Ministria e Mbrojtjes ka reaguar menjëherë pas deklaratës së partisë demokratike, e cila tha se Qeveria po injoron Kerry-n duke mbështetur Arben Ndokën dhe se për këtë publikoi edhe një fotot të Kodhelit me të, ky dikater thotë se PD-së i vjen “inat” nga vlerësimet që Kerry i bëri qeverisë.

Ministria e Mbrojtjes thekson se, fotoja të cilën PD e serviri si zbulim, i përket një vizite që Kodheli ka bërë një muaj më parë një ure që u dëmtua nga reshjet dhe u rikonstruktua nga ushtria, por që ajo nuk e kapërdin sot faktin se iu vihet në ndihmë qytetarëve.

Ajo ka përfunduar se, Partia Demokratike është e dëshpëruar pas vizitës së suksesshme të Sekretarit Kerry, duke i bërë ftesë PD-së që të ndjekë nga afër punën që kjo ministri bën, për të ndihmuar qytetarët.
 
Ja deklaratë e Ministrisë së Mbrojtjes
Qesharake deklarata e dëshpëruar e Partisë Demokratike. Opozitën sot e shqetëson jo vetëm suksesi i vizitës së sekretarit Kerry, mbështetja e fortë që i dha qeverisë shqiptare dhe drejtimit të duhur të vendit, por edhe mbështetja që Ministria e Mbrojtjes u jep qytetarëve shqiptarë në kohë rekord dhe pa dallime politike, gjë të cilën vështirë të besohet se ndodhte në kohën e PD-së.
Nevoja e banorëve, sidomos atyre që jetojnë në zona të thella, kur shumë struktura dëmtohen nga kushtet e këqija atmosferike, e ka bërë shpeshherë të nevojshme përgjigjen e menjëhershme të Ministrisë së Mbrojtjes për të asistuar me mjetet dhe burimet e saj në ndihmë të komunitetit. Me trishtim vërejmë se mbështetja që ne u japim qytetarëve shqiptarë i rri keq opozitës së dëshpëruar, e cila me paturpësi gënjen publikisht duke thënë se ministrja e Mbrojtjes dhe ish-deputeti Ndoka ishin dje në një aktivitet. Fotot e paraqitura në deklaratën e PD-së janë marrë nga inspektimi që ministrja e Mbrojtjes i ka bërë përfundimit të punimeve të urës Skuraj, Milot, (ju rikujtojmë se ditën që kjo urë u dëmtua në atë moment humbi jetën një i ri). Është lehtësisht e vërtetueshme se ura në Skuraj është ndërtuar muaj më parë dhe është inspektuar në përfundim të punimeve nga ministrja një muaj më parë, ekzaktësisht në datën 12 janar, ku kanë qenë të ftuar të gjithë të zgjedhurit e zonës.
Dëshpërimi i suksesit të vizitës së sekretarit Kerry e ka çuar deri aty PD-në sa të lidhë inspektimin e një ure në një zonë të thellë të Shqipërisë më shumë se një muaj më parë, me mesazhet e rëndësishme të kësaj vizite historike.
Ministria e Mbrojtjes për çdo bashkëpunim civilo-ushtarak dhe ndihmë që do të japin për komunitetin, i fton përfaqësuesit e opozitës të bëhen pjesë e inspektimeve, kështu edhe ata do ta kenë më të thjeshtë të mbajnë shënim edhe datat. 

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)