Dokumentari “Ancient Futures: Learning from Ladakh” shfaqet këtë të diel më 12 janar në Qendrën “Dua” në Tiranë. Ky dokumentar bazohet në një punë kërkimore të Helena Norberg-Hodge e cila ka dokumentuar historinë e ndikimit të industrializimit në mjedisin, kulturën dhe jetën sociale të disa prej komuniteteve tradicionalisht të izoluara në Ladakh.
Teatri për fëmijë “Roza dhe Fati” shfaqet këtë fundjavë në orën 10:30 te “Teatri i Kukullave” në Tiranë. Shfaqja sjell për fëmijët legjendën e Rozafës, një nga perlat e folklorit tonë.
Shfaqja “Turjela” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar më 11,12,18,19 janar në orën 20:00.
“Inside my home” nga Fatmir Boshnjaku titullohet ekspozita që vijon të jetë e hapur në “Parking Art Gallery” në Tiranë. Kjo ekspozitë eksploron ndjenjën e shtëpisë si identitet dhe kujtimet e pakicave kombëtare në Shqipëri.
Vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “Guri Madhi” në Korçë ekspozita e mjeshtrit të artit figurative, Roland Karanxha. Ekspozita do të qëndrojë e çelur deri më 30 janar.
“Janari në festën e filmit Shqiptar” është aktiviteti që po vijon të mbahet në Gjirokastër. Ky festival sjell për publikun filma shqiptarë, të cilët do të shfaqen edhe në Pragë dhe në Maqedoninë e Veriut.