Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“ZORBA-THE GREEK”, MUZIKA E THEODORAKIS NË SKENËN E TKOB
“Zorba -The Greek”, një koncert me muzikën e kompozitorit të njohur grek Mikis Theodorakis, vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e nesërme në orën 20:00.
I konceptuar si një udhëtim përmes cikleve më të njohura të krijimtarisë së Theodorakis, koncerti sjell pjesë nga ciklet “Axion Esti”, “Epitafios”, “Epifania”, “Ta Lyrika” dhe vepra të tjera, të mbështetura mbi poezinë e poetëve të mëdhenj grekë si Odysseas Elytis, Yannis Ritsos, Tasos Livaditis e të tjerë.
Shfaqja vjen nën interpretimin e baritonit solist Artur Vera dhe pianistes Etrita Ibrahimi, me praninë e veçantë të instrumentit simbol të muzikës greke, buzukut, interpretuar nga Panagiotis Lympanovnos, si dhe me interpretimin e poezive nga aktori Xhuliano Brisku.
2.“KOHË TË ÇRREGULLTA”, KONCERT RECITAL NGA EKLAND HASA
“Kohë të çrregullta”, koncert recital nga Ekland Hasa do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e sotme në orën 20:00. Artisti do të interpretojë një program që ndërthur klasiken me modernen, me vepra nga Bach, Berio, Fazıl Say, Stravinsky, Khachaturian, Kapustin e të tjerë, në një dialog të gjallë mes traditës dhe bashkëkohores. Ai do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së nën dirigjimin e Suzana Turkut.
3.“RROK ZOJZI: EKSPEDITA ETNOGRAFIKE”, EKSPOZITË TE “MARUBI”
“Rrok Zojzi: Ekspedita Etnografike” është ekspozita e kuruar nga Nebi Bardhoshi, që vijon të qëndrojë e çelur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Ekspozita paraqet për herë të parë një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit (1910–1995), themelues i etnografisë institucionale shqiptare dhe pionier në përdorimin e fotografisë si instrument kërkimor.
4.DY EKSPOZITA TË ARTISTEVE TË REJA NË GALERINË E TIRANËS
“Çfarë vjen përpara elegancës” nga Ema Bregu dhe “Karakteri i nënvetëdijes” nga Elisa Koçeku, janë ekspozitat, që vijojnë të qëndrojnë të hapura te Galeria e Artit Tiranë. Këto dy ekspozita vijnë si një dialog midis dy artisteve të reja dhe njëkohësisht dy praktikave artistike që operojnë në kufijtë e së dukshmes dhe së padukshmes, duke eksploruar identitetin si një proces të vazhdueshëm transformimi
Komente











