1.NDEZJA E DRITAVE TE SHESHI “SKËNDERBEJ”, KËNGË DHE FESTË

Ndezja e dritave të pemës së madhe të festave të fundvitit në sheshin Skënderbej në Tiranë, do të shoqërohet nga zërat e qindra fëmijëve dhe të rinjve nga kori i shkollave të Tiranës, artistët e vegjël dhe grupet e baletit. Sot në orën 18:00, ata do të sjellin me zërat e tyre nga klasikët e Krishtlindjeve deri te këngët më të dashura të festave.

2. “FESTON KORÇA”, ÇELET SEZONI ME KONCERTIN E ZËRAVE TË RINJ

Koncerte, performanca dhe surpriza do të gjeni çdo ditë në qytetin e Korçës, duke filluar nga mbrëmja e sotme deri më 30 dhjetor. Për të pranishmit do të vijë koncerti “Zërat e brezit të ri”, me të rinj, të cilët do të interpretojnë ‘live’.

3. KONCERT NGA PONI DHE XHUSTINO HASANI NË QYTETIN E BERATIT

Emocion, ritme popullore dhe atmosferë do të sjellë sot në sheshin “Teodor Muzaka” në Berat, Poni dhe Xhustino Hasani, në koncertin që do të mbahet në orën 20:00.

4. “24 HAPA MË AFËR”, EKSPOZITË KOLEKTIVE TE QENDRA “AGIMI”

“24 Hapa më Afër” / “24 Steps Closer”, një ekspozitë kolektive, e cila shfaq talentin dinamik të artistëve të rinj do të çelet sot në orën 18:00 te qendra e artit “Agimi” në Tiranë.

5. MBRËMJA E MIRËSISË 2/ NESËR “THE ORANGE NIGHT” NË PESHKOPI

Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave, fondacioni “Bijat” organizon sot në orën 18:00, edicionin e dytë të Mbrëmjes së Mirësisë – The Orange Night në Peshkopi, një gala bamirësie që bashkon artin, solidaritetin dhe frymëzimin.

6. “HAMLET”/ PJESA SHEKSPIRIANE, PREMIERË TE TEATRI “METROPOL”

 “Hamlet” është shfaqja me regji nga Jonida Beqo, që do të vijojë të shfaqet sonte dhe nesër në orën 19:00 në teatrin “Metropol”.

7. “DET I THELLË BLU”/ VIJOJNË SHFAQJET NË TEATRIN KOMBËTAR

“Det i thellë blu” me autor Terence Rattigan dhe regji nga Rovena Lule do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës edhe sonte dhe nesër në orën 20:00.

8. “ALADINI”, SHFAQJA PËR FËMIJË NË TEATRIN E KUKULLAVE

Teatri për fëmijë “Aladini” do të shfaqet te “Teatri i Kukullave” në Tiranë në oraret 10:30 dhe 11:30.