Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.KONCERT GALA/ “TRE TENORËT SPANJOLLË” NË SKENËN E TKOB-IT
“Tre tenorët spanjollë” është koncerti gala që do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e nesërme në orën 19:00. Për të pranishmit do të interpretojnë tenorët: Ignacio Encinas, Oscar Encinas dhe Albert Deprius, ndërsa të ftuar janë edhe artistë shqiptarë, Ramona Tullumani, Denis Skura e Ekland Hasa, të cilët do të interpretojnë të shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura nën dirigjimin e Leonardo Quadrini.
2. “PRANVERART” VJEN NË EDICIONIN E 16-TË NË GALERINË E TIRANËS
Ekspozita “PranverArt” vjen në edicionin e 16-të te “Galeria e Artit Tiranë”. Ajo çelet sonte në orën 18:00, duke bërë bashkë një numër të madh artistësh të cilët prezantohen me teknika dhe mediume të ndryshme të artit pamor, duke nisur që nga piktura, skulptura apo qeramika.
3. MASTERCLASS VOKAL ME DIRIGJENTIN ANDREA SOLINAS NË TKOB
Më 20 e 21 prill në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit organizohet një masterclass vokal për artistët e rinj me pjesëmarrjen e dirigjentit të njohur italian, Andrea Solinas. Ky masterclass synon zhvillimin profesional të këngëtarëve të rinj lirikë, duke ofruar një mundësi të veçantë për të punuar drejtpërdrejt me një artist të nivelit ndërkombëtar.
4. FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I FILMIT TË STUDENTËVE NË TIRANË
Në Universitetin e Arteve në Tiranë organizohet për herë të parë Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Studentëve në Tiranë (International Student Film Festival in Tirana). Festivali do të çelet mbrëmjen e nesërme në orën 19:00.
5. “MAMMA MIA”, MUSICALI I NJOHUR, SHFAQJE NGA STUDENTËT
Një ndër shfaqjet më të bukura dhe më të dashura të repertorit modern, musicali “Mamma Mia” vjen më 20 dhe 22 prill në orën 20.00 në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë. Një produksion i studentëve të Fakultetit të Muzikës, nën Drejtimin Artistik të artistes dhe pedagoges Manjola Nallbani, në bashkëpunim me Fakultetin e Artit Skenik, me regji të regjisorit Redjan Mulla, koreografi të Kozeta Bakiu e Elona Nallbani, skenografi te Taulant Pustina dhe shoqëruar nga Big Band i OSFA me dirigjent Fabiol Aliaj, ne piano Tedi Drazhi dhe Drejtues i Ansamblit vokal dirigjent Bujar Alliu.
5. “RROK ZOJZI: EKSPEDITA ETNOGRAFIKE”, EKSPOZITË TE “MARUBI”
Ekspozita “Rrok Zojzi: Ekspedita Etnografike” vijon të qëndrojë e çelur te Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Kuruar nga Nebi Bardhoshi ekspozita paraqet për herë të parë një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit, themelues i etnografisë institucionale shqiptare dhe pionier në përdorimin e fotografisë si instrument kërkimor.
Komente











