Kur kanë kaluar 8 ditë nga lirimi i administratorit të njësisë së Kaçinarit Petro Doda ose Petrit Bardhi, prokuroria e Lezhës ka vendosur ta apelojë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, dukë këmbëngulur për qëndrimin e tij në burg.
 
Prokuroria nuk pajtohet me argumentat e gjykatës, e cila ka marrë në konsideratë disa kartela mjekësore dhe epikriza mjekësore të paraqitura nga avokati i administratorit të Kaçinarit, Saimir Vishaj.
 
Petro Doda, qëndronte i shtruar në infermierinë e burgut të Shën Kollit në Lezhë, por pas lirimit nga qelia, nuk dihet nëse ka vijuar mjekimin në ambjentet e shtëpisë.
 
Pavarësisht kësaj, prokuroria apelon vendimin e shkallës së parë, duke e quajtur atë si jo të bazuar në ligj dhe kërkon nga apeli i Shkodrës, caktimin e masës së “arrestit në burg”.
 
Prokuroria argumenton se Doda nuk hetohet vetëm për drogën, por edhe për armëmbajtje pa lejë, pasi në banesë i është sekuestruar pistoletë.
 
Lirimi i tij nga qelia solli dhe reagime politike, nga Partia Demokratike. Gazeta “Shqiptarja.com”, sjell të plotë vendimin e lirimit të tij nga burgu dhe apelimin e vendimit nga prokurori i Lezhës Sabri Kastrati.
 
Petro Doda me emrin e ndryshuar “Petrit Bardhi” ishte emëruar kryetar i qëndrës administrative në Kaçinar.
 
Fillimisht ai u shpallu në kërkim nga policia bashkë me vëllain e tij, pasi akuzohen se kanë kultivuar mbi 400 kilogramë lëndë narkotike kanabis në fshatin Simon ku kanë jetuar vite më parë, me qëllim trafikimin drejt Greqisë.
 
Sipas policisë, 424 kilogramët e kanabisit u gjetën të tharë në një banesë në këtë fshat në përgatitje për ambalazhim që të tregtohej nga dy vëllezërit Petrit dhe Florian Bardhi.
 
Ky i fundit dyshohet se do të merrte përsipër trafikimin e drogës nga Saranda në Greqi.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)