Akuzat e Enverit në mbledhjen e Byrosë: Pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, menjëherë, unë thirra Kadrinë, Hekuranin dhe Ramizin

Akuzat e Enverit në mbledhjen e Byrosë: Pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, menjëherë, unë thirra Kadrinë, Hekuranin dhe Ramizin

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte.

Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                       TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                        PROCES-VERBAL

 

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU ENVER HOXHA: Për ta, ka ekzistuar një respekt i merituar, por edhe jo i merituar, dhe menjë fjalë për ta është krijuar një farë kulti. Dhe kulti krijohet, si nga familjariteti, ashtu edhe nga frika, sepse duhet të mos harrojmë që organet dhe repartet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, janë dy armë shtypëse të diktaturës së proletariatit, që drejtohen kundër elementit armik të brendshëm dhe të jashtëm. Në Ministrinë e Brendshme, varet shumë sesi e kupton ky ose ai funksionar i saj, direktivat e Partisë. Nëse e kupton mirë, atëherë dhe populli do ta dojë e respektojë. Por nëse e kupton keq, natyrisht që do të kultivohet frika dhe pasiguria në masa, gjë që godet Partinë.

Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, përveç analizave që kemi bërë në Byro, dua të theksoj se me shokun Kadri dhe me shokët e tjerë të Sekretariatit e të Byrosë Politike, natyrisht që kemi biseduar më shpesh për këto çështje. Por unë, kam biseduar veçanërisht me Kadrinë, me Hekuranin, dhe me Ramizin. Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, ne kemi punuar vazhdimisht që ta rregullonim pak situatën, ta vinim këtë në rrugë, prandaj kemi bërë mbledhje të shpeshta me njëri tjetrin, kemi këmbyer informata të shumta, pas të cilave kemi marrë vendime, brenda normave të Partisë e ligjeve të shtetit, që siç e dini, kanë konsistuar në arrestimin e një sërë bashkëpunëtorësh kryesorë të Mehmet Shehut.

Megjithatë, thelbit të problemit, nuk i jemi futur akoma. Tani derisa të arrijmë atje ku duhet, këtu ka dy gjëra. Çështja është që nëpërmjet hetuesisë, del e domosdoshme që ne të nxjerrim në shesh të gjithë veprimtarinë e këtyre elementëve armiq të rrezikshëm. Por rezultati në këtë drejtim, do të varet si nga dispozicioni i tyre, ashtu dhe nga zotësia e hetuesve tanë. Pra çështja për ne tani për tani, akoma nuk është e plotë. Deri më sot ne jemi përpara zbulimit të një veprimtarie armiqësore shumë të rrezikshme armiqësore kundër Partisë dhe Pushtetit, por, e kufizuar kjo në kohë dhe në njerëz.

Prandaj atë që kemi arritur, nuk duhet ta konsiderojmë si të vetmin mjet zbulimi të kësaj veprimtarie. Pastaj është çështja tjetër kryesore, që duhet të sqarojmë. Neve, na vihet si detyrë të dimë më mirë se ku kanë vepruar këta armiq, në ç’mënyrë kanë komunikuar me njëri tjetrin, çfarë mjetesh kanë përdorur dhe shfrytëzuar ligjërisht dhe jo ligjërisht, në mënyrë të hapur apo në mënyrë të fshehtë, çfarë agjenture kanë përdorur, format dhe metodat e zbulimit të këtyre të vërtetave dhe të gjitha këto, shoqërojnë hetuesinë personale që ju bëhet të arrestuarve.

Përveç të tjerave, kam biseduar disa herë me shokun Kadri, të cilit i kam thënë se ka bërë gabime, por edhe ai vetë e ka pranuar që ka bërë gabime, kur ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. “Kam bërë gabime nga mungesa e vigjilencës, nga familjariteti i sëmurë, ose nga mirëbesimi e dashamirësia”, më ka shpjeguar ai. Por për informatat që merrte apo kur ndodhnin akte armiqësore, a i lejohej ministrit të Brendshëm, të mbështetej qorrazi vetëm në besimin që ka pasur tek personi që ja ka paraqitur, duke mos u thelluar në to siç duhet, pa menduar për rrezikshmërinë që paraqisnin.

Këtë Kadriut, kurdoherë i’a kam shoqëruar me këshillën që të jetë i çiltër, se është komunist i vjetër dhe anëtar i Byrosë Politike, dhe ai e di mirë sesi luftohet me armikun. I kam kërkuar gjithashtu Kadriut që, të ndihmonte shokun Hekuran, pas vajtjes së tij si ministër i Punëve të Brendshme sepse ai, nuk e kishte eksperiencën e Kadriut dhe sigurisht që, kishte nevojë për ndihma dhe sqarime, sidomos në këto situata kaq të turbullta e të rrezikshme që na janë krijuar nga armiqtë. Siç po e marr vesh tani, nga diskutimi i shokut Hekuran, ndihma e Kadriut për të ka qenë shumë e kufizuar dhe, për çështje të dorës së dytë.

Por unë kisha dhe një qëllim tjetër, që e porosita Kadriun të ndihmonte Hekuranin dhe këtë gjë ta bënte jo me supozime, siç ka bërë ai gjatë kësaj kohe, por sidomos duke e vënë në dijeni për veprimet kryesore që janë bërë në MPB. Siç po del, asgjë dhe asnjë ndihmë, nuk i ka dhënë Kadriu Hekuranit në këtë drejtim. Është e pamundur që të kesh punuar 30 vjet në një dikaster, siç është Ministria e Brendshme, dhe atje të mos jenë nxjerrë akte dhe të mos jenë marrë vendime si të mira ashtu dhe të këqija. Sidomos kur tani, jemi duke zbuluar që atje ka vepruar një grup i rrezikshëm armiqsh.

Këtë Kadriu, e kuptoi apo nuk e kuptoi, nuk e di, por mendoj se ai nuk e ka kuptuar, prandaj dhe nuk i është thelluar punës së tij në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Një ditë ai, erdhi tek unë dhe më tha: “Shoku Enver, kam përgatitur një autokritikë”. Të them të drejtën, menjëherë ju përgjigja se nuk ishte nevoja për autokritikë pasi, të njohim, se ti ke punuar për një kohë të gjatë atje dhe është e natyrshme që ke bërë dhe gabime, i’u përgjigja. “Të lutem, më lejoni t’ju lexoj autokritikën dhe dëgjojeni”, më kërkoi ai.

Meqenëse nguli këmbë shumë, i thashë: “Epo mirë atëherë, po të dëgjoj”. Dhe e dëgjova autokritikën e tij. Pastaj kur më kërkoi që ta merrja në dorëzim këtë autokritikë, unë nuk pranova. Unë, nuk e mbaj këtë autokritikë i thashë. Po përse nuk e mbajta autokritikën e Kadriut, përderisa e kam për detyrë ta pranoj një autokritikë që, më vjen nga një shok, sidomos kur ai është anëtar i Byrosë Politike?! Të them të drejtën këtë, nuk ja shpreha në takim Kadriut, se nuk doja ta shqetësoja sepse, kishim punë të mëdha përpara në sektorin e Ushtrisë.

Prandaj i thashë që, nuk do ta mbaja, madje as që do ishte nevoja ta mbaja. Megjithatë shokë, dua t’ju them se ajo autokritikë e shkruar nga ana e Kadriut, ishte shumë e përgjithshme dhe nuk kishte ndonjë gjë të rëndësishme në përmbajtjen e saj. Ai atje, nëse nuk gabohem, vetëm pohonte që në Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë bërë gabime, prandaj nuk kishte sesi të shpëtonte prej tyre, se dhe ai vetë ka të meta, etj. Në autokritikë Kadri Hazbiu, godiste Mehmet Shehun si dhe të gjithë armiqtë e tjerë me radhë.

Por konkretisht, kjo autokritikë nuk më ngrohu fort. Dhe mendimi im i përgjithshëm, ishte ky, dhe këtë e thashë me vete që shoku Kadri, nuk është thelluar në analizën e punës së tij në Ministrinë e Brendshme, e kurdisur dhe e m’pleksur kjo edhe me veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut dhe të agjentëve që ky, ja kishte vënë Kadriut rreth e rrotull. Mirëpo tani, nëpër arkiva ekzistojnë fakte që po dalin në dritë njëri pas tjetrit dhe sigurisht do të ketë dhe të tjera, që do ti kishin kushtuar jetën Shqipërisë socialiste dhe popullit shqiptar.

Këto nuk munden të qëndrojnë të mbyllura që ti zërë pluhuri, sidomos pas gjithë atyre ngjarjeve të mëdha që kemi jetuar këto muajt e fundit, prandaj duheshin kërkuar nga ana jonë disa shpjegime shokut Kadri, sepse është i vetmi shok që është gjallë dhe që mund të na i shpjegojë ato. Lexova autokritikën që me këshillën time, i’u kërkua shokut Kadri për të diskutuar në Byronë Politike. Këtë autokritikë unë e hedh tërësisht poshtë si të papranueshme, se jo vetëm nuk është marksiste por ka plot shfajësime e dredhira, ka plot mohime e supozime, madje dhe me akuza provokuese kundër shokëve të Byrosë Politike.

Kadriu, përpiqet t’jua hedhë gabimet jo vetëm armiqve të Partisë, që janë dënuar apo kanë vdekur, por bën dhe disa insinuata për shokët e forumeve të Partisë, gjë që është shumë e rrezikshme pasi, ato janë shpifje, janë tentativa shfajësimi për gabimet që ai ka bërë gjatë punës gati 30 vjeçare në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Shoku Kadri, njeh në autokritikën e tij, gabimet dhe përgjegjësitë që ka në: “mos zbulimin e kësaj veprimtarie të egër”, si dhe për faktin se në këtë rrjet: “përfshiheshin kuadro me rëndësi të organeve të Sigurimit të Shtetit”, ku ai ka drejtuar.

Ai pranon që: “të gjithë luftën që ka bërë Partia jonë vazhdimisht me armiq të jashtëm e të brendshëm, të gjitha komplotet e rrezikshme, në të gjitha kohët, janë zbuluar e goditur nga Partia e nga shoku Enver. Kjo mungesë e këtyre organeve, përbën një dobësi të pafalshme në punën e tyre, dhe unë jam i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë që bie mbi mua”, thotë ai. Shoku Kadri, thekson se vigjilenca e tij ka qenë krejt e ulët dhe kontributi i tij, ka qenë i pamjaftueshëm, për zbulimin e punës së Mehmet Shehut si agjent.

Por nga ana tjetër, pasi i thotë këto gjëra të përgjithshme, Kadriu kërkon të shfajësojë veten dhe të minimizojë përgjegjësitë e tij. Ai thotë: “Këtu kam ndikuar edhe unë”, vini re “edhe unë”, domethënë si të gjithë ju dhe kisha besim në personin e Mehmet Shehut, por unë nuk e kam bërë detyrën si anëtar i Byrosë Politike. Që Kadriu nuk e ka bërë detyrën si anëtar Byroje, madje as si anëtar Plenumi, kjo vërtetohet dhe me atë që ka thënë në autokritikë: “Unë nuk kam siguruar gjithnjë dhe në nivelin e duhur, kuptimin e orientimeve të Partisë, dhe mbi këtë bazë, të bëhej edukimi i njerëzve nga të cilët kërkohej zbatimi i normave të kërkuara nga Partia”.

Por të mos zbatosh orientimet e Partisë, është një gjë e rrezikshme për çdo komunist. Neve, na është lodhur goja duke folur në parim dhe në praktikë, për të gjithë Partinë por veçanërisht për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Por në autokritikën e shokut Kadri, ne prisnim një analizë të thellë, jo vetëm për ndonjë gabim të rastit, që ngjet në punë e sipër një komunisti, qoftë dhe një anëtari të Byrosë Politike por, ai të na thotë, se si ka ndodhur që për 30 vjet që ai ka drejtuar Ministrinë e Brendshme, jo vetëm që nuk ka zbuluar veprimtari armiqësore antiparti, por tregon që kjo ministri ka qenë në dorën e tyre dhe ata, e kanë manipuluar këtë institucion si ka dashur.

Kjo, është një gjë shumë e rëndë. Po Kadriu, ç’ka parë e çka dëgjuar?! Çka bërë dhe si ka reaguar?! Këtë kërkon të dijë Byroja Politike. Këtu duhet të thellohet shoku Kadri, që të ndihmojë Partinë dhe në radhë të parë veten. Ne, nuk e njohim shokun Kadri për naiv e leshko që, t’ja hidhnin të gjithë ata që kishte përreth e në varësi të tij, ata “bukuroshë” që, i njohim të tërë, si: Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, Zoi Themeli, Llambi Peçini, e të tjerë maskarenj.

 

Shoku Kadri, nuk ishte nga ata që mbante distancë (nga ndrojtja ose respekti, siç ngjet pa të drejtë nga disa) me shokë të udhëheqjes në funksione të larta. Prandaj as Mehmet Shehu, e aq më pak Beqir Balluku, të cilët kishin lidhje operative e shtetërore me Kadri Hazbiun, nuk mund të shinin lëmë në MPB, pa e patur atë mik. Kjo, nuk mund të ngjiste.

Shoku Kadri, për t’u shfajësuar, thekson në autokritikë se, një tjetër gabim në punën e tij të dobët, ka qenë: “mungesa e vendosmërisë për t’i ngritur kudo e kurdoherë çështjet e gjërat ashtu siç i kam menduar, pasi kam pasur mendime të ndryshme për shumë çështje”, që na fakt janë çështje kapitale por siç pohon shoku Kadri, këto i ka quajtur të konsumuara në diskutimet me Mehmet Shehun e Beqir Ballukun, me të cilët kishte lidhje në rrugë shtetërore.

Në ndonjë rast, – thekson Kadriu – “kam ngritur edhe më lart mendimin tim” dhe më poshtë shton: “Mungesa e shokut Hysni në këtë kohë, kur analizohen çështje kaq të rëndësishme që lidhen me korrektësinë time ndaj Komitetit Qendror, e vështirëson sqarimin e mjaft prej tyre”. Por për këtë çështje, nuk po zgjatem, se ju folët të gjithë.

Implikimi i shokëve sekretarë që janë marrë me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes, dhe veçanërisht i shokut Hysni, është një tentativë komprometimi me qëllim të keq, një insinuatë e papranueshme dhe e dënueshme pasi, jo vetëm që ne njohim besnikërinë dhe partishmërinë e Hysniut, që vërteton se dhe në vitin 1975 ai, nuk dinte gjë për shkeljet e mëdha që ishin bërë në Ministrinë e Brendshme.

Përveç kësaj, unë jam gjallë, dhe Hysniu asnjëherë s’më ka ngritur vërejtje e dyshime për shokun Kadri. Vetë Kadriu, e thotë që, mundësitë për t’i shtruar gjërat deri tek shoku Enver, nuk më kanë munguar. Atëherë nëse ai ka pasur vërejtje e dyshime, pse s’mi ka thënë mua?!

Apo dhe këtu ka luajtur rol “përralla”, që përhapte Mehmet Shehu që: “Të mos e shqetësojmë shokun Enver”, me qëllimin djallëzor për të më izoluar nga shokët e nga punët. Unë këtë kurrë, se kam pranuar as atëherë e as tani. Jetën e kemi për Partinë, për Popullin, për Komunizmin. Unë izolimin nuk do ta lejoj e nuk do ta duroj sa të kem frymë./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse zgjedhjet bëhen sot, PS merr 46% të votave në Tiranë, thellohet avantazhi ndaj opozitës, rriten partitë e reja

Sondazhi/ Nëse zgjedhjet bëhen sot, PS merr 46% të votave në Tiranë, thellohet avantazhi ndaj opozitës, rriten partitë e reja