Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “PRANVERA NDËRSHQIPTARE NË ART”, EKSPOZITË NË KORÇË

70 piktorë nga trevat shqiptare bashkohen në një ekspozitë arti në Galerinë e Bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë nga 10-15 mars.

2. “WOMEN RISING ACROSS DIVIDES” TE COD NË KRYEMINISTRI

Një organizim në kuadër të aktiviteteve të 8 Marsit, Qendra për Hapje dhe Dialog në Kryeministri (COD)  organizon nesër në orën 11:00 takimin “Women Rising Across Divides”, një aktivitet dedikuar rolit dhe ndikimit të grave në ndërtimin e paqes, dialogut dhe bashkëpunimit në shoqëri.

3.“ZËRI I TIRONËS” PËR TRASHËGIMINË MUZIKORE TIRANASE

“Zëri i Tironës” është aktiviteti që synon të promovojë trashëgiminë muzikore tiranase e që do të vijojë të mbahet deri në 12 mars në shkollën “Metronome” në rrugën “Siri Kodra”. Gjatë këtyre ditëve do të ketë bashkëbisedime me artistë që kanë interpretuar dhe përcjellë repertorin e muzikës qytetare tiranase.

4. “L’ELISIR D’AMORE”, OPERA E DONIZETTI-T UDHËTON NË VLORË

“L’Elisir d’amore”, opera e njohur e Gaetano Donizetti-t, pas suksesit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës udhëton drejt qytetit të Vlorës. Ajo do të shfaqet më 10 mars në orën 19:00.

5. DITA E VERËS ELBASAN, NJË JAVË FESTIME ME MUZIKË E TRADITË

Elbasani po shtron sofrën e festës së Ditës së Verës, ku tradita, gëzimi dhe atmosfera ndihen në çdo rrugë e në çdo shesh deri në 15 mars me muzikë, shije, panaire, karnavale, koncerte dhe një atmosferë të jashtëzakonshme.

6. “HIRI”, EKSPOZITA NGA ENEA ZIU NË GALERINË E TIRANËS

“Hiri” është ekspozita nga Enea Ziu, që do të çelet te Galeria e Artit Tiranë nesër në orën 18:00. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 29 mars.

7. TEATRI PËR FËMIJË “DRITËZA” NË SKENËN E EKSPERIMENTALIT

“Dritëza” është shfaqja për fëmijë nga Endri Çela, që do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës në Tiranë më 11 mars në orën 10:30, për të vijuar deri më 15 mars.