Menjëherë pas deklaratës së Partisë Demokratike ku hidhen akuza se ministri i Brendshëm dhe Policia e Shtetit, po mbrojnë Kelmend Balilin, i cili sipas PD-së dhe mediave greke është i dyshuar si koka e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, ka reaguar ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Përmes një statusi në Facebook, Tahiri thotë se PD nuk humb asnjë rast për sulmuar rezultatet e policisë.
 
"Sipas PD, vete ne, Policia e Shtetit & DEA e SHBA & Policia Greke po heton me sukses nje grup kriminal te lidhur po me ne, me mua dhe drejtuesit e policise. 
Ne SHQUP nuk ka kufi as mediokriteti e as makuteria politike per te sulmuar cdo rezultat te policise. Vertete kaq naiv i konsiderojne shqiptaret?",
shkruan Tahiri në profilin e tij.

PD: Mbrojtja e Balilit nga Tahiri, provë e inkiminimit të qeverisë
Partia Demokratike reagoi më herët fill pas deklaratës së Policisë së Shtetit në të cilën thuhej se policia shqiptare, ajo greke dhe DEA amerikane po hetojnë për një rrjet të gjerë të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, duke thënë se Balili po mbrohet nga Tahiri dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit.

Ja reagimi i plotë i PD-së
"Mbrojtja që Saimir Tahiri dhe drejtues të Policisë së Shtetit i bëjnë Klement Balilaj, i dyshuari si një nga krerët e organizatës kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, u faktua sot ndërsa Balilaj bën shoë mediatik nga zyrat publike të drejtorisë së Transportit në Sarandë, ndërkohë që është shpallur në kërkim nga policia greke.

Të njëjtën gjë pohon edhe seksioni grek i CNN  në lajmin me titull: “Mbrojtje politike për baronin e kartelit të Ballkanit”, ku i referohet një takim dypalësh mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Përfaqësuesit e policisë shqiptare, siç raporton CNN janë dorëzuar duke thënë se “në Shqipëri nuk mund ta prekim sepse ky person ka lidhje me parti politike dhe kontakte me politikanë të nivelit të lartë”.

Lidhjet e Sajmir Tahirit me trafikantët dhe mbrojtja që u jep përmes emërimit të të besuarve të tyre në poste të larta të Policisë së Shtetit është prova më e fundit për inkrimininim e qeverisë Rama. Sot nuk dihet ku fillon qeveria e mbaron krimi, ku fillon krimi e mbaron qeveria. 

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të veprojë pa humbur kohë për të çuar para drejtësisë drejtuesit e kësaj organizate kriminale të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike por edhe mbështetësit e tyre në poste kyçe në Policinë e Shtetit dhe në qeveri. "


Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)