Akuzat e Llambi Gegpriftit në Byro: Që nga 1959-ta, ju Kadri, i keni dërguar udhëzime Puntorit Operativ në Moskë, që KGB-së, t’i jepeshin listat e agjentëve tanë

Akuzat e Llambi Gegpriftit në Byro: Që nga 1959-ta, ju Kadri, i keni dërguar udhëzime Puntorit Operativ në Moskë, që KGB-së, t’i jepeshin listat e agjentëve tanë

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte.

Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

                                                       Vijon nga numri i kaluar

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                        TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                      PROCES-VERBAL

 

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU MUHO ASLLANI: E para derisa shoku Prokop, komunikoi në miting që po asiston dhe antari i Byrosë Politike, nuk ishte nevoja që të thoshte dhe “Ministër i Mbrojtjes Popullore”?! Populli juve ju njeh, siç ju njohin dhe ata që ishin atje të pranishëm, edhe ata që ju panë nëpërmjet ekranit të televizorit apo ju dëgjuan nga radio, etj. Pra nuk ishte nevoja që të bëhej një prezantim kaq i hollësishëm për ty, derisa u tha dhe funksioni kryesor.

E dyta, ju u thatë gjithë shokëve për këtë në një kohë që atje, ishte dhe shoku Simon Stefani, dhe shoku Foto Çami, si dhe të tjerë. Prandaj përse e thelluat këtë çështje, deri tek anëtarët e tjerë të Byrosë Politike?! Ju thoni se i folët edhe shokut Hekuran, edhe shokut Ramiz, për këtë çështje. Unë, mendoj se as këtë nuk duhet ta kishit bërë, por duhet ti kërkonit më shumë si vetes, ashtu edhe të gjithë atyre që ju thoshin se po përhapen parulla ndaj teje. Ju, na thatë se ju erdhi në fillim një oficer, më pas një shofer, etj, që ju paskan folur për këto parulla.

Ndërsa ju, në vend që t’i kërkonit llogari atyre se nga i dëgjuan këto parulla, dhe pse merreshin me thashetheme, pavarësisht se aty flitej për ty, vini dhe qaheni tek shokët. Natyrisht edhe këtu në Byronë Politike, siç thanë shokët ju tregoheni mendjemadh sepse, shprehimisht e përsërisni shprehjen “avash avash, fajet po bien mbi mua”. Po, po, mbi ty do bien këto faje, pse si mendon ti, mbi cilin të bien tjetër?! Ti, i ke bërë këto faje se ke qenë ministër i Punëve të Brendshme, prandaj tek kush mund të bien në rast se nuk bien mbi ty?!

Ti i ke bërë ato, prandaj mbaj edhe përgjegjësi. Ju thoni se, keni lejuar familjaritetin ndërmjet teje dhe ndihmësve të tu kryesorë. Për këtë çështje Partia dhe shoku Enver, na kanë porositur gjithmonë që mos të biem në rrugë familjariteti, por me rreptësi të kërkojmë zbatimin e detyrave të Partisë. Këtë frymë ju, duhet ta kishit futur në tërë efektivin e Ministrisë së Brendshme, dhe natyrisht tani në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore.

Në autokritikë ju, kërkoni që Partia të kthjellojë veprimtarinë armiqësore të zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Unë mendoj se në radhë të parë këtë gjë, duhet ta bëni ju pasi ju, keni dijeni më shumë se kushdo për këtë veprimtari armiqësore. Shoku Enver na porosit gjithmonë që të forcojmë vigjilencën revolucionare. Këtë vigjilencë ju, e keni dobësuar, e keni ulur fare, dhe ju keni dorëzuar çdo gjë që kanë kërkuar revizionistëve sovjetikë dhe aleatëve të tyre. Për këtë duhet të thelloheni dhe t’ja shpjegoni Byrosë Politike, se pse i keni bërë të gjitha këto dhe se, pse e gjithë kjo veprimtari u zbulua nga Partia e shoku Enver, dhe jo nga ju.

Jam dakord me masat e propozuara, që Kadri Hazbiu të përjashtohet nga Komiteti Qendror, nga Byroja Politike, të shkarkohet si ministër, dhe t’i lihet organizatës bazë të Partisë, atje ku militon që ta gjykojë nëse do jetë apo jo, anëtar i saj.

SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Tani, për të mos përsëritur ato probleme që thanë shokët, diskutimin që kam përgatitur po e dorëzoj të plotë me shkrim vetëm se, dua të them se solidarizohem me propozimin që bënë gjithë shokët për Kadri Hazbiun. Studiova me kujdes autokritikën e shokut Kadri Hazbiu, me qëllim që të njihesha dhe të mësoja shkakun se përse Ministria e Punëve të Brëndshme, me shokun Kadri në krye për dekada të tëra, nuk kanë pasur mundësi të zbulojnë e të godasin, qoftë dhe një grup komplotist kundër Partisë, kundër Popullit, dhe kundër Shqipërisë?!

Përse shoku Kadri në punën dhe veprimtarinë e tij si ministër i Punëve të Brendshme, ka bërë gjithë ato gabime të rënda, për të cilat sot këtu po i kërkohet llogari?! Në autokritikën e tij ne, prisnim të mësonim shkaqet, burimet, dhe arsyet e vërteta, të gabimeve, fajeve, dhe të metave, të tij në veprimtarinë si ministër i Punëve të Brendshme. Por atë çka prisnim ne, nuk e pamë tek ai.

Në autokritikën e tij, nuk e gjen një gjë të tillë përkundrazi ai mundohet që ti fshehi ato, të mos e thotë të vërtetën siç është, madje në mjaft raste kërkon që të bëjë ortak në fajet dhe gabimet e tij të rënda në Komitetin Qendror të PPSH-së. Ose t’ua hedhë ato edhe shokëve të tjerë të sektorit të Komitetit Qendror, përfshi këtu edhe shokun Hysni Kapo. Në këtë autokritikë, nuk del fare se ku qëndron përgjegjësia e madhe e tij si ministër i Punëve të Brendshme që e ka lënë Partinë dhe veçanërisht shokun Enver, të ekspozuar plotësisht ndaj çdo lloj rreziku të madh që është organizuar dhe ndërmarrë nga grupet komplotiste për dekada me radhë.

“Mbi mua – thoni ju, – ka ndikuar presioni i armiqve që më rrethonin dhe pa ndërgjegje kam rënë në këtë gabim që më ka dëmtuar rëndë”. Por ama nuk thoni se cilat janë arsyet dhe shkaqet e vërteta që presioni i armiqve që të rrethonin, të paska nënshtruar, dhe të ka bërë për vete duke realizuar efektin e tij mbi ty?! Nuk na thoni njëkohësisht se cili është boshllëku juaj ideologjik, tek i cili paska bërë efekt ky presion?! Përse tek ju, nuk kanë gjetur zbatim mësimet e Partisë dhe të shokut Enver të cilat ju në veçanti, i kishit pasur gjithnjë pranë dhe në mënyrë të vazhdueshme?!

Ju, keni mbajtur madje dhe me studentët e Shkollës së Partisë mbi luftën e klasave, mbi presionin e gjithanshëm që bëjnë armiqtë e jashtëm e të brendshëm, ndaj nesh. Atëherë ju, që flisnit me kaq zell dhe forcë, për rritjen e vigjilencës për t’i bërë sytë katër ndaj armiqve, përse ratë në gjunjë para presionit të armiqve?! Përse nuk krijuat as më të voglin dyshim për veprimtarinë e tyre të vazhdueshme armiqësore?! Si mund të pranojmë ne se ju, paskeni rënë në këto gabime pa ndërgjegje?! Këtë nuk e pranon askush.

Veprimet dhe në tërësi puna si kudo, por veçanërisht për natyrën që ka ajo në Sigurim bëhen të matura dhe të peshuara mirë. Prandaj ajo që keni bërë ju, është një veprimtari plotësisht e ndërgjegjshme. Njeriu në një moment të caktuar, mund të bëjë ndonjë veprim të gabuar por kur e kupton këtë, reflekton për gabimin e bërë që të nesërmen. Ndërsa për ju, nuk është fjala për një gabim të momentit, por për një vazhdimësi gabimesh e të metash gjatë gjithë punës suaj si ministër i Punëve të Brendshme.

Të mendojmë për një çast se gabimet dhe të metat tuaja, janë realizuar pa qëllim të keq por ne, nuk mund të themi se ato janë bërë në mënyrë të pavetëdijshme nga ana juaj. Përkundrazi ato, janë bërë të vetëdijshme dhe pa dijeninë e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe në mënyrë të fshehtë prej tij. “Një tjetër gabim në punën time të dobët – thoni ju – e shoh tek mungesa e vendosmërisë për të ngritur kudo dhe kurdoherë çështjet dhe gjërat ashtu siç i kam menduar”. Ne që të njohim ty, ky justifikim na duket krejt i pabazuar dhe i çuditshëm.

Ashtu si dhe shokët, unë mendoj se juve asnjëherë nuk ju ka munguar vendosmëria për t’i ngritur çështjet atje ku duhet, përkundrazi do të thosha se në këtë drejtim juve jeni shumë i avancuar. Ju, keni ngritur probleme e çështje të ndryshme para Komitetit Qendror e shokut Enver, madje kohët e fundit siç keni thënë vetë e keni vënë në dijeni shokun Enver, dhe mirë keni bërë për punën e këtij apo atij grupi shkencor në ushtri, për traktorin ‘DT-75’, për ta adoptuar dhe kthyer në kohë luftë në një mjet të blinduar, e probleme të tjera si këto.

Atëherë si shpjegohet që për probleme kardinale të një rëndësie të veçantë, për punën në Sigurim, ju nuk keni ngritur asgjë para Partisë dhe shokut Enver?! Se pse e keni bërë këtë, ju nuk na jepni shpjegime që ne, kërkojmë ti dimë?! Më poshtë në autokritikën tuaj, ju thoni një gjë që bie në kundërshtim me atë çka thuhet më lart. “E theksoj se mundësitë për t’i shtruar gjërat te shoku Enver, nuk më kanë munguar”.

Kjo është e vërtetë, prandaj kërkojmë të dimë se pse nuk i keni shtruar gjërat te shoku Enver?! Siç del ju, jeni kufizuar për t’i ngritur ato vetëm tek armiku Mehmet Shehu, nga i cili vareshit si ministër. Prandaj edhe kësaj pyetjeje me rëndësi kapitale që t’u bë sot në mbledhje, ju nuk ju përgjigjët, por mundoheni të na mashtroni duke na thënë: “se kam vënë në dijeni Komitetin Qendror”, etj.

Ju theksoni se “mungesa e shokut Hysni në këtë kohë, që po analizohen çështje kaq delikate që lidhen dhe me korrektësinë time ndaj Komitetit Qendror të PPSH-së e vështirëson sqarimin e mjaft prej tyre”. Ku qëndron kjo korrektësia juaj ndaj Komitetit Qendror të PPSH-së?! Korrektësi e quani ju, veprimin tuaj që asnjëherë nuk e keni vënë në dijeni Komitetin Qendror për problemin e agjenturës sonë me jashtë?! Korrektësi e quani ju faktin, se që nga viti 1955, sovjetikët kishin dijeni të plotë për agjenturën tonë dhe për këtë, Komiteti Qendror i PPSH-së, nuk di gjë fare?!

Korrektësi e quani ju, se që nga viti 1959 i keni dërguar udhëzime Punëtorit Operativ në Moskë që, organeve të Sigurimit sovjetik, t’ju jepeshin në lidhje gjithë agjentët tanë?! Korrektësi e quani ju, dërgimin tinëz Komitetit Qendror të listave, fotografive, dhe dokumenteve, të bashkëpunëtorëve tanë, KGB-së?! A nuk përbënin këto të fundit, një kontingjent të përshtatshëm agjenturor për revizionistët sovjetikë, dhe këta të fundit e shfrytëzuan këtë mundësi që jua dhatë ju?!

Juve edhe sot, me gjithë ndihmën e madhe që të dhanë shokët dhe vetë shoku Enver, duke të të sjellë fakte të reja për t’ju ndihmuar, si dhe një sërë këshillash prapë se prapë nuk po reflektoni, dhe nuk po e ndihmoni as Partinë, as veten tuaj, për të nxjerrë përgjegjësinë e madhe që keni, korrektësi e quani ju këtë?! Korrektësi e quani ju, dërgimin e një vëllimi të madh dhe të rëndësishëm të dokumenteve sekrete të Sigurimit tonë, shkollës së Sigurimit në Bashkimin Sovjetik?!

Ju ja keni adresuar asaj shkolle me pretekstin që: “t’i mësonin studentët tanë”, por kjo në optikën time, është bërë me hile për të fshehur qëllimin e vërtetë se në fakt të gjitha ato dokumente i janë dorëzuar KGB-së e cila, i ka shfrytëzuar me zell për të realizuar qëllimet e saj. Pra këto dokumente, ju kanë hyrë në punë jo studentëve tanë, por Sigurimit sovjetik. Mjaft nga këto materiale që lexuam, nuk i ka as sot e kësaj dite, as shkolla jonë e lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për arsye se për natyrën sekrete të tyre, s’ka përse t’i ketë. Atëherë po shkolla e KGB-së përse duhet t’i kishte?!

Dhe e gjithë kjo është bërë në pas shpine nga ana juaj. Korrektësi e quani ju, gjithë këtë veprim të rëndë?! Ju thoni se nuk ju kujtohet nëse kishit autorizuar ose jo armikun Llambi Peçini, për t’jua dhënë zyrtarisht rusëve ato materiale që lexuam dhe se normalisht ato duhet t’i firmosnit ju ose në mungesë tuaj, ndonjë zëvendësministër. Mirëpo ky material, është firmos nga Sekretari i Sekretariatit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me porosinë dhe urdhrin tuaj. Madje kjo, është shumë normale të firmosej nga ai dhe jo nga ty, duke pasur parasysh instancën të cilës i adresoheshin këto dokumente.

Fakti që Llambi Peçini, ka qenë agjent i të huajve që në atë kohë, nuk mund ta lejonin atë që të firmoste një dokument kaq të tillë sekret, ndryshe ai do të zbulohej si agjent që ishte. Pra dhe logjika më elementare të bën të gjykosh se ju, ishit urdhëruesi i dërgimit të dokumenteve, dhe jo Llambi Peçini, siç pretendoni ju. Ju, thoni se mungesa e shokut Hysni, e vështirëson sqarimin e mjaft prej këtyre problemeve. Këtu ju bëni një gabim tjetër, pasi mundoheni të bëni ortak në veprimet tuaja edhe shokun Hysni.

Ne, jemi të bindur që shoku Hysni nuk ka pasur dijeni për këto veprime që janë bërë me agjenturën e vendeve të huaja. Për këtë në mungesë të shokut Hysni, flasin dokumentet që kemi në dorë. Shoku Hysni në vitin 1975, kur i shkruan armikut Mehmet Shehu për personat bashkëpunëtorë të sigurimit vendas, nuk kishte dijeni fare për ta. Pra si mund të besojmë ne që ai, paska pasur dijeni për këto çështje në vitin 1960?! Pastaj ju si ministër i Punëve të Brendshme, duhet që të vinit në dijeni për këto probleme të rëndësishme, Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të PPSH shokun Enver Hoxha./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion