Akuza: Dëshmia e Vladit ka
harmoni dhe me provat e tjera

Akuza: Dëshmia e Vladit ka<br />harmoni dhe me provat e tjera
TIRANE- Një sërë provash që orientojnë prokurorinë e krimeve të rënda se autor i vrasjes së Dritan Lamaj është biznesmeni Arben Frroku, janë duke u analizuar për të disatën herë, në mënyrë që brenda kësaj jave prokuroria të dorëzojë në Apel kërkesën e saj për dënimin me burg përjetë të biznesmenit Frroku.

Burime pranë prokurorisë thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se dëshmitari Vladi është i sinqertë në dëshminë e tij, kjo pasi ajo përputhet dhe me një sërë provash të tjera, të cilat tregojnë harmoni me njëra-tjetrën. “…fakti që dëshmitari ka arritur të identifikojë të pandehurin Frroku brenda në makinën nga u qëllua drejt ish-kryekomisarit, shikim ky që ka ndodhur jashtë rrezes së tre kamerave që janë sekuestruar në zonë, nuk mund të aludohet se ai gënjen apo se ai nuk ka qënë në vendin e ngjarjes…”-thanë burimet pranë prokurorisë.

Më tej, ato shtuan se gjykata cilëson si vendgjarje, në vendimin e saj vetëm teritorin që ka qënë nën filmimin standart të kamerave, ndërkohë që vetëm 2 apo tre metra më larg rrezes së filmimit, dëshmitari Fatmir Vladi ka arritur të shikojë BMË-në që ikën me shpejtësi, Arben Frrokun që ndodhej në timonin e makinës dhe më pas ka identifikuar targat e makinës, që kanë qënë “DR 1944 F”.

Telefoni i Frrokut
Një tjetër fakt ku u mbështet Gjykata e Krimeve të Rënda për dhënien e pafajësisë së biznesmenit Arben Frroku, ka qënë dhe prania e telefonit të tij në zonën e Saukut dhe jo afër vendit të krimit ku u ekzekutua me dhjetëra plumba Dritan Lamaj. Lidhur me këtë provë, gjykata shtoi në vendimin e saj se bara e provës i takon prokurorisë për të provuar të kundërtën, por nga ana e organit të akuzës sipas gjykatës nuk u arrit të paraqitej asnjë provë tjetër shtesë lidhur me këtë fakt.

Nga ana tjetër prokurorët shprehen se Arben Frroku ka lënë telefonat në makinën e nipit të tij Jakut, i cili e priste në Sauk, ndërkohë që vetë në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë ka marrë të gjitha masat, duke pritur poshtë pallatit në dalje nga apartamentit të ish-shefit të komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj.

Vonesa me gruan
Në kërkesën e apelimit që pritet të kryhet brënda kësaj jave, prokuroria do qartësojë dhe vonesën katër minutëshe të Fatmir Vladit, për tu shfaqur në rrezen e kamerave që janë sekuestruar në zonë. Mësohet se si pasojë e krismave të shumta të dëgjuara në zonë është krijuar panik dhe se të gjithë vraponin në drejtime të ndryshme. Gruaja e Vladit, Luiza nga kjo situatë nuk është ndier mirë dhe nuk ishte në gjëndje të qëndronte në këmbë. Për pasojë dëshmitari Vladi shton se ka qetësuar disi gruan, dhe e ka çuar afër kabinës elektrike duke e lënë mënjanë afër saj. Kjo ka zgjatur disa minuta.

Shkuarja në vendgjarje
Pasi ka lënë gruan, Vladi ka ecur drejt vendgjarjes, ku për herë të parë shfaqet në filmimet e supermarketit të korçarit, dhe pas 4 minutash ai shfaqet në kameran e lokalit, që ndodhej përballë me makinën ku u vra Dritan Lamaj.Dalja e tij në kamera 4 minuta me vonesë, ka shtyrë gjykatën të japë pafajësi për të pandehurin Arben Frroku,për të cilin prokuroria kërkoi burg përjetë.Por sipas prokurorisë, argumenti i gjykatës nuk qëndron, pasi të dyja kamerat ajo e marketit të korçarit dhe lokalit filmojnë një fushëpamje standarde dhe nuk tregojnë të gjitha lëvizjet në vendgjarje.

Shokët që unë bënë armiq
Kush gënjeu nga këta të dy, të pestë gjyëqtarët
I pandehuri Arben Frroku dhe dëshmitari kyç i prokurorisë Fatmir Vladi, vite më parë kanë qënë shokë mes tyre dhe në shumë raste, kanë punuar bashkë. Aq më tepër që në disa fushata elektorale Arben Frroku, vllai i tij Mark Frroku dhe vetë Fatmir Vladi kanë qëndruar bashku. Vladi ka treguar në dëshminë e tij se ka arritur të njohë shumë mirë se brenda në makinën nga u qëlluar Dritan Lamaj ka qënë Arben Frroku. Sipas tij ai këtë njeri e njihte shumë mirë, dhe se është befasuar kur ka parë atë që të kryentë këtë krim. Por a gënjen Fatmir Vladi në këtë dëshmi të dhënë në gjykatë kundër shokut të tij Arben Frroku.

Ky i fundit fillimisht nuk ka pasur dijeni për emrin e dëshmitarit, por gjatë procesit gjyqësor dhe hulumtimeve të njerëzve të tij që ndodheshin jashtë ka arritur të mësojë identitetin e saktë të dëshmitarit. Frroku në njërën nga seancat ka treguar se dëshmitari i prokurorisë Arben Ndoka nuk quhet kështu, por quhet Fatmir Vladi. Sipas Frrokut, me këtë person ai ka pasur shumë njohje dhe kishin qëndruar bashkë. Më tej Frroku ka vijuar në dëshminë e tij se dëshmitari i ka një sasi të madhe borgji në kompaninë e tij të basteve, dhe këtë dëshmi ai po e jepte si pasojë e hakmarjes, pasi Frroku kishte refuzuar ti falte borxhin që i kishte. Edhe për këtë alibi nuk dihet nëse Frroku gënjen apo është i sinqertë.

Kryeprokurori Llalla verifikoi vetë pretencën e Arben Frrokut
Pretenca e përpiluar nga grupi i prokurorëve të Krimeve të Rënda që kërkuan burg përjetë për Arben Frrokun është konsultuar dhe nga vetë kryeprokurori Adriatik Llalla. Ky i fundit i bindur dhe nga provat që ishin administruar në dosjen penale kundër Frrokut, ka qenë “ok” me mënyrën e pasqyrimit dhe rradhitjes së fakteve, duke aprovuar kërkesën për dënimin me burg përjetë të biznesmenit Arben Frroku. Mirëpo, pavarësisht kësaj, gjyqtarët e Krimeve të Rënda kanë gjetur një shteg, duke e cilësuar dëshmitarin kryesor si të pabesueshëm dhe që kishte mbëritur katër minuta me vonesë në vendin e krimit. Për pasojë,këtë javë prokuroria do i futet punës për apelimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, duke kërkuar nga Apeli deklarimin fajtor të të pandehurit Frroku dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Dritan Hallunaj
Gjyqtari Hallunaj javën e kaluar deklaroi të pafajshëm të pandehurin Arben Frroku, duke e shpëtuar këtë të fundit nga burgimi përjetë. Vendimin e Hallunaj, Frroku e ka pritur me shumë qetësi në sallën e gjyqit.

Tonin Prendi
Avokati i Arben Frrokut, u shpreh shumë i kënaqur nga vendimi i gjykatës, ndërkohë shtoi se pafajësia e Arben Frrokut pritet të vuloset njëherë e mirë dhe nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Ngrihet aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë

Ngrihet aktakuzë në mungesë për krime lufte në Kosovë