Mbledhja e Këshillit Bashkiak në Lezhë ku u miratua vendimi për rritjen e pagave është shoqëruar me debate - dhe në qendër të diskutimeve ishin punesimet te Bashkia.
Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Donika Ndoj, ngriti shqetësimin se në këtë njësi vendore po mbahen në punë persona që kanë mbushur moshën e pensionit, si edhe individë që, sipas saj, paguhen fiktivisht pa u paraqitur fare në punë.
“Në admnistratë ka punonjës që kanë mbushur moshën e pensionit dhe mbahen në punë, ose punonjës fiktivë që marrin pagat por nuk kryen shërbimet”, tha Donika Ndoj.
Akuzave iu përgjigj kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili pranoi faktin se ka persona të cilëve u është shtyrë mosha e pensionit, pasi nuk janë gjetur specialistë për t’u zëvendesuar. Por ai hodhi poshtë pretendimet se mund të ketë persona që paguhen pa u paraqitur në punë.
“Ka punonjës që kanë mbushur moshën dhe i kemi mbajtur, përshembull kemi mbajtur murator se nuk na vijnë ose nuk kemi gjetur specialistë. Por që të japim rrogë punonjësve dhe të rrinë te shtëpia nuk ka. Është zero tolerancë për kushdo që mendon të marrë rrogën kot. Nuk e di nga i nxirrni këto konkluzione”, tha Ndreu.
Ndërkohë nga vendimi i Këshillit Bashkiak i diktuar nga qeveria shqiptare nga indeksimi i pagave, pjesa më e madhe e përfituesve nga punonjësit që kishin pagë minimale. Sipas kategorive përkatëse, atyre ju është rritur nga 10 deri në 15 mijë lekë të reja.
Komente










