Akuzat e ambasadës ruse, reagon Mero Baze: E kanë hallin te zbulimi i lidhjeve të opozitës shqiptare me Rusinë!

Akuzat e ambasadës ruse, reagon Mero Baze: E kanë hallin te zbulimi i lidhjeve të opozitës shqiptare me Rusinë!

Mero Baze

Ndaj ambasadës ruse në Tiranë, e cila sulmoi gazetën Tema dhe avokatin Spartak Ngjela, për qënsrimet e tyre kritike ndaj Moskës, ka reaguar sot edhe botuesi i gazetës së mësipërme Mero Baze.

Nëpërmjet një editoriali, Baze e ka ironizuar Rusinë se hallin e vërtetë nuk ka faktin që Tema ka botuar disa opininione të përkthyera që kritikonin Rusinë, por faktin që kjo gazetë i ka mëshuar fort lidhjeve të opozitës shqiptare me Rusinë.

Editoriali i plotë i Mero Bazes:

Në vend të një “autokritike”, për Ambasadën ruse në Tiranë

Ambasada e Federatës Ruse ka pasur një reagim të pazakontë ndaj gazetës “TemA”, duke vlerësuar se disa analiza të botuara në faqet e saj, nga shtypi ndërkombëtar, janë sulm i qëllimshëm, fyes dhe degradues ndaj presidentit Vladimir Putin. Analizat janë në tërësi përkthime të cituara nga “New York Times”, “The Economist”, “Uashington Post” dhe gazeta të tjera prestigjioze, që kanë qëndrime kritike me presidentin Putin. Për shkak të mungesave tona në burime njerëzore, ne nuk kemi ndonjë korrespondent special apo analist të çështjeve të Rusisë në gazetë, që të kishim motiv të debatonim për raportimet tona rreth Rusisë. Kemi refuzuar po ashtu të botojmë opinionet e ofruara rregullisht nga Ambasada ruse në Tiranë për çështje të tilla si Ukraina apo lufta speciale me Perëndimin, qoftë dhe për faktin se ne e konsiderojmë qeverinë e sotme ruse, një qeveri që nuk ka respekt për lirinë e shtypit, por vetëm për propagandën, dhe në emër të saj ka vrarë, zhdukur dhe persekutuar dhjetra gazetarë, për të cilat është dhe e listuar si vend me liri të cunguar shtypi.

Për shkrimet e gazetave autoritare perëndimore që kemi botuar dhe që do të vazhdojmë të botojmë, nuk debatojmë, pasi do të ishte fyerje për shtypin perëndimor, t’i mbronim ne nga Rusia.

Por ndërkohë, besojmë realisht se Ambasada ruse nuk është e shqetësuar prej tyre. Ato botohen në tirazhe qindra herë më të mëdha se sa lexuesit e gazetës “TemA” në print dhe online, dhe do të ishte pa llogjikë, përpjekja për të censuruar në Tiranë një editorial të “Neë York Times” apo “The Economist”, që botohet në gjithë botën dhe shkon tek qindra miliona lexues.

Ajo që besoj se ka shqetësuar diplomatët rusë në Tiranë, është ajo që nuk citojnë në reagimet e tyre, dhe që ka të bëjë me punën e tyre në Tiranë dhe përpjekjet për të ndikuar në shtypin dhe politikën e Tiranës. Këtu ka vend për “autokritikë”.

Prej Rusisë kemi disa vite, që kemi peshqesh disa teza në luftën politike dhe shtypin në Tiranë, që janë qartazi të sponsorizuara prej tyre. Është fillimisht përpjekja për të krijuar disa liderë autokratë të korruptuar, të cilët pak nga pak, fillojnë e flasin për padobinë e raporteve me Perëndimin, që përpiqen të relativizojnë rolin e SHBA dhe BE në rajon, dhe që këtë e kanë nisur duke u përpjekur fillimisht të distancojnë “ambasadorët” e Perëndimit nga vendet perëndimore që përfaqësojnë. Kjo betejë ka së paku tre vite që zhvillohet në Shqipëri, ku politikanë të caktuar të opozitës së sotme, por disa dhe të pushtetit të djeshëm me Edi Ramën, e kanë kthyer në moto politike, luftën kundër diplomatëve perëndimorë në Tiranë.

Për ta po bëhet gjithnjë e më relative, ideja nëse duhet besuar tek demokracia dhe shteti ligjor, apo tek forca ekonomike, dhe ndjehet në ajër bezdia nga “futja e hundëve” e diplomatëve perëndimorë në çështje të tilla si reforma në drejtësi, Vetingu, apo gjyqësori në tërësi.

E vërteta është se gazeta “TemA” ka qenë e qartë kundër tyre dhe këtu diplomatët rusë në Tiranë, mund të kenë të drejtë të shqetësohen.

Ka qenë po ashtu një sponsorizim i fortë rus, teza banale e shpikjes së një rendi botëror armik, që drejtohet sipas teorive konspirative nga miliardieri Xhorxh Soros. Dhe kjo ka gjetur shtrat tek të njëjtët politikanë dhe gazetarë shqiptarë që mbështesin kauzat që citova më lart. Një racë e tillë është e njëjtë në Shqipëri, në Maqedoni kur ishte Gruevski, apo në Hungarinë e Orbanit etj. Po e kanë për këtë, kanë të drejtë dhe e pranojmë “gabimin”, pasi jemi përpjekur ta çmitizojmë sa më shumë këtë shpikje idiote, dhe këtë “konspiracion të madh kundër Rusisë” nga Xhorxh Sorosi.

Por mbi të gjitha, besojmë se mund ta kemi tepëruar ngaqë qysh në muajin nëntor – dhjetor të vitit të shkuar i mëshuam fort tezës së financimeve të Partisë Demokratike përmes një kompanie off shore, detajuam lidhje private të Luzlim Bashës me njerëz që qëndrojnë mes Turqisë dhe Rusisë, dhe së fundmi, faktin që kompania e dy biznesmenëve rusë ka financuar lobistin e Lulzim Bashës në SHBA. Është interesante se si Ambasada ruse në Tiranë reagoi qysh të nesërmen e shkrimeve, duke përjashtuar mundësinë që lobisti i Lulzim Bashës, Nick Muzin, nuk ka marrë para prej rusëve për llogari të PD, a thua se diplomatët rusë në Tiranë, e kanë në bordero atë, dhe e dinë se kur ka marrë dhe kur nuk ka marrë para, prej disa rusëve. Ne nuk u bëmë paranojakë, kur vitin që shkoi, në kulmin e protestës bllokuese të opozitës në çadër, takimi më i rëndësishëm i Lulzim Bashës, kur nuk e qortoi askush, por e mbështeti për atë që po bënte, ishte ai me ambasadorin rus, dhe as faktin që media ruse të mëdha si “Rusia Today” apo “Sputnik”, merreshin me entuziasëm me çadrën dhe e llogarisnin si betejë kundër Perëndimit. Nuk e morëm seriozisht, jo se shtypi rus nuk e kishte seriozisht, por se e dimë që votuesit e thjeshtë të opozitës shqiptare dhe pjesa tjetër e shoqërisë, e kanë të ndarë në mendje, që e kanë kokën drejt Perëndimit, pavarësisht flirteve të papërgjegjshme për pushtet, të disa politikanëve të kapur shqiptarë, që i kanë dhe në stafet e tyre njerëz që jetojnë duke përcjellë në shtyp teza ruse.

Tani që laku po shtrëngohet dhe Lulzim Basha duhet të zgjedhë të gjykohet me ligjet shqiptare dhe amerikane, apo të kërkojë azil në Rusi, mendoj se këmbëngulja jonë në këtë drejtim, është shqetësuse për diplomatët rusë në Tiranë dhe mund ta “pranojmë” përgjegjësinë tonë për këtë.

Pra në tërësi, mund të pranojmë që nuk kemi mbrojtur tezat ruse për futje hundësh të Perëndimit në Tiranë, për teoritë konspirative rreth Sorosit, për marrëzinë e politikave të Erdoganit në rajon, që në fakt mes të tjerash është dhe i preferuari i Rusisë, si dhe financimet ruse të PD. Për këto e meritojmë të na sulmojnë. Por ju lutem mos na sulmoni për shkrimet e “New York Times”, “The Economist”, “Uashington Post” etj, pasi kështu na fyeni inteligjencën, ngase e kuptojmë shqetësimin tuaj të vërtetë. Thuajeni atë dhe pastaj debatojmë!

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta