TIRANË - Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka reaguar në lidhje me deklarata e bëra nga ministri e Drejtësisë, duke i kërkuar që të mos bëjë shantazhe tek gjykatët. Me anë të një njoftimi për median, “KLD i kërkon Ministrit të Drejtësisë dhe të gjithë aktorëve të tjerë që të mos i bëjnë shantazh gjyqtarëve, por të fokusohen në zgjidhjen e problemeve që ndikojnë në reformimin e sistemit të drejtësisë në mirëfunksionimin e gjykatave”.
 
“KLD shpreh keqardhjen për prononcimin e sotëm në media të Ministrit të Drejtësisë, prononcim i cili shkon në një rrugë totalisht të kundërt me bashkëpunimin e frytshëm ndërinstitucional që duhet të kenë institucionet në vendin tonë, bashkëpunim i cili më së pari dhe më së fundmi është detyrim burimor i Kushtetutës”, thuhet në komunikimim me media të KLD-së.
 
KLD bën të ditur se, “vetëm në vitin 2013 Ministrit të Drejtësisë i janë dërguar 24 relacione për procedime disiplinore për 16 gjyqtarë, dhe vetëm në vitin 2014 i janë dërguar 14 relacione për të iniciuar procedime disiplinore për 10 gjyqtarë”.
 
KLD shkruan se, duan “të informojmë opinionin publik se Këshilli i Lartë i Drejtësisë i vlerëson me shumë seriozitet procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve, procedime që në fakt kanë qënë vetëm iniciativë e inspektoratit pranë KLD, për t’u dërguar më pas nga zëvendëskryetari i KLD në drejtim të Ministrit të Drejtësisë”.
 
“Duke pasur në konsiderate faktin, se Ministri i Drejtësisë, është i vetmi organi i cili ka me ligj të drejtën ekskluzive të iniciojë procedimin disiplinor për gjyqtarët, sqarojmë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është në unison të plotë me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë të cilët sugjerojnë se ka ardhur koha që kjo e drejtë, ky ekskluzivitet, të mos i lihet Ministrit të Drejtësisë”, theksohet në deklaratën e bërë nga ana e KLD-së.
 
“Edhe një herë garantojmë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë është i vendosur të vazhdojë përpjekjet e tij për konsolidimin e sistemit të drejtësisë dhe mirëpret çdo sugjerim konstruktiv për përmirësimin e standardeve përmes zgjidhjeve konkrete dhe jo ngritjes së pengesave artificiale”, përfundon njoftimi i bërë nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke iu përgjigjur Ministrit të Drejtësisë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)