Prokurori i Posaçëm Jack Smith ngriti një aktpadi të re të martën kundër ish-Presidentit Donald Trump, lidhur me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Aktpadia përmban të njëjtat akuza penale, por të modifikuara, për t’iu përshtatur opinionit të Gjykatës së Lartë, që i jep imunitet të gjerë ish-presidentëve për veprimet e tyre gjatë ushtrimit të detyrës. Gjykata prej 9 anëtarësh mori vendim me 6 vota pro dhe 3 kundër.
Në aktpadinë e re është hequr pjesa e akuzës, sipas së cilës zoti Trump u përpoq të përdorte Departamentin e Drejtësisë për të përmbysur rezultatin, një fushë veprimi, për të cilën Gjykata e Lartë, në opinionin e saj të muajit të kaluar, shprehet se zoti Trump është absolutisht imun nga ndjekja penale.
Çështja penale, e zhveshur nga disa prej pretendimeve të mëparshme, përfaqëson një përpjekje të parë të prokurorëve për të respektuar opinionin e Gjykatës së Lartë, që ka të ngjarë të rezultojë në një rishikim të konsiderueshëm të akuzave kundër zotit Trump, lidhur me përpjekjet e tij për të bllokuar transferimin paqësor të pushtetit.
Aktakuza e re u paraqit tre ditë përpara skadimit të afatit të vendosur nga gjykatësja e çështjes Tanya Chutkan.
Palët do të rikthehen në gjykatë për një seancë dëgjimore javën e ardhshme. Kjo do të shënojë rifillimin e çështjes që ishte pezulluar që nga dhjetori, në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë për imunitetin e presidentit.
Në në platformën e tij sociale "Truth Social", zoti Trump e quajti aktpadinë e re "një shenjë dëshpërimi" dhe "një përpjekje për të ringjallur një gjueti të vdekur shtrigash”, siç u shpreh ai.
Ish-presidenti shtoi se padia e re përmban "të gjitha problemet e aktakuzës së vjetër dhe duhet hedhur poshtë menjëherë".
Zyra e prokurorit të posaçëm tha se aktakuza e përditësuar "pasqyron përpjekjet e qeverisë për të respektuar dhe zbatuar kërkesat e Gjykatës së Lartë”.
Thelbi i rishikimit të aktpadisë qëndron tek marrëdhëniet e zotit Trump me Departamentin e Drejtësisë.
Në aktpadinë origjinale, përfshihej akuza se zoti Trump ishte përpjekur të angazhonte Departamentin e Drejtësisë në përpjekjen e tij të dështuar për të ppërmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Përpjekjet përfshinin kryerjen e hetimeve të rreme dhe dhënien e informacioneve të rreme për zyrtarët e shteteve – sipas të cilave, ishin zbuluar manipulime të mëdha në zgjedhje.
Në aktpadi jepeshin hollësi se si Jeffrey Clark, një zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë, donte t'u dërgonte një letër zyrtarëve të shteteve të caktuara, duke pretenduar në mënyrë të rreme se departamenti kishte "zbuluar probleme thelbësore, që mund të kishin ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve".
Ai u kishte kërkuar gjithashtu disa zyrtarëve kryesorë të këtij departamenti ta nënshkruanin letrën, por ata kishin refuzuar.
Mbështetja që zoti Clark i bëri pretendimeve të zotit Trump për manipulime në zgjedhje, e bëri këtë të fundit të shqyrtonte seriozisht mundësinë për ta emëruar atë si prokuror të përgjithshëm në detyrë, në vend të Jeffrey Rosen, i cili drejtonte departamentin në javët e fundit të presidencës së zotit Trump. Por në fund zoti Trump hoqi dorë nga një ide e tillë "kur iu bë e ditur se nëse e bënte emërimin, në Departamentin e Drejtësisë do të kishte dorëheqje në masë", thuhet në aktakuzën origjinale.
Zoti Rosen qëndroi në detyrë e Prokurorit të Përgjithshëm deri në fund të mandatit të zotit Trump.
Në padinë e re, zoti Clark nuk akuzohet më si bashkëpunëtor.
Në opinionin e saj, Gjykata e Lartë shprehet se komunikimet e një presidenti me Departamentin e Drejtësisë, përbëjnë akte zyrtare për të cilat ai gëzon imunitet, duke e rrëzuar praktikisht këtë pjesë të akt-akuzave nga padia.
"Siç e kemi shpjeguar, kompetencat që ka Presidenti për të shkarkuar zyrtarë ekzekutivë që ai i ka emëruar, nuk mund të jenë objekt rregullimi ligjor nga Kongresi, ose objekt shqyrtimi nga gjykatat", shprehej Kryetari i Gjykatës së Lartë John Roberts, në opinionin e gjykatës.
Gjykata e Lartë ia lë detyrë gjykatës së çështjes të përcaktojë se çfarë përbën akt zyrtar, që mbrohet nga ndjekja penale dhe çfarë jo.
Aktpadia e re vazhdon ta përfshijë akuzën më të fortë të ngritur nga prokurori Smith - se zoti Trump mori pjesë në një skemë të orkestruar nga aleatët e tij, për të vendosur elektorë të rremë në disa shtete, që ishin fituar nga demokrati Joe Biden, me synimin për të shpallur zotin Trump fitues.
Po kështu ajo përmban akuzën se zoti Trump u përpoq t'i bënte presion Nënpresidentit Mike Pence për të refuzuar votat e Kolegjit Elektoral dhe se zoti Trump dhe aleatët e tij, shfrytëzuan kaosin në Kapitol më 6 janar, në një përpjekje për të vonuar edhe më tej çertifikimin e fitores së zotit Biden.
Zoti Roberts shkruante në opinionin e vendimit të gjykatës se komunikimet mes zotit Trump dhe zotit Pence ishin veprime zyrtare për të cilat "Trumpi është me gjasë imun nga ndjekja penale".
Por, shton më tej gjykatësi Roberts, pyetja që shtrohet është, nëse qeveria arrin të provojë se "prezumimi i imunitetit" në këtë rast nuk qëndron./ VOA