Akuzat e Pali Miskës: Nuk mund t’i lësh përsipër ti, Kadri, shokut Hysni Kapo, veprime të tilla kaq të fëlliqura, se…/ Debatet në mbledhjen e Byrosë, 8 tetor 82

Akuzat e Pali Miskës: Nuk mund t’i lësh përsipër ti, Kadri, shokut Hysni Kapo, veprime të tilla kaq të fëlliqura, se…/ Debatet në mbledhjen e Byrosë, 8 tetor 82

Mbledhja e Byrosë

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim.

Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                        TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                            PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

 Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU PALI MISKA: Vihet pyetja: Ku e ka gjetur këtë guxim të kaq të madh Kadri Hazbiu, që të dërgojë jashtë shtetit, pa pyetur fare Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror, shokun Enver, dokumente sekrete të një rëndësie shumë të madhe. Këto janë veprime të pafalshme, që Kadriu në autokritikën e tij i kalon pa u vënë theksin fare. Ato që përpiqet “të sqarojë” Kadri Hazbiu, se mungesa e shokut Hysni, e bën të vështirë shpjegimin e disa veprimeve, mendoj se nuk qëndron fare. Nuk mund t’i lësh përsipër ti, Kadri Hazbiu, shokut Hysni Kapo, veprime të tilla kaq të fëlliqura, se shoku Hysni, përveç të tjerave, ka qenë shumë rigoroz.

Për çdo problem që vihej në dijeni, mendimin e vet, dhe porosinë që formulonte, ai gjithnjë e jepte me shkrim dhe në mënyrë shumë të qartë, dhe gjithnjë, nënvizoj, brenda normave dhe vijës së Partisë. Por unë theksoj, dhe për këtë jam plotësisht shumë i bindur, se për disa çështje, jo vetëm që nuk është marrë mendimi i shokut Enver, por nuk është marrë as mendimi i shokut Hysni. Drejtimi i Partisë, duhet të sigurohet në tërë vazhdimësinë e organeve të punës së Sigurimit të Shtetit, për rrjedhim, mësimet e orientimet e Partisë dhe të shokut Enver për këto organe, kanë qenë të vazhdueshme, të drejta dhe të qarta.

Me këtë dua të them, se shoku Enver gjithmonë ka porositur që, armiqve t’i mbyllet rubineti. Edhe në atë periudhë, kur ne ishim në marrëdhënie të mira me Bashkimin Sovjetik, shoku Enver, asnjëherë nuk ka thënë që t’u hapeshin rubinetat, revizionistëve sovjetikë.

SHOKU ENVER HOXHA: Sipas Kadriut, po. Sipas atij, i paskam thënë unë “mbylle rubinetin”, se përpara, i paskësh thënë ta hapte! Ja deri këtu, shkon provokacioni i tij.

SHOKU PALI MISKA: Posi, edhe unë kështu e quaj këtë shoku Enver, një akuzë nga ana e Kadri Hazbiut, një akuzë që i bëhet Komitetit Qendror. Po ju shoku Enver, gjithnjë armiqve, i keni dhënë atë që meritojnë, këtë le ta dëgjoj shoku Kadri, bile edhe miqtë, asnjëherë dhe për asnjë rast, shoku Enver nuk i ka bërë zot shtëpie. Pra, ajo që thotë Kadri Hazbiu, se shoku Enver aty nga viti 1960, e ka porositur që t’u mbyllë rubinetat sovjetikëve, nuk qëndron. E mira dhe e udhës do të ishte, që Kadriu, kur e thirri shoku Enver, aty nga mesi i viteve gjashtëdhjetë, t’i kishte thënë atëhere, se unë, Kadriu, e kam hapur rubinetin pa dijeninë tënde deri në fund, të mos ja fshihte shokut Enver në atë kohë atë që kishte bërë dhe të merreshin masa që në atë kohë, për të ndrequr gjendjen, që të mos dëmtohej puna.

SHOKU ENVER HOXHA: Gjithnjë atë rubinet të madh, që ai nuk ja kish treguar as Hysniut, e jo më pastaj mua.

SHOKU PALI MISKA: Po, bile këtë të theksonte dhe tani në autokritikën e tij dhe të mos thotë se e mori porosinë aty nga mesi i vitit 1960. Pra, ketë veprim që i ka sjell dëm të madh Partisë, Kadriu e ka fshehur dhe vazhdon ta fshehë, duke u munduar në autokritikën e tij që të justifikohet, por që nuk ka asnjë bazë. Po hoqe dorë nga sigurimi i udhëheqjes, nga kontrolli i Partisë, me siguri, do të bësh gabime të rënda, ashtu siç ke bërë ti Kadri Hazbiu, dhe nën shembullin tënd, e theksoj, nën shembullin tënd, kanë bërë gabime dhe të tjerët në ministri, ose nga gabimet që ke kryer ti, kanë përfituar armiqtë, të brendshmit dhe të jashtmit, të cilët nuk kanë lënë gjë pa bërë, për likuidimin e Partinë dhe të socializmit në Shqipëri.

Të fundit kam çështjen që Kadri Habziu, duke qenë se ju kërkua që të bënte autokritikën me shkrim dhe këtë duhesh ta bënte, duhej të theksonte në të edhe anët negative të karakterit të tij, si kuadër e udhëheqës, të cilat nuk janë të parëndësishme dhe as të vogla. Kadri Hazbiu, thotë se nuk ka prirje karrieriste. Kjo mund të jetë edhe kështu, por disa fakte dhe shfaqje nga ana e tij, tregojnë të kundërtën, që ti ke prirje për karrierë. Këtë e pohon edhe vetë, që ke krijuar një kult rreth personit tënd, rreth detyrave që të ka caktuar Partia.

Mirëpo ti, nuk e zbërthen se ç’është ky kult dhe ç’qëllim ka?! E them këtë, se në shumë raste, por sidomos në mbledhjet e qeverisë, edhe kur drejtonte armiku Mehmet Shehu, ky nuk ta kish prerë ty Kadri, asnjëherë fjalën, nuk ta kish prerë asnjëherë  diskutimin, siç ua bënte shumë të tjerëve. Edhe tani që drejton qeverinë shoku Adil, u ke ndërhyrë dhe vazhdon t’u ndërhysh anëtarëve të qeverisë, por ashtu siç je, ulur, pa i përfillur fare ata në mbledhje, je munduar të japësh konkluzione dhe të bësh vlerësime që nuk të takojnë ty, por kryetarit të qeverisë.

Edhe në marrëdhëniet me kolegët e tu, me ministrat, jashtë mbledhjeve, ka shumë raste që i ke nënvlerësuar, dhe jo njëherë, por shumë herë. Ti je treguar arrogant edhe prepotent e, bile deri në mbledhjet e qeverisë, pa lëre në takimet me shokët. Ka pasuar pastaj raste kur i ke ofenduar shokët, dhe këto veprime jo të drejta, të janë vënë në dukje, por ti nuk ke përfillur kritikat që të janë bërë, duke u munduar t’u vësh këtyre, epitetet e nxitimit. Kështu ishte edhe rasti i fundit, me atë që ndodhi në Pezë, që thua se u nxitove, që i the vetë “kastravecllëk”, qëndrimit të shokut Prokop, atje.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po kur më janë vënë mua në dukje këto? Jo, jo, nuk është ashtu!

SHOKU PALI MISKA: Ja, ta mbaroj diskutimin, pa ta them unë këtë. Pse nxitohesh, ja ta bëj pyetjen unë dhe tani? Kush të shtyn në këtë? Ja, sedra e sëmurë, është karrierizmi, mendjemadhësia, bërja qejfin vetes. Shumë ja bën qejfin vetes, ti Kadri Hazbiu, kur thua se ata qindra e mija punonjës që kishin ardhur për festë në Pezë, syrin dhe mendjen e kishin pasur te ty, meqenëse shoku Prokop, nuk të paraqiti edhe si ministër i Mbrojtjes, sikur nuk të di populli ty, që je edhe drejtues i kësaj ministrie, se thua që pati reagime ndaj kësaj, etj. Unë të siguroj, se populli, as që e vuri re fare, këtë që thua ti, por ty të duket kështu, nga ajo që përpiqet t’ja bësh qejfin shumë vetes, se ke koncepte dhe mendime të gabuara, që i dënon rëndë Partia.

Si konkluzion, dëshiroj të vë në dukje se Kadri Hazbiu, mban një përgjegjësi shumë të madhe përpara Partisë dhe popullit, për mos zbulimin e tërë kësaj veprimtaria armiqësore të gjatë, shumë të egër dhe me pasoja mund të themi katastrofike për Partinë, për popullin, për socializmin në vendin tonë, prandaj për këtë, ai duhet të përgjigjet dhe të ndëshkohet rëndë, me ato masa që propozoi shoku Simon, me të cilat jam dakord dhe unë.

SHOKU ENVER: Dëshiron të flasë shoku Rita.

SHOKU RITA MARKO: Diskutimin, edhe unë e kam përgatitur në parë për Kadri Hazbinë, duke qenë i qartë për mungesën e vigjilencës nga ana e tij si ministër i Punëve të Brendshme, për shkelje të mëdha të sekretit shtetëror në organet e Sigurimit të Shtetit, për dobësi të mëdha në punën e zbulimit të armiqve më të rrezikshëm nga ana e organeve të Punëve të Brendshme dhe për autokritikën e tij që lexuam. Nga tërë analizat që kemi bërë deri tani në Byronë Politike në Komitetin Qendror dhe në Plenumin e fundit, ku shoku Enver na parashtroi “Tabllonë sinoptike mbi veprimtarinë agjenturore të Mehmet Shehut”, del se veprimtaria armiqësore e këtij krye-agjenti, ka qenë shumë e vjetër, e rrezikshme, dhe e gërshetuar me të tëra agjenturat e më të rrezikshme që ekzistojnë në botën kapitalisto revizioniste, ajo ka qenë e vazhdueshmen dhe tepër aktive dhe në krye të çdo veprimtarie armiqësore që është zhvilluar kundër Partisë dhe vendit tonë.

Kjo agjenturë dhe ky krye-agjent në shërbim të shumë patronëve, përveç shumë punëve kriminale që ka bërë, ka vënë në shërbim të armiqve edhe një pjesë të kuadrove kryesorë të Sigurimit të Shtetit. Kështu, me punën e tyre në këto organe, i është sjell një dëm i madh Partisë dhe shtetit, deri në orvajtjen për likuidimin e tërë fitoreve të revolucionit, të udhëhequra nga Partia dhe shoku Enver. Por këtyre qëllimeve, armiqtë s’ja arritën dhe s’do ja arrijnë dot kurrë, të likuidonin udhëheqësin e Partisë dhe të popullit tonë, shokun Enver, të vinin vendin tonë në shërbim të të huajve, edhe ta kthenin atë në një vend kapitalist, në një koloni.

Armiqtë e Partisë, atë që synonin qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe që nuk e bënë dot, që e filluan në Berat dhe nuk ja arritën dot qëllimeve, nuk e realizuan dot as me ardhjen e Hrushovit në fuqi. Ata u orvatën dhe bënë presione të hapura të rehabilitonim grupin armiqësor të Koci Xoxes, veprim ky që udhëheqja sovjetike me Susllovin dhe Jugosllavët, na e kërkuan edhe zyrtarisht, që të na kthenin me një fjalë në Plenumin e Beratit, të pranonim të ashtuquajturat gabime të udhëheqjes sonë, në marrëdhëniet tona me Jugosllavët, ose të bënin atë që realizuan në vendet e tjera të demokracive Popullore, si në Poloni, Hungari, Rumani e gjetkë.

Për këtë çështje, shoku Enver thotë se ardhja në fuqi e Hrushovit dhe Kongresi i XX-të sollën afrimin e revizionistëve sovjetikë me ata titistë, për të ndryshuar gjendjen në lëvizjen komuniste ndërkombëtare, sidomos në vendet e demokracisë popullore. Këto ishin, si të thuash, në rrugën më të afërt, ndërsa agjentura me Koci Xoxen me shokë dhe me Mehmet Shehun e të tjerë që vepronin brenda vendit tonë me një konspiracion të madh dhe me dorë të lirë nga organet e Sigurimit të Shtetit, domethënë në shpinën e Partisë.

Në atë ashtuquajturën autokritikë të tijë, Kadriu thotë se Sigurimi nuk e ka kryer si duhet detyrën, nga tradhtia në drejtim. Tani, këtë duam ne të na thoni Kadri, si ka vepruar kjo tradhti në drejtim të organeve të Sigurimit të Shtetit, pse, sa lexova në autokritikë, nuk bëhet asnjë analizë në këtë çështje, nuk ka sinqeritet, po veçse ka një dozë të madhe fodullëku nga ana jote.

Ju, mesa di unë, shumë herë jeni kritikuar, si vetë, ashtu dhe vartësit tuaj për familjaritet të sëmurë. Ju është kërkuar vazhdimisht që ta luftoni këtë si një të keqe të madhe. Këtë jua ka kërkuar shoku Enver, shumë herë dhe në çdo rast kur është analizuar veprimtaria e Sigurimit të Shtetit në Byronë Politike. Tani na thuaj këtu, sa e ke pasur parasysh ti këtë kritikë të Partisë dhe si ke punuar dhe si ke luftuar që të vësh në vend porositë që të janë dhënë, duke filluar nga vetja, te kuadrot kryesorë, e deri në bazë. Kjo ka qenë një kërkesë me rëndësi që të është bërë nga Partia, që mendoj se ti nuk e ke pasur parasysh, nuk e ke përfillur, prandaj as tani, nuk je vënë të bësh analizën.

Ti ke qenë shumë i familjarizuar me këta elementë kryesorë armiq që janë implikuar në këtë veprimtari armiqësore, i ke mbajtur pranë, i ke mbrojtur dhe, kur janë kritikuar, pse kanë pas bërë gabime, je përpjekur që t’i mbrosh ata. Me mendimet dhe me propozimet tuaja, ata janë ngritur në përgjithësi të rëndësishme njerëz që s’e meritonin, me gjithë gabimet e rënda dhe dobësitë që kanë patur, por që ty ata të kanë mburrur e të kanë bërë edhe lajka.

Nga analiza e thellë marksiste-leniniste me frymë të lartë partie që i bënë shoku Enver kësaj veprimtarie, ashtu si të gjithë të tjerat grupe armiq më parë, edhe ky grup është zbuluar nga Partia. Tani ne duam të na analizoni e të na jepni shpjegime se çfarë ka bërë Sigurimi i Shtetit dhe ju që keni qenë ministër, mbasi kjo veprimtari armiqësore zhvillohesh edhe nga disa prej kuadrove kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që kanë qenë në vende kyç, zëvendësministra dhe shefa Sigurimi, si Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, më vonë shefi i Zbulimit, si Zoi Themeli, drejtor i Kufirit, Panajot Plaku, Llambi Peçini dhe Gani Kodra në Drejtorinë e Dytë që kanë qenë caktuar për të siguruar udhëheqjen, dhe që tani që po japin llogari para Drejtësisë.

Këta kanë qenë kuadro që ti i ke pasur bashkëpunëtorë. Po të ishte ti kundër dhe të kishte mendime të tjera për këta, do të kishe paraqitur raporte në Komitetin Qendrore dhe projekte. Duam të dimë, kush vendosi dhe mos t’i dhanë me zor ty këta kuadro, në kundërshtim me ato që mendoje? Jo. Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë që ti të thoshe se nuk jam dakord me këta. Për këta ka edhe dokumente në Komitetin Qendror, prandaj ti nuk ke asnjë të drejtë në këtë drejtim, e, megjithatë, kërkon të fshehësh përgjegjësinë tënde. Ti, këto i ke pasur pranë, i ke respektuar, ke pasur marrëdhënie të sëmura me Mihallaq Ziçishtin, ke pasur një miqësi të madhe me këtë armik tërë kohën, deri sa ai u shkarkua nga detyra e sekretarit të për të Komitetit të partisë së rrethit të Durrësit.

Të tilla marrëdhënie edhe me Feçor Shehun e Ganiu Kodrën, që e caktoje në çdo detyrë delikate, domethënë e ke pasur njeri të preferuar. Në autokritikë, thua se materialet e dhëna nga Partia, të ndihmuan. Mirëpo, ne duam të dimë dhe të kërkojmë llogari, që ti Kadri, pse nuk ke dhënë asnjë material, pse nuk ke bërë asnjë denoncim dhe asnjë ndihmë nuk i ke dhënë Partisë, si kuadër me përgjegjësinë kryesore për këtë sektor, që të na jepje mundësi akoma më të mëdha, për t’i zbuluar më shpejt këta armiq, siç janë Mehmet Shehu, Fiqret Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Ziçishti, Llambi Peçini, Gani Kodra etj. Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Lezhës, PS përmbys rezultatin dhe merr 4 mandate deputetësh

Sondazhi i Lezhës, PS përmbys rezultatin dhe merr 4 mandate deputetësh