Resuli.

3. TEATRI I TË RINJVE NË SHKODËR, NË SKENË GRUPE NGA 8 SHKOLLA

“Teatri i të rinjve 2026” çelet këtë të hënë në teatrin “Migjeni” në Shkodër, duke sjellë në skenë interpretime nga të rinj të tetë shkollave të mesme të qytetit. Festivali do të vijojë deri më 9 mars.

4. TAKIM NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË SHKRIMTARËVE TE “LEXIMTARI”

Nesër në orën 18:30, në mjediset e librarisë “Leximtari” në Tiranë do të mbahet një takim për Ditën Ndërkombëtare të Shkrimtarëve organizuar nga Forumi 26. Me këtë rast, inaugurohet edhe një kënd i posaçëm për autorët që do të presin lexuesit, do të ndajnë biseda mbi krijimtarinë dhe do të japin autografe. Kjo nismë synon të forcojë dhe institucionalizojë bashkëpunimin mes autorëve dhe librarive.

5. “RENDI I RI”, SHFAQJA TEATRORE TE “MARGARITA TUTULANI”

 “Rendi i ri” është shfaqja teatrore që do të vijë në qendrën kulturore “Margarita Tutulani” në Berat, nesër në orën 18:30.