Mes fushatave elektorale dhe realizimit më pas të premtimeve të dhëna, hendeku vijon të mbetet i madh.

Premtimet që bëhen me bujë në fushata elektorale nuk po mbahen.

Të dhënat që nxjerr një raport i organizatës “Faktoje” nga monitorimi i 10 bashkive më të rëndësishme të vendit tregon se më shumë se gjysma e premtimeve të bëra rezultojnë të pambajtura ose të shtyra pa afate të qarta.

 “Uji i pijshëm, një premtim që për shumë bashki, sfidë edhe pas 3 mandatesh e menaxhimi i mbetjeve”, thotë Klodiana Kapo, drejtore ekzekutive e “Faktoje”.

“Vec bashkisë së Tiranës, asnjë bashki tjetër nuk mund t’i japë përgjigje me buxhete lokale sfidës së ujit të pijshëm”, thotë ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo thotë se mosmbajtja e premtimeve vjen për shkak se shumë prej tyre, bëhen pa u kalkuluar ftohtë, por mes emocioneve të fushatave.

“Kur ne flasim për premtimet do i ndaja në dy kategori, premtime që lidhen me kompetencat e mundësitë që ka vetë bashkia, ku duhet të përdoren të gjitha resurset, por kur kryetarët e bashkive janë në fushatë bëjnë dhe premtime për projekte  me lobime (që financohen nga qeveria), fushata është edhe emocionale dhe bëhen edhe premtime të tilla”, thotë ministri.

Ndërsa kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, bashki e cila renditet ndër të parat për numrin e premtimeve të mbajtura, thotë se nëse projektete janë cilësore, mund të shfrytëzohen dhe fondet e qeverisë

“Një nga mënyrat ku ne luajmë vec fondeve tona, donacione edhe projekte me qeverinë, nuk merr fonde nëse cilësia e projetit nuk është e mirë. Se është edhe kjo puna e energjisë elektrike, vijnë njerëzit ankohen te ne, ne i themi që do zgjidhet, e ka kryetarë bashkish që përfundojnë në SPAK për një premtim të tillë. Tani edhe plazhet desh na i morën të gjithë, se nuk ka vend në botë ku plazhet i jep ministria”, thotë Ndreu.

Sipas raportit, nga 40 premtime elektorale të monitoruara gjatë 2025 vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 12 pjesërisht dhe 23 prej tyre nuk janë mbajtur. Në këto të fundit, raporti përmend se futen edhe raste si ndërtimi i rrugës së bregdetit, premtim i dhënë nga kryebashkiaku i djathtë i Kavajës Fisnik Qosja, por që është një projekt që shkon përtej mundësisë së bashkisë, e që kërkon ndihmën e pushtetit qendror.

Përkundrejt premtimeve, sa i takon transparencës, bashkitë kanë bërë progres pozitiv. Në krye të renditjes qëndrojnë bashki si Shkodra, Lezha, Korça e Durrësi, sipas "Faktoje", me nivel maksimal të përmbushjes së transparencës.