Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 18.3 kg çokokrem lajthie me bakterin Salmonella spp, ndërsa 8.7 kg të tjera rezultojnë të jenë shitur tek konsumatorët.

Produkti i rrezikshëm është “Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème”, me origjinë nga Gjermania, për të cilin alarmi është dhënë përmes Sistemit Evropian RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed), duke e klasifikuar si risk serioz për shëndetin e njeriut.

Sipas AKU, produkti është prodhuar nga “Bartels-Langness Handelsgesellschaft mbH & Co” dhe është importuar në Shqipëri nga “Lengo Group”. Bëhet fjalë për dy lote specifike: L1251838 me afat skadence 18.09.2026 dhe L1252635 me afat skadence 26.08.2026. Ky produkt tregtohet te rrjeti i supermarketeve "Baronesha Premium Food".

Në total janë importuar 27 kg produkt, nga të cilat pjesa më e madhe është bllokuar dhe do të asgjësohet, ndërsa një pjesë ka dalë në treg.

AKU bën me dije se subjekti tregtues ka njoftuar klientët në ambientet e tij dhe u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që mund ta kenë blerë këtë produkt, ta kthejnë menjëherë në pikat e shitjes përkatëse, për të shmangur çdo rrezik për shëndetin.

Administrator i shoqërisë “Lengo Group” rezulton Vionel Meta ndërsa pjesë e ortakëve është dhe Grigor Lengo zotërues i 15% të aksioneve. Ky i fundit është dhe administrator i KMY-së dhe zotërues i 76% të aksioneve. 

Në mars të këtij viti, AKU bllokoi aktivitetin e një baxho të KMY-së si dhe 28.7 kilogramë djathë i bardhë dhie pasi u konstatua prani të mykut, ndryshkut dhe lagështisë në ambientin e përpunimit. Gjithashtu u bllokua dhe 738 kilogramë mish pule pasi u vërejt se shkrirja e produkteve kryhej në kundërshtim me normat teknike si dhe biznesi u gjobit me 300.000 lekë gjobë.