Një ditë pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Mark Prenga në një shtyllë elektrike në Rrilë, Prokuroria e Lezhës ka vënë nën hetim penal ndaj katër punonjësve të OSHEE-së.
Nën hetim janë Mario Lajthia, 34 vjeç me detyrë inxhinier elektrik i OSHEE-së , Kel Lleshi 60 vjeç, Arben Xhetani 62 vjeç dhe Enea Rexhaj, 23 vjeç, me detyrë elektricistë të OSHEE-së. Ata akuzohen për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Si ndodhi ngjarja?
Prenga me origjinë nga Gojani dhe banim në fshatin Pllanë humbi jetën mëngjesin e së enjtes pasi ra në kontakt me rrymën elektrike gjatë riparimit të një defekti në një shtyllë pranë nënstacionit të Rrilës. Ai kishte 3 vjet që punonte pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Sipas të dhënave të para të hetimit, elektricisti ishte njoftuar nga banorët për mungesë të dritave dhe së bashku me dy kolegët kishte shkuar të riparonte defektin në shtyllën elektrike që gjendet vetëm 50 metra pranë nënstacionit elektrik.
Me të hipur në shtyllë, 27-vjeçarin e ka zënë korenti dhe shkak mund të jetë pakujdesia. Dyshohet se punonjësit e nënstacionit nuk kishin stakuar njërën nga linjat paralele ç’ka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme elektricisit.
4 punonjësit e OSHEE-së u morën në pyetje gjatë gjithë së enjtes për të sqaruar rrethanat ndërsa trupi i pajetë i 27-vjeçarit u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku iu nënshtroha ekspertizës mjeko-ligjore.
Përveç ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, rrjeti i amortizuar në fshatrat e Lezhës është kthyer në një rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe vetë punonjësve të OSHEE-së.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës
" Në vijim të informacionit të dhënë dje, mbi humbjen e jetës së shtetasit M. P. (me detyrë elektricist i OShEE-së), dyshohet si pasojë e rënies në kontakt me rrymën elektrike, gjatë riparimit të një defekti, në një shtyllë në fshatin Rrilë, infomojmë se në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Lezhës, nisi procedimi penal, për veprat “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin M. L., 34 vjeç, me detyrë inxhinier elektrik i OShEE-së, si dhe për shtetasit K. Ll., 60 vjeç, A. Xh., 62 vjeç dhe E. R., 23 vjeç, me detyrë elektricistë të OShEE-së."
Komente







