Gilberto Jace, akuzohet për shpërdorim detyre nga organi i akuzës në Përmet, për një objekt të dhënë me qera buzë lumit Vjosa, por Jace e konsideron këtë si një flluskë sapuni.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 70 metra katrorë e cila është dhënë ndaj një personi që t’a administrojë me qera 6 mujore.

Sipas ish kryebashkiakut Jace, bëhet fjalë për nënshkrimin e një deklarate noteriale për dhënien e ambjentit pronë publike buzë lumit, një personi të interesuar, për të zhvilluar turizëm ujor dhe për më tepër për zhvillimin e disiplinës sportive Raffting.

Për Report TV, Jace pranon se është marrë sot në pyetje nga ana e Prokurorisë së Përmetit për këtë cështje të cilën e quan flluskë sapuni.

Kjo pasi sipas tij, akuza e ngritur ndaj tij prej organit të akuzës në Përmet shpërdorim detyre, është në momentet kur një drejtues abuzon me dhënien e trojeve apo hapësirave të ndryshme nga tokë publike ta kthejë në atë private në mënyrë tërësisht abuzive dhe rrugë që të lënë interpretim abuziv.

Mirëpo sipas Jaces, kjo akuzë e ngritur nuk qëndron sepse cdo veprim i kryer nga ai, është tërësisht jo abuziv dhe konform ligjit.

Jam i pastër në cdo veprim që kam kryer deri në ditët e fundit të mandatit tim si kryetar i Bashkisë së Përmetit. Nuk kam konsumuar asnjë vepër penale e aq më tepër të kem abuzuar apo shpërdoruar detyrën” ka thënë ai.

Sipas tij, hapësira prej 70 metra katrorë, është dhënë në korrik të vitit të kaluar me qera ndaj Muhamet Berzanit ish këshilltar i majtë në Këshillin Bashkiak të Përmetit, ndërkohë që tjetër kush që pretendon të jetë pronar i një hapësire publike, ka denoncuar këtë aferë në organin e akuzës.

Unë nuk di që edhe brigjet e lumit të kenë pronarë, pasi ato janë hapësira publike dhe si të tilla, organi vendor si administrator i vetëm, gjykon të arsyeshme që për interes publik dhe për përfitime për arkën e bashkisë, t’a lëshojë me qera sipas interesave dhe cmimeve të tregut” është shprehur Jace.

Ky i fundit ngulmon se nuk ka asnjë vend për abuzim me detyrën nga ana e tij dhe cdo gjë është e pastër.

Ndërkaq nga Bashkia e Përmetit, nuk ka asnjë reagim lidhur me këtë fakt ndërkohë që organi i akuzës në Përmet, e akuzon Jacen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Gilberto Jace, ka qenë kryetar i Bashkisë Përmet në periudhën 2011-2015 nën siglën e PS.

Në zgjedhjet e qershorit të vitit që shkoi, ai rikandidoi për të njëjtin post, por nuk arriti dot të fitonte karshi kandidatit të PD sot kryetar Bashkie, Niko Shupuli.  


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)