Akuzat e Enverit: Bashkë me kamionët anglezë prej 3 milionë dollarësh të blera nga Kiço Ngjela, na sollën edhe…! Koha kur Hoxha “zbuloi grupet armiqësore”!

Akuzat e Enverit: Bashkë me kamionët anglezë prej 3 milionë dollarësh të blera nga Kiço Ngjela, na sollën edhe…! Koha kur Hoxha “zbuloi grupet armiqësore”!

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në Plenumin e VII-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ai morri në analizë dhe foli për problemet që kishin dalë në sektorin e naftës.

Për herë të parë ai kritikoi dhe hodhi akuza të rënda, jo vetëm ndaj drejtuesve të atij sektori, duke filluar nga drejtori i përgjithshëm i Naftës, Lipe Nashi, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, (ku ishte përqendruar pjesa më e madhe e industrisë së naftës), Piro Gusho, inxhinierëve dhe specialistëve si: Andrea Manço, Zenel Hamiti, Koço Plaku, Protoko Murati, Beqir Aliaj, Milto Gjikopulli, etj., por edhe ndaj kryeministrit Mehmet Shehu, anëtarëve të Byrosë Politike e ministrave, si Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati etj. Fjala e plotë e diktatorit Enver Hoxha dhe akuzat e panjohura që ai bëri ndaj Abdyl këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit, Dashnor Mamaqit, Ramadan Xhangollit etj, të cilët i quajti sabotatorë që kishin bërë punë armiqësore, duke i krahasuar ata me “veprimtarinë armiqësore” që kishte bërë Beqir Balluku me Petrit Dumen, Hito Çakon etj. Propozimet e Enver Hoxhës për shkarkimin e tyre nga të gjitha postet dhe funksionet partiake dhe shtetërore që ata kishin mbajtur deri në atë kohë dhe zgjedhjen dhe emërimin e “disa shokëve të rinjë” në vend të tyre në Byronë Politike dhe Komitetin Qendror të PPSh-së, siç ishin: Pali Miska, Hekuran Isai, Llambi Gegprifti, Qirjako Mihali etj., biografitë e të cilëve, Enveri i bërë publike në atë plenum!

Pjesa e pestë

Fjala e Enver Hoxhës në mbyllje të Plenumit të 7-të të Komitetit Qendror të PPSH-së

29 maj 1975

Partisë i dhemb kur ndien se te disa ka shqetësime dhe bën çmos që t’ua zhdukë e të krijojë edhe tek ata gëzim. Në këtë rrugë të drejtë Partia duhet t’i ndihmojë të gjithë njerëzit. Çdo gjë që bën Partia e bën për të mirën e shoqërisë dhe të njerëzve. Janë bërë edhe gabime, të cilat nuk mund të fshihen. Këto gabime njerëzit i kanë bërë, prandaj autorët e tyre duhet të ndëshkohen dhe të edukoheni. Edhe Partia, edhe klasa, edhe masat duhet të jenë vigjilente. Motoja “beso e kontrollo” nuk është vetëm për disa, por për të gjithë. Ka njerëz që na hiqen shumë të zgjuar, shumë revolucionarë, shumë rigorozë kur s’duhet, por edhe shumë oportunistë, prapë kur s’duhet. “Ku ishin, pse nuk i panë më parë këto gjëra dhe këta armiq”? thonë disa nga këta “të zgjuar”. Dakord, pyetja është me vend, por kjo pyetje u vihet edhe atyre: “Po ju ku keni qenë? Përse nuk i keni parë këta njerëz që venin e vinin te ju, që bisedonin me ju, që ju u kërkonit dhe ata jua bënin nga një favor me qëllim që ju të mbyllnit gojën edhe atëherë kur duhej të flitnit etj.? Kështu ju ka mësuar Partia të vepronit? Natyrisht, jo”! Atëherë duhen bashkuar forcat, përpjekjet, vigjilenca, duhen fuqizuar puna, prodhimi, edukimi dhe jo të bëhen muhabete të kota e pa baza, duke menduar se gjoja kështu ndreqen punët, por që në fakt këto prishin punë.

Armiku çdo gjë shfrytëzon, prandaj nga cilido kërkohet punë me mend dhe me përgjegjësi. Armiku dhe parullat e tij duhen luftuar. Ne këtu, në Komitetin Qendror, shtruam dhe diskutuam këto probleme të rëndësishme, analizuam thellë, më duket mua, edhe gabimet, edhe fajet që janë vërtetuar. U bënë autokritika dhe kritika konstruktive, u analizuan dhe u vunë në dukje fajet kolektive dhe fajet personale. Të gjitha këto duhet të na bëhen mësime të vlefshme. Për njerëzit që gabojnë duhet të marrim edhe masa, që do të ndikojnë në edukimin e tyre. Siç rezultoi nga të gjitha këto analiza në forume të ndryshme të Partisë dhe të Qeverisë, Koço Theodhosi ngarkohet me faje të rënda për mungesë vigjilence revolucionare në drejtimin e sektorit të naftës, ku u lejuan të vepronin dhe të na sabotonin për një kohë të gjatë ekonominë tonë elementë armiq. Mos shqetësimi i tij për këtë punë armiqësore të grupit sabotator të naftës, mosmarrja e masave, mosvënia në korrent udhëheqjen e Partisë dhe të shtetit, familjariteti i dyshimtë me Pirro Gushon e Lipe Nashin, aprovimi i plotë për çka thoshin inxhinierët sabotatorë, do të thotë se te Koço Theodhosi ka diçka më shumë se mungesë vigjilence. Koços jo vetëm i ka munguar vigjilenca revolucionare, por ai ka treguar edhe shumë paaftësi drejtimi dhe organizimi në funksionet që i ishin ngarkuar si anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Industrisë dhe i Minierave.

Me të tilla funksione dhe përgjegjësi, Koço Theodhosit nuk i lejohej që të shfrytëzoheshin në mënyrë kaq kriminale fonde kolosale që shteti i kishte rezervuar industrisë së naftës, nuk i falet lehtë lënia e shtetit tonë socialist për pesë vjet me radhë pa fusha të reja nafte. Janë të papranueshme nga parimet politiko-organizative të Partisë prirjet e theksuara të Koço Theodhosit për krijimin e drejtorive të përgjithshme, që ishte një formë shkëputjeje nga parimi i centralizmit demokratik të drejtimit, dhe ecja e tyre në një drejtim të gabuar e të rrezikshëm të vet administrimit. Të gjitha këto gabime e faje të rënda të Koços nuk e kanë burimin thjesht në një cektësi ideologjike dhe në një mungesë përpjekjesh të thella e të vazhdueshme nga ana e tij për të studiuar teorinë tonë shkencore marksiste-leniniste dhe eksperiencën e shumanshme e të vlefshme të Partisë sonë. Të gjitha këto na bëjnë të mendojmë se Koço Theodhosi ishte futur në komplot, në një punë të organizuar armiqësore kundër Partisë dhe pushtetit. Për këtë gjë unë bashkohem me propozimet e gjithë shokëve dhe mendoj që Koço Theodhosi të mos jetë më anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror, të shkarkohet nga detyra si ministër i Industrisë dhe i Minierave, të përjashtohet nga Komiteti Qendror dhe nga Partia. Me punë të palodhur, atje ku do të caktohet, Koçoja duhet të punojë dhe të provojë me vepra se po i’a lan ndershmërisht dëmet e mëdha që i ka bërë çështjes së madhe të socializmit.

Abdyl Këllezi ka përgjegjësi të madhe dhe të rëndë për punën e rrezikshme dhe armiqësore që u zhvillua në sektorin e naftës. Ne e theksuam se Koço Theodhosi ka përgjegjësitë e veta, por Abdyl Këllezi nuk qëndron aspak larg atij dhe, si kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, jo vetëm ka përgjegjësi se veproi në mënyrë aktive dhe lejoi një gjendje të tillë, por edhe si anëtar i Byrosë Politike, atij i mungoi vigjilenca revolucionare për vite me radhë për të mos diktuar punën armiqësore që zhvillonin sabotatorët në naftë. Abdyl Këllezit as që i shkoi ndonjëherë në mendje se atje po bëhej një punë armiqësore, por edhe kur u duk qartë e ia thanë atij dhe Koço Theodhosit në aktiv, ai nuk e konceptonte dot një gjë të tillë. Kjo nga ana e tij tregon miopi politike të madhe, një prirje jo vetëm për të dobësuar dhe për të nënvleftësuar luftën e klasave, por edhe për të goditur pushtetin popullor. Qëndrimet e Abdyl Këllezit tregojnë se te ky person është i theksuar oportunizmi, por jo vetëm kaq. Veprimtaria, qëndrimet, përkrahjet, mosvënia në korrent e udhëheqjes për sabotimet dhe sabotatorët, mosmarrja e masave për ta penguar këtë veprimtari armiqësore tregojnë se Abdyl Këllezi ka qenë brenda në komplot në një punë të organizuar armiqësore me një gjerësi të madhe.

Përveç kësaj, kjo veprimtari liberale dhe armiqësore në industrinë e naftës ka dukje të theksuara edhe në gjithë punën e Abdyl Këllezit në tërë atë sektor të gjerë e shumë të rëndësishëm që drejtonte ai në Komisionin e Planit të Shtetit. Abdyl Këllezi ka qenë frymëzuesi dhe përkrahësi kryesor i fryrjes së aparateve shtetërore, të organizmave të shumtë të copëtuar e të fryrë, të mungesës së kontrollit nga ana e tij në drejtim të detyrave që i qenë ngarkuar nga Qeveria etj. Abdyl Këllezi nuk i ka bërë këto veprime nga mungesa e kapacitetit, as nga padija, as rastësisht, por me ndërgjegje dhe me qëIlim që të luftojë pushtetin popullor. Ai e ka të theksuar mungesën e qartësisë ideologjike marksiste-leniniste dhe në vend të saj edhe origjina, edhe mënyra e jetesës dhe e të menduarit e kanë çuar atë të gërshetojë slogane gjoja marksiste-leniniste, për të kamufluar pikëpamjet e tij revizioniste titiste-sovjetike. Të treguarit shumë “aktiv” i shërbente atij dhe si mbulesë e personit të tij të dyfishtë. Ai ka, gjithashtu, shumë të theksuar mendjemadhësinë dhe vetëkënaqësinë për veprimet dhe për mendimet e tij. Abdyli mendonte se çdo gjë që thoshte dhe që kryente ky, ishte e drejtë dhe me prepotencën, si me thënë, të njeriut kompetent, u imponohej edhe të tjerëve, atyre që mundte.

Tash duket hapur tendenca e përpjekjeve që bënin njerëz të tillë si Abdyli, Koçoja e të tjerë për të komprometuar sa më shumë njerëz. Por Partisë këta nuk mund t’ia hedhin dot. Abdyl Këllezi mendonte dhe punonte jo vetëm për dëmet që i vinin ekonomisë socialiste nga kjo punë e dënueshme e tij, por punonte që të shtohej katastrofa për vendin tonë. Partia i tha “Ndal”! Abdyl Këllezi interesohej shumë për zhvillimin e kultit të personit të tij dhe përpiqej që shkëlqimi i veprimeve dhe i sukseseve të klasës dhe të Partisë të binte tek ai në një pjesë të konsiderueshme, pse ishte anëtar i Byrosë Politike dhe kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit që “drejton gjithë ekonominë”. Janë vetëm karakteristika të karakterit borgjez dhe mikroborgjez të tij këto? Patjetër se po, por ai punonte edhe për një të ardhme borgjezo-revizioniste që po i përgatitej atdheut tonë nga grupet armiqësore. Për të gjitha këto, unë mendoj që edhe Abdyl Këllezi të mos jetë më anëtar i Byrosë Politike, të shkarkohet nga detyra shtetërore si kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe të përjashtohet nga Komiteti Qendror e nga Partia. Abdyli duhet të korrigjohet thellësisht nga të metat, të jetë kokulur, të njohë fajet e tij të rënda.

Abdyl Këllezi është gjendur edhe herë të tjera në gabime të rrezikshme antiparti e antishtetërore dhe tani duhet të vërë mend që të mos shkojë më thellë në veprimtarinë e tij. Partia i ka vlerësuar në kohën e duhur gabimet e Abdyl Këllezit, sa herë që ato janë shfaqur, ajo është treguar e drejtë, ka bërë diferencime dhe i ka pasë dhënë dorën, derisa ai erdhi dhe në Byronë Politike. Kjo tregon, nga një anë, drejtësinë e Partisë ndaj kuadrove dhe, nga ana tjetër, pandreqshmërinë dhe armiqësinë e disa kuadrove të tillë. Prandaj kritikat dhe dënimet e drejta e të merituara të Komitetit Qendror, t’i marrë seriozisht, që t’i shërbejnë për të mos gabuar më dhe të punojë shumë atje ku do të caktohet. Kiço Ngjela, sipas mendimit tim, duhet të kritikohet rëndë dhe të paralajmërohet shumë seriozisht, pse puna në ministrinë që drejton ka qenë shumë e sëmurë, shumë e molepsur dhe formonte një rrezik të madh për ekonominë tonë. Kjo punë përbënte rrezik edhe për Sigurimin e Shtetit. Kiço Ngjela është përgjegjës për ato që u zbuluan në dikasterin e tij. Fakt është se ai ishte rrethuar me elementë armiq, matrapazë, antiparti dhe të dyshimtë për lidhje me armiqtë e jashtëm. Ai jo vetëm nuk e mprehu vigjilencën kundër këtyre elementëve të këqij, por i mbrojti deri në fund me një mendjelehtësi dhe prepotencë të dënueshme.

Karakteristikë e Kiço Ngjelës është se ky ka dy natyra: Një natyrë të ashpër për jashtë dikasterit të tij dhe një natyrë të butë, oportuniste dhe liberale për bashkëpunëtorët dhe vartësit në ministrinë ku drejton. Kjo situatë është krejt e dukshme në karakterin e Kiços. Toni i tij i ashpër të jep përshtypjen sikur kërkon llogari, por toni i butë karshi bandës që kishte bërë fole në Ministrinë e Tregtisë, e rrëzon të parën. Kiço Ngjela duhet të mësojë se nuk gabohemi aq kollaj nga taktika e tij: të atakojë që të evitojë kritikën dhe dhënien e llogarisë. Mos i merr Partinë dhe Komitetin Qendror për leshko, se gabohesh rëndë! Qëndrimi yt shumë i gabuar, jo vigjilent, jo revolucionar u dha mundësi armiqve, që ishin strukur nën ombrellën tënde, të shinin brenda e jashtë vendit me veprime të paligjshme dhe armiqësore, të spekulonin sigurisht me çmimet e eksport-importit, të vinin me mijëra dollarë në bankat e huaja në emrin e tyre, natyrisht, jo të nxjerrë prej kursimeve nga rrogat, por nga matrapazllëqet. Njerëz si Andrea Mançoja dhe një kategori si ky, vallë bënin vetëm këto gjëra, apo ishin edhe në shërbim të agjenturave armike? Sigurisht, duhet të dyshojmë. Nuk është nevoja të na thonë vetë këta se janë agjentë të Inteligjencë Servisit. Nuk të tërhoqi vëmendjen ty, Kiço, blerja nga ana e tyre e kamionëve anglezë të këqij, që i soll n për të rinj dhe me një kosto prej tre milionë dollarësh, në qoftë se nuk gabohem?

Tok me ta sollën edhe agjentë të Inteligjens Servisit gjoja për të bërë riparimet, menjëherë sa i futën në punë! Ç’janë këto gjëra, Kiço, që janë bërë nën hundën tënde? Ku e ke pasur kokën? Shumë herë je kritikuar, se qaheshin ndërmarrjet e ndryshme nga importi, por ti avancoje çdo herë arsye objektive: jo largësitë, jo rrugët, jo koniunktura botërore. Mirë të gjitha këto, por asnjëherë nuk të shkoi ndër mend të kontrolloje punën e gjithë këtyre myteberëve të borgjezuar, që më rrinin si specialistë, zëvendësministra, disa prej tyre drejtorë, disa të tjerë atashe tregtarë? Kiço Ngjela është fajtor, atij i kanë munguar vigjilenca dhe ngritja ideopolitike, ai është treguar liberal në punë dhe ka pasur familjaritet të theksuar e butësi në kërkimin e llogarisë ndaj vartësve. Mos harro, Kiço, se në Plenum s’bëre fare autokritikë ose këtë e bëre të zbehtë. Kjo nuk mund të kalojë kështu, prandaj reflekto thellë dhe i bëj një autokritikë të hapët, me shkrim, Komitetit Qendror. Të gjitha këto unë mendoj se Kiçon duhet ta shkundin dhe t’i shërbejnë si paralajmërim për të mos i përsëritur më. Mendoj t’i jepet njëkohësisht një vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit.

Ju dëgjuat diskutimin mizerabël të Ramadan Xhangolliti. Ai u paraqit këtu duke na thënë se iu desh të përgatiste dy diskutime: Një para se të vinte në Plenum dhe një tjetër pasi dëgjoi pyetjet e shokëve dhe çështjet që dolën për Koço Theodhosin. Ramadan Xhangolli deshi të na bindte sikur këto gjëra, që provojnë sa thellë është futur Koço Theodhosi në punën armiqësore e sabotuese në sektorin e naftës, i paskan ardhur papritur, i mësoi vetëm këtu, në Plenum. Ramadan Xhangolli “e qortoi” Koço Theodhosin që nuk i’u përgjigj pyetjeve të tij, që ishin pyetje “shoqërore” e jo “me spec” si të të tjerëve. Dhe kur shokët e Plenumit e vunë Ramadan Xhangollin me shpatulla pas muri, duke e pyetur përse pyetjet e shokëve qenkan me spec dhe të tijat qenkan shoqërore, ai pohoi se me Koço Theodhosin, ka pasur miqësi të ngushtë, ndryshe nga të tjerët. Në fillim ai u përpoq të na bindte se në takimet e tyre “miqësore” s’kishin biseduar për çështjet e naftës e punën e sabotatorëve, veçse Koço Theodhosi i paska kërkuar këshillë këtij farë “kryeplaku fshati”, se si ta bënte autokritikën e tij në Plenum. Ai s’mundi të mohonte se kanë biseduar për kritikat që i janë bërë në Byronë Politike e në Qeveri Abdyl Këllezit, për dyshimet e Koço Theodhosit mbi vetëvrasjen e Pirro Gushos etj.

Dhe ky këndes pa pupla, i cili në fillim na u paraqit me dy diskutime, duke u hequr sikur ra nga qielli, kur mori vesh për punët e fëlliqura të Koço Theodhosit e të Abdyl Këllezit, në fund të seancës, gjatë pushimit: kërkoi të takohej me mua, që të më deklaronte se ai në Shtëpinë e Partisë, ku herë pas here mblidhen shokë të udhëheqjes, vinte posaçërisht për të dëgjuar çfarë thuhej për elementët sabotatorë e punë të tjera dhe informatat e marra, i’a transmetonte Koço Theodhosit. Ai luante kështu rolin e informatorit të grupit sabotator e armik të naftës dhe të ekonomisë. U bë e qartë për ne se me Koço Theodhosin, por edhe me të tjerë që nuk dihen, Ramadan Xhangolli ka biseduar dhe ka punuar në rrugë grupazhi kundër Partisë. Del kështu që është implikuar edhe ky në këtë punë komplotiste. Nuk është hera e parë që Ramadan Xhangolli krijon miqësira të tilla të sëmura. Ai është implikuar në këtë rrugë edhe me Nexhip Vinçanin e Gjin Markun, kur këta zhvillonin veprimtari armiqësore kundër Partisë, por atëherë Komiteti Qendror bëri diferencimin, duke i dhënë mundësi Ramadanit që të ndreqej. Jeta tregon se ky nuk u shërua nga këto sëmundje të këqija dhe vazhdoi në rrugën e tij armiqësore kundër Partisë.

Ramadan Xhangolli është një njeri pa vlerë. Aftësia e tij është të thurë intriga dhe të zhvillojë punë grupazhi, pse sa për punën, dihet se kudo është treguar i pazoti, prandaj ka qenë shkarkuar tri herë si sekretar partie rrethi. Për të, më duket, është e tepërt të zgjatem më shumë, prandaj i propozoj Plenumit, që Ramadan Xhangolli të përjashtohet nga Komiteti Qendror dhe nga Partia. Për Thoma Delianën, do të thosha se ky nuk po tregohet i aftë për të drejtuar Arsimin dhe Kulturën. Ai nuk u tregua i mprehtë dhe vigjilent në diktimin e punës armiqësore të Fadil Paçramit, as organizator i mirë në ndjekjen e detyrave të rëndësishme ideologjike që kishte vënë Partia përpara shkollës dhe kulturës sonë socialiste. Ai ka lejuar të përhapen ide të sëmura në disa kuadro dhe institucione, ka lejuar in disiplinimin në dhënien e mësimeve dhe në kualifikimin e nxënësve. studentëve, mësuesve e pedagogëve, është treguar liberal në kërkesat për zbatimin e disiplinës shkencore në shkolla dhe në marrëdhëniet me njerëzit. Për këto unë mendoj se Thoma Deliana, nuk e kryen si duhet detyrën që i ka ngarkuar Partia, por e bën këtë me shumë të meta, gabime e boshllëqe, prandaj mendoj të paralajmërohet seriozisht për këto dobësi dhe propozoj t’i jepet një vërejtje e rëndë me shënim në kartën e regjistrimit, sikurse është propozuar edhe nga disa shokë.

Veprimtaria kryesore e armiqve sabotatorë me Pirro Gushon e Lipe Nashin, Abdyl Këllezin e Koço Theodhosin, si dhe bashkëpunëtorët e tyre, u zbulua dhe u likuidua. Ky është një sukses i madh që duhet të na forcojë ndërgjegjen dhe besimin në veprimtarinë e drejtë dhe shpëtimtare të Partisë, e cila na udhëzon e na udhëheq drejt në punën për ndërtimin e socializmit dhe në luftën e klasave kundër të gjithë armiqve që përpiqen të dëmtojnë Partinë dhe pushtetin tonë popullor. Prandaj të gjithë, Parti dhe popull, të çohen në këmbë dhe të mobilizohen për të kryer detyrat sa më parë e sa më mirë në të gjithë sektorët. Këto që ngjanë të na shërbejnë për të ngritur më tej vigjilencën revolucionare, në radhë të parë të komunistëve, dhe të të gjitha masave punonjëse të vendit tonë, pse armiku na sulmon dhe përsëri do të na sulmojë, prandaj të jemi vazhdimisht në luftë kundër armikut dhe të fitojmë ashtu sikundër kemi fituar kurdoherë mbi të. Shokë, Pas gjithë këtyre masave të domosdoshme që kemi marrë për spastrimin e udhëheqjes së Partisë nga elementët armiq, lind nevoja e plotësimit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror me shokë të rinj.

Ne kemi përjashtuar nga udhëheqja dhe nga Partia në Plenumin e 4-t, të 5-të, të 6-të dhe në këtë Plenum tre anëtarë dhe një kandidat të Byrosë Politike për veprimtari armiqësore. Shosha e Partisë qëroi nga udhëheqja “egjrën”, ajo flaku tej elementët antiparti, armiq të socializmit e të popullit dhe jemi të ndërgjegjshëm se me këtë punë do të forcohen më shumë Partia dhe udhëheqja. E kemi detyrë të domosdoshme që, për të siguruar vazhdimësinë, të ngremë shokë me moshë relativisht të re, të provuar në luftën e madhe që udhëheq Partia për ndërtimin e socializmit, për mbrojtjen e atdheut dhe të marksizëm-leninizmit nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Të sjellim në Byronë Politike elementë të klasës, me origjinë dhe me gjendje punëtore, sidomos nga ata anëtarë të Plenumit që, gjatë gjithë veprimtarisë së tyre, kanë treguar zotësi e konsekuencë në zbatimin e vijës së drejtë të Partisë. Tash Partia jonë ka përgatitur dhe ka kuadro rezervë të dalë nga gjiri i klasës sonë punëtore, besnikë të çështjes së atdheut e të socializmit, energjikë, të qëndrueshëm, komunistë e patriotë të zjarrtë. Lidhur me sa më sipër, propozoj që kandidatët e Komitetit Qendror: shokët Pali Miska, Llambi Gegprifti dhe Qirjako Mihali të ngrihen në anëtarë të Komitetit Qendrori. Meqë ju, shokë, u shfaqët dakord me sa u parashtrua, atëherë propozoj që të vijnë në Byronë Politike: Si anëtarë të Byrosë Politike:

Shoku Hekuran Isai. Lindur më 1933 në Peqin të rrethit të Elbasanit, me origjinë punëtore. Ka mbaruar Shkollën e Lartë të Partisë, pranuar në Parti më 1957. Vetë ka qenë tetë vjet punëtor, pastaj është ngritur vazhdimisht në udhëheqje të organizatës së ndërmarrjes, sekretar i Komitetit të Partisë të Rrethit të Elbasanit, pastaj sekretar i parë i komitetit të Partisë në rrethet Librazhd dhe Dibër. Në Kongresin e 5-të është zgjedhur kandidat dhe në Kongresin e 6-të anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së. Është deputet në Kuvendin Popullor. Duke qenë gjithnjë një aktivist i mirë shoqëror, ka milituar aktivisht në organizatat e masave. Vlerësohet si punëtor i palodhur dhe që vazhdimisht ka mbajtur qëndrime të drejta konsekuente parimore, është kurajoz, bën kritikë dhe autokritikë dhe lufton të ruajë cilësitë e mira të klasës punëtore. Shoku Hekuran Isai propozohet, gjithashtu, të zgjidhet edhe sekretar i Komitetit Qendror në vend të shokut Petro Dode, i cili propozohet të shkojë kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit e zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave.

Shoku Pali Miska. Lindur më 1931 në Bradvicë të Korçës, me origjinë fshatar i varfër. Familja e tij gjatë luftës e më pas ka mbajtur e mban qëndrim të mirë. Është pranuar anëtar partie më 1951. Ka mbaruar Institutin e Lartë Ekonomik. Ka punuar shtatë vjet punëtor sharre, më vonë është ngritur në përgjegjësi deri drejtor i Ndërmarrjes së Sharrave në Fushë-Arrëz. Më 1968 u zgjodh sekretar e mandej sekretar i parë i komitetit të Partisë të këtij rrethi dhe kohët e fundit sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Kukësit. Në Kongresin e 6-të është zgjedhur kandidat i KQ të PPSH-së. Si sekretar i parë në rrethin e Pukës ka drejtuar mirë, ka fituar përvojë si punëtor partie, është i lidhur me masat dhe gëzon respekt në organizatën e Partisë e në popullin e rrethit ku ka punuar. Me rastin e 30-vjetorit të Çlirimit i është dhënë titulli “Hero i Punës Socialiste”. Është deputet në Kuvendin Popullor. Gjithashtu propozohet që shoku Pali Miska të emërohet ministër i Industrisë dhe i Minierave.

Si kandidatë të Byrosë Politike: Shoku Llambi Gegprifti. Lindur në Potkozhan të Pogradecit më 1942. Me origjinë fshatar i varfër. Qëndrimi i familjes së tij gjatë luftës e më pas ka qenë dhe është i mirë. Pranuar në Parti më 1964. Vetë ka qenë për disa vjet punëtor. Ka mbaruar Fakultetin Gjeologji-Miniera, kursin e lartë njëvjeçar të ekonomisë politike pranë Shkollës së Partisë dhe vazhdon me korrespondencë degën mekanike të Fakultetit të Inxhinierisë. Në shkollë është dalluar si nxënës e student i mirë, ndërsa si inxhinier, punëtor partie e drejtor ndërmarrjeje ka bërë punë të frytshme e të palodhur, është dekoruar me Urdhrin “Për punë të shquar në miniera-gjeologji”, të Klasit të 2-të. Kudo është cilësuar si kuadër me partishmëri. është i ri, me aftësi dhe me perspektivë. Tip studioz, i thjeshtë, i ndershëm, masovik dhe gëzon simpatinë e respektin e masave kudo ku ka punuar. I papërtuar në punë dhe ka treguar aftësi të mira drejtuese e organizative, mbështetet në masat e vlerëson vërejtjet dhe mendimet e tyre. Në Kongresin e 6-të është zgjedhur kandidat i KQ të PPSH. Në dhjetor të vitit 1974 është emëruar zëvendësministër i Mbrojtjes Popullore, detyrë që kryen edhe tani.

Shoku Qirjako Mihali. Lindur më 1929 në Korçë, me origjinë punëtore, babai i tij ka qenë murator. Anëtar partie pranuar më 1949. Ka mbaruar studimet e larta për inxhinier i përpunimit të naftës. Qëndrimi i familjes gjatë luftës e më pas ka qenë dhe është i mirë. Gjatë nëntëmbëdhjetë vjetëve të punës së tij në bazë, në industrinë e përpunimit të naftës dhe në uzinën e nitrat amonit “Gogo Nushi”, është treguar punëtor i palodhur, ka bërë përpjekje për të kryer mirë detyrat, duke u mbështetur në masat, ka organizuar e ka drejtuar mirë punën, ka luftuar të njohë problemet e ndërmarrjes dhe të kryejë detyrat e planit. është shok me partishmëri, me aftësi dhe me cilësi të mira si komunist e si kuadër. Ka bërë vazhdimisht përpjekje për të rritur më tej nivelin e tij. Ai nuk është konfirmuar me veprimet armiqësore të Pirro Gushos e të Koço Theodhosit, prandaj ata janë orvatur ta shkarkonin nga detyrat që kishte. Që në Kongresin e 5-të është zgjedhur kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së./Memorie.al

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sarandë/ Aksident pranë fshatit Shijan, makina kthehet përmbys në një kanal gjatë rrugës! Lëndohen dy persona dhe dërgohen me urgjencë në spital

Sarandë/ Aksident pranë fshatit Shijan, makina kthehet përmbys në një kanal gjatë rrugës! Lëndohen dy persona dhe dërgohen me urgjencë në spital