Avokatët e Ilir Metës paralajmërojnë se javën e ardhshme do të publikojnë videon e një politikani që merr para dhe është i përfshirë në çështjen CEZ-DIA, fakt që sipas tyre përjashton përfshirjen e Metës në këtë skemë.

“Eliminimi politik i zotit Meta nuk është thjesht një plan afatshkurtër, është një plan afatgjatë dhe kuptohet që donin ta implikonin me shumë fakte penale. ne po paraqesim tek ju se si ata në perceptimin publik të videos së famshme të 2011-ës, në rast se do të kishte i ndjeri Dritan Prifti një fakt penal kundër zotit Meta, nuk do të bënte videon ku dyshohet që ka edhe një video për zotin Dritan Prifti, por ai do të sillte si fakt penal konkret rastin CEZ-DIA. Ne do na lejoni që në konferencën e radhës do ju nxjerrim një material ku duket qartë me emër dhe mbiemër politikani, i cili do të marrë para në dorë nga kjo marrëveshje e famshme që është CEZ-DIA, që nuk ka lidhje fare i mbrojturi prej nesh zoti Ilir Meta”, tha avokati Gylsen Zhllima.

Në një konferencë për shtyp, dy avokatët Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima flasin për një skemë që sipas tyre ka pasur si qëllim eliminimin politik të Metës që nga viti 2011-të.

“Janë të njëjtët aktorë që Metën kanë dashur ta penalizojnë publikisht për akuza që nuk qëndrojnë dhe afera korruptive që nuk ekzistojnë. Kjo është çështje e montuar nga ata që kishin interes, por edhe nga SPAK.  

Kallëzimi penal ndaj Metës është kallëzim i pabazuar në asnjë provë, në asnjë fakt, në asnjë dëshmi dhe në asnjë akt zyrtar, pasi vërtetohet qartë që ka qenë një kallëzim i stisur, që ka pasur për qëllim për të penalizuar Metën. Kallëzimi i Metës s’ka qenë i personave që kanë dijeni, por ka qenë kallëzim që ka patur prapavijë politike dhe ashtu vazhdoi edhe më pas edhe regjistrimi penal, arrestimi, apo akuzat e montuara nga SPAK”, tha Cakrani.

Avokatët e Ilir Metës thonë se me një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në vitin 2026, Irena Gjoka, sot gjyqtare paraprake e dosjes ‘Meta’, ka vendosur konfiskimin për pasuritë e biznesmenit Kastriot Ismailaj. Por, dy avokatët thonë se është e çuditshme se si vetë Gjoka nuk ka kërkuar përjashtimin nga seanca paraprake e dosjes Meta, pasi ka gjykuar në të shkuarën Ismailajn.

“Vendimi gjyqësor i Gjykatës së shkallës së parë të krimeve të rënda, që është kryesuese zonja Irena Gjoka, e cila ka konfiskuar pasuritë e zotit Kastriot Ismailaj. E kuptoni qartë se është e pamundur që në një proces gjyqësor dhe penal, gjykatësi mos të shikojë dhe mos të kërkojë vetë përjashtimin kur brenda akteve ndodhet emri i vetë dhe aty duhet të paktën të kërkojë që të heqi dorë për shkak se ka gjykuar në të shkuarën dhe në vitin 2016 pasurinë e personit të cilët janë i kanë konfiskuar pasurinë. Pra, e thënë me pak fjalë, për ata që besojnë tek drejtësia e pavarur e paanshme te GJKKO-ja, e cila është e pastruar nga ‘vetingu’, tregohet qartë që zonja Irena Gjoka është pothuajse te rasti i zotit Berisha, zotit Mediu, tek rasti i zotit Meta dhe ku ka opozitarë, zonja Gjoka është relatore dhe vendos gjithmonë në disfavor të opozitarëve.

Si ka mundësi që e njëjta gjykatëse të jetë edhe gjykatëse e seancës paraprake ndaj zotit Meta. Pra, i dhanë seancën paraprake, i dhanë mundësinë që të shikojë dhe të gjykojë dhe të hetojë, i nderuar koleg, në mënyrë të paanshme, të pavarur zonja Irena Gjoka, aktet kundër zotit Meta dhe ajo nuk tha të paktën një fjalë për sa i përket vendimit të 2016-ës, ku ajo vetë është e përfshirë për shkak se ka bërë konfiskimin e pasurive të Kastriot Ismailajt”, tha avokati Zhllima.

Sipas SPAK, Meta kishte objektiv të përfitonte 10 milionë euro nga afera CEZ-DIA dhe për këtë do të shfrytëzonte Ismailajn.