Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Auron Rrokaj, kërkon më shumë fonde për vitin 2027, pasi institucionit i janë shtuar përgjegjësitë, por jo buxheti për t'i përballuar ato. Gjatë raportimit në Komisionin për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, Rrokaj kërkoi rikthimin e 10 milionë lekëve në tavanin buxhetor të institucionit, pas reduktimit të tij.
“Ligji na ka dhënë ngarkesa, por nuk na ka dhënë buxhetim për këto ngarkesa”, deklaroi Rrokaj gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2027.
Ai shpjegoi se ndryshimet ligjore të vitit 2024 i kanë shtuar Arkivit të Shtetit përgjegjësinë për administrimin e arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Për këtë arsye, numri i punonjësve është rritur nga 135 në 174, ndërsa institucioni ka marrë përsipër edhe detyra të tjera, si trajnimi i punonjësve të rrjetit arkivor në të gjithë vendin, digjitalizimi i dokumenteve dhe inspektimet.
“Detyra ime ka të bëjë me kujtesën e kombit dhe nuk ka kujtesë që të konvertohet në vlerë monetare. Megjithatë, që të funksionojë institucioni, ka nevojë për një buxhet”, u shpreh ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga Rrokaj lidhet me sigurinë e dokumenteve dhe të sistemeve online. Sipas tij, Arkivi ofron 100% të shërbimeve në internet, por 11 sistemet online kanë nevojë për kontrata mirëmbajtjeje, pasi niveli i ulët i sigurisë mund të sjellë ndërprerje të shërbimeve.
Ai kërkoi gjithashtu fonde për instalimin e kamerave të sigurisë dhe përforcimin e rrethimit të ambienteve ku ruhen dokumentet arkivore. Sa i përket digjitalizimit, Rrokaj tha se institucioni ka marrë detyrën për krijimin e një platforme që do të lidhë modulet e administratës publike për dokumentet, por realizimi i saj kërkon punonjës, fonde për paga dhe pajisje.
Lajmi kryesor:
Debate në komision për Asamblenë e PS, Zhupa: Reflektoni para se të përjashtoheni! Socialistet: Ju s’dini ku keni kryetarin, i keni lënë demokratët jetimë (VIDEO)









