Shqiptarja Jeta Gani, banore në Izrael, ka folur në një lidhje live për emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report TV, lidhur me situatën në vend pas sulmeve me raketa të Iranit.

Gani tha se në dy ditët e para të luftimeve, sulmet kanë qenë të shumta. Në zonën ku ajo banon ka thënë se ka pasur 18 deri në 20 sulme në ditë, shifër kjo që sipas Ganit ka rënë ndjeshëm gjatë ditës së sotme.

Në rënien e sulmeve iraniane sot (5-6 të tilla) sipas Ganit mund të kenë ndikuar kundërsulmet e Izraelit dhe SHBA-së drejt Iranit, të cilat raportohet të kenë qenë më të shtuara ditën e sotme.

Gani tha gjithashtu se kjo është lufta më e vështirë ndër vite, me të cilën po përballet vendi në të cilin ajo jeton.

“E vërteta është që edhe sot kemi pasur sulme, por dua të theksoj se sulmet sot kanë qenë më të pakta sesa ditët e mëparshme, të cilat ishin pa ndërprerje gjithë kohës. Sot kemi pasur 5-6 sulme, në krahasim me 18-20 që kanë qenë në 2 ditët e mëparshme. Ndoshta edhe si rezultat sepse sot Izraeli dhe Amerika kanë bërë një kundërsulm të zgjeruar në Iran gjatë pasdites. Edhe kjo ndoshta ka ndikuar që të mos i jetë dhënë mundësia Iranit që të na sulmojë pa ndërprerje. Por udhëzimet janë që të ruhemi, që të qëndrojmë në strehimore. Natyrisht që në Izrael vazhdon ajo gjendje e luftës, gjendje e vështirë në krahasim me të gjitha luftërat”, tha mes të tjerash Gani.

Ndryshimi i luftës aktuale me atë 12 ditore të disa muajve më parë, sipas Ganit qëndron në intensitetin e sulmeve Iraniane. Ajo tha se këtë herë sulmet e Iranit janë të shtrira në të gjithë vendin, ndryshe nga lufta 12 ditore që ishin të përqëndruara vetëm në zona të caktuara.

Kur raketat iraniane niseshin, Gani deklaroi se merrnin njoftim nga autoritetet izraelite që të futeshin në strehimore, me qëllim që të ruheshin.

“Intensiteti në këtë luftë ndryshon nga ajo e luftës 12 ditore, sepse në këtë luftë sulmet e Iranit janë në të gjithë Izraelin. Nëse në luftën 12 ditore sulmi ishte ose në Lindje, ose në Jug, sipas zonave të caktuara, ndryshimi më i madh që është në këtë luftë është se neve na jepet të gjithëve sinjali, s’ka rëndësi nga zonat ku ndodhemi, të gjithë marrim sinjalin që fillon sulmi nga Irani. Të gjithë duhet të strehohemi në dhomat e strehimit përsa kohë që raketat mbërrijnë në Izrael. Në momentin që raketat arrijnë në Izrael, marrim një njoftim dhe kur mbaron sulmi marrim njoftim për të dalë nga dhomat e strehimit. Shkollat janë mbyllur. Çdo gjë është e mbyllur, veç spitaleve dhe supermarketeve. Kjo është luftë krejt ndryshe nga 12 ditorja. Sulmet dhe raketat janë po të njëjtat, por sot mund të them se ka njëfarë rënie nga sulmet e Iranit, çka tregon ndoshta edhe dobësinë e Iranit. Nga mediat thuhet se ka një rrëmujë në qeverisjen e vendit. Qëllimi është të kthehet një Iran demokrat me qasje perëndimore”, shtoi Gani.

Lidhur me pretendimet e Iranit se sot ishin sulmuar zyrat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Gani tha se ishte një lajm i pavërtetë.

“Absolutisht nuk ka pasur sulme në zyrën e Netanyahut. Mesa shikojmë mediat nuk ka një sulm të tillë. Në jug të Izraelit janë plagosur 29 persona dhe falë zotit nuk kemi pasur të vrarë. Kjo tregon sigurinë që Izraeli ka për popullin e vet. Unë kam 35 vite dhe kam kaluar shumë luftëra këtu, siguria është shumë e rëndësishme për ne”, vijoi më tej Gani.

Shqiptarja Jeta Gani shtoi se kjo luftë ishte e pritshme, pasi sipas saj populli izraelit po jetonte prej disa muajsh nën ankth nga sulmet e mundshme.

Ajo vijoi më tej duke thënë se lufta kundër Iranit ka mbështetjen e shumicës së popullit izraelit, por edhe të opozitës në vend. Sipas shqiptares, ish-lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ndërroi jetë pas sulmeve izraelite dhe amerikane, ishte armiku kryesor i Izraelit.

“‘Klithma e Luanit’ është vërtetë një klithmë luani, të cilën populli i Izraelit ka kohë që e pret. Dihet që të gjitha luftërat që janë bërë në Izrael, më shumë kanë qenë Hezbollahu dhe Hamasi, por brryli ka qenë Irani. Populli e priste këtë luftë sepse kemi 2 muaj që po jetojmë me një ankth shumë të madh. Sepse të rrish të presësh që do sulmojë sot apo nesër, ne e prisnim këtë luftëm nuk është diçka e re. Por mund të them edhe ajo koha e pritjes ishte shumë e vështirë. Mund të them që edhe opozita në Izrael e mbështet këtë luftë dhe e quan si suksesin më të madh. Khamenei ishte një armik që donte zhdukjen e Izraelit, ishte armiku më i betuar i Izraelit”, përfundoi Gani.

Kujtojmë se prej disa ditësh SHBA-të dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë që po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha me Iranin, pas sulmeve që çuan në vrasjen e Ali Khameneit dhe të disa politikanëve të tjerë në Teheran.